2016-09-07 13:03:00

Takim me Nënë Terezën, në ekspozitën kushtuar Shenjtes së re, pranë Universitetit Lumsa, në Romë


Nuk e di nëse mund ta quajmë ekspozitë

Nënë Tereza. Jeta, spiritualiteti e mesazhi. Nga lindje deri në shenjtërim, takim me Nënë Terezën, në ekspozitën kushtuar Shenjtes së re, pranë Universitetit Lumsa, në Romë. Pra, ishim në një ekspozitë. Por nuk e di në se mund ta quajmë me këtë emër. Sepse, krejt e jashtëzakonshme, me reliket e Shën Terezës së Kalkutës, edhe ato të jashtëzakonshme. Nga lindja, Pagëzimi, thirrja, misioni, apostullimi, vdekja, shenjtërimi... Ekspozitë, apo excursus biografik shpirtëror, me origjinën, jetën, veprën?

Vetë fjala reliquia, relike, që vjen nga latinishtja, flet për një objekt, të lidhur ngushtë me dikënd. Mund të jetë trupi, ose një pjesë e tij, zemra, për shembull, që i përket një njeriu të shenjtë ose tejet të nderuar, të njohur si bamirës i njerëzimit në ndonjë nga ato fusha, që i bëjnë mirë korpit e shpirtit njerëzor. Në ekspozitë, prandaj, mund të shikosh sende që i përkitën njeriut, të cilit i kushtohet e të cilat, shumë nga vizitorët do të dëshironin t’i kishin.

Përhapja e kultit

Nderimi i relikeve është shumë i përhapur si në fushën fetare, ashtu edhe laikale. I praktikuar si nga Kisha Katolike ashtu edhe ajo ortodokse, u kundërshtua nga Reforma protestante. Ndërsa në Islam është e famshmme xhamia e Hazratbal Sringar në Kashmir, ku ruhet një qime e mjekrrës së Muhametit. E reliket e prijësve shpirtëror nderohen shumë edhe nga feja budiste (Sarirah). I famshëm, tempulli i “Dhëmbit të shenjtë të Budës”, në Kandy të Sri Lankës.

Ne nuk hymë në një ekspozitë, hymë plot emocion në jetën e Nënë Terezës

Ne nuk hymë në një ekspozitë, konceptuar me thjeshtësinë e jashtëzakonshme, që karakterizon strehët e motrave të bamirësisë, hymë plot emocion në vetë jetën e Nënë Terezës. Në atë mjedis, çdo send i ekspozuar e çdo fotografi niste e tregonte histori të gjata, të dhimbshme, por edhe gati të pabesueshme, e gati-gati misterioze… duke nisur nga emri..

Gangje apo Gonxhe?

Ndoshta është hera e parë që ndokush merret me emrin e Vashës, që do të bëhej e njohur në mbarë botën. Pothuajse në të gjithë librat që i janë kushtuar, madje edhe në dokumentet vatikanase, që lidhen me të, e në vetë Formulën e Shenjtërimit, shkruhet: “Gonxhe Bojaxhiu”. Ndërsa gjëja e parë që lexuam, sa hymë në ekspozitë, ishte çertifikata e Pagëzimit të ferishtes, që lindi për t’u bërë shenjte, nga prindërit, Kola i Lazrit Bojagjija dhe Dranja Lavrencit, të cilët ia ngjitën emrin “Gangje (Agnes). Pra, vajza që sapo kish lindur quhej Gangje Bojagjija! Pagëzohej në Shkup, më 26. VIII. 1910, prej famullitarit Jozef Ramaj. Ndërsa krezmimin do ta merrte më 26 nëntor 1916, prej ipeshkvit Lazër Mjeda, e shoqëruar nga nuna, Tada e Simon Shirokës. Kështu në mituri, ndërsa më pas ajo vetë nisi ta shkruante emrin e saj Ganxhe Bojaxhiu. Emër ky, që u zëvendësua shpejt me tjetrin “Tereza e Kalkutës”, për të mbetur kështu në kujtesë të Kishës e të njerëzimit. 

Në jetën e saj mbretëron Kryqi

Në jetën e saj mbretëron Kryqi. Kryqi na foli nga të katër anët e ekspozitës. Pamë Krishtin, të kryqëzuar edhe në krahrorin e Nënë Terezës, me britmën e përjetshme “I thirst”. E pamë edhe Gruan imcake shqiptare, që ia shuante etjen e dashurisë për shpirtra, atje  ku Ai dëshironte më shumë: në të braktisurit! Kam etje! Britma e Krishtit delte nga stendat e mëdha, prej nga niste të rijetonte Nënë Tereza, për të hyrë edhe në shpirtin tonë, edhe ai shumë i etur për dashuri. Kam etje, thoshte Krishti. Kam etje,  thoshte shpirti ynë! Etje, që e shuan vetëm kryqi!

Rruzarja dhe Çmimi Nobel

Ishin aty, pranë e pranë, Rruzarja kokërrmadhe e Nënë Terezës - e Çmimi i madh Nobel. Ia dhanë, s’e kërkoi kurrë! E as nuk nguci kënd të shkruante artikuj të gjatë, që të mund t’ua kujtonin, atyre, të cilët e japin! E kush t’i shkruante pastaj, artikujt? Të gërbulurit e saj, që i kishin duart e ngrëna nga sëmundja e tmerrshme? Që i vdisnin në krahë, duke falënderuar Zotin se, pas një jete prej kafshe, po vdisnin si njerëz. S’kishte ndodhur kurrë  në sallën e madhe, ku ndahet për vit ky çmim, që ceremonia të niste me lutjen e Shën Françeskut “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”. E kurrë, që të luteshim me Të, ata që nuk e kishin provuar ngushëllimin hyjnor të lutjes!

Shkrimet e Nënë Terezës

Pamë një mori nga shkrimet e Shën Terezës, në ekspozitën me reliket e Themelueses së Motrave të Bamirësisë. Edhe nënshkrimin, shkruar me dorën e saj.  E shumë shkrime të tjera, nga më të ndryshmet, prej Rregullores së Kongregatës që themeloi, tek letrat, tek fletoret ku mbante shënime për mjekësinë, pajisur me skica bërë me një dorë të sigurt… Pamë, në faqen e parë,  skicën e zemrës….. E, me një zë të pandieshëm, që i fliste drejtpërdrejt shpirtit tonë, ajo nisi të na lexojë poezinë e saj tejet optimiste: …. Jeta është himn, këndoje!/ Jeta është tragjedi, përballoje!/ Jeta është aventurë, rrezikoje!/ Jeta është lumturi, meritoje!/ Jeta është jetë, mbroje!/ E shkurtër a e gjatë, jetoje!”.

Nga varfëria më e madhe, te lavdia më e madhe

 Nga sendet që flasin për mjerim, nga objektet e varfërisë së skajshme - tek nderimet më të mëdha: kontrast që na tronditi e na bëri të meditojmë. Nga çanta gjysëm e grisur, tek Çmimet më të larta, që u jep njerëzimi bamirësve të vet. Duke nisur nga çmimi Magsaysay për Paqen dhe Mirëkuptimin ndërkombëtar, tek Çmimi indian Padma Shri e më pas, më 1971, Çmimi për Paqen Papa Gjoni XXIII, dorëzuar nga Papa Pali VI; Çmimi Kenedi, pastaj; Çmimi Templeton më 1972; Çmimi Ndërkombëtar Albert Schweitzer, më 1975; Çmimi Ceres Medal i FAO per kontributin në  zhvillimin shoqëror, më 1976; Çmimi Balzan (1976), Çmimi Nobel për Paqen(1979); Bharat Ratna, Çmimi më i lartë civil në Indi (1980) Çmimi i Legjionit të Nderit të Haitit(1981), Medalja Presidenciale e lirisë e SHBA-ve(1985); Urdhëri i madh i Mbretëreshës Jelena nga Kroacia  (1995). Titulli Qytetare Nderi e SHBA-ve dhe dorëzimi i Medaljes së artë Kongresuale (1996)… disa prej tyre ishin aty, para syve tanë të mahnitur! Po t’i kish varur në kraharor, gjë që nuk e bëri kurrë, do të ishte dukur si gjeneral. Siç edhe ishte. Gjeneral i të varfërve më të varfër, që kishin nevojë për një dalazotës, të cilit t’i dëgjohej fort zëri, atje ku ata nuk do të mund të hynin kurrë, për të folur për mjerimin e tyre dhe për t’i treguar me gisht shkaktarët, siç bëri Papa në këto ditë të mëdha, duke theksuar” “Ajo e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre”.

I pamë, aty, pranë e pranë me Krishtin në Kryq, medalja e vetmte që Nënë Tereza e mbajti gjithnjë mbi sarin e saj, në anën e zemrës, e cila rrahi gjithë jetën për të Kryqëzuarin!

Sandalet e ngrëna nga udha e gjatë

Sandalet e ngrëna nga udha e gjatë… Ç’do të ndodhte sikur njëra nga gratë e pushtetshme, gjithnjë më të shumta, që po e sundojnë sot botën, të ngjitej në tribunat e pushtetit me sandale, që u ngjasin atyre të Nënë Terezës? Do ta tallnin? Do të çuditeshin? Ndoshta. Po ne nuk u çuditëm fare para tyre. Mbase na pushtoi drithërimi, sepse sandalet e vjetra, të meremetuara kush e di sa herë, nisën të na flasin… Na treguan se kishin shkelur rrugët e mbarë botës, udhët me gjirize të hapura të bidonvileve, ashtu si dhe  pallatet e pushtetit; kishin parë në sy gërbulën e kishin  ndihmuar Nënë Terezën të ecte shpejt, shpejt, kur duhej shpëtuar një mori fëmijësh të posalindur, se ishin ngjitur në tribunën e Nobelit e kishin shkelur sa e sa herë në sallat mahnitëse të Vatikanit, ku mund të soditen kryeveprat e piktorëve më të mëdhenj të njerëzimit e të takohesh me Bariun e veshur me të bardha, që i prin grigjës së madhe të Kishës katolike. Të cilit Tereza i pati thënë: “Për ne ju jeni Krishti!”. Sandale të çudishme këto, që e dinin fill e për pe jetën e Nënë Terezës dhe, nga vitrina e ekspozitës, ku qenë vendosur, e kallëxonin me  ngjyra shumë më të të gjalla, se ato që sodisim në një bibliotekë librash kushtuar Nënë Terezës. Mbetëm një copë herë gojëmbyllur para kësaj relikeje të rrallë, që dinte të kallëzonte kaq bukur, një jetë, tashmë bërë pronë e të gjithëve. ‘Sandale të çuditshme, mes miliona sandalesh, që shkelën mbi udhët e kësaj bote! Sandale që të tregonin një jetë të jashtëzakonshme! Të një gruaje, që u bë e pushtetshme, duke ecur mbi shojet e tyre të grira nga udha e thepët. Është për t’u besuar njerëzve, që mbathin sandale të tilla!

Një fund, që ishte fillim

E pamë, duke vizituar ekspozitën me reliket e saj, në dhomën e varfër, kur po jepte shpirt. Duke shqiptuar pakëz fjalë, me pushime të gjata, e penguar nga frymëmarrja që bëhej përherë më e vështirë. “Nuk kam më kohë - kam ngut… ç’kërkon më Jezusi nga unë?".  Këto, fjalët e fundit…na i tha ne, që po vizitonim ekspoziten me reliket e saj. Pastaj heshtja e gjatë e pastaj akoma, Nëna e të varfërve, lartoi sytë kah qielli e dha shpirt”.  Ishte  ora 21.30 e datës 5 shtator 1997…. Trupi i saj i shtrirë në shtratin e varfër, ishte aty, para nesh,  e na fliste për fundin e një jete - e fillimin e një tjetre.

Mirënjohje.. e keqardhje…

Nuk mund të bëjmë tjetër, veçse t’i shprehim mirënjohjen motrave të Nënë Terezës, ndërmjet të cilave, edhe një shqiptare, që na shoqëruan hap pas hapi në këtë shtegtim nëpër jetën e Nënë Terezës, në këtë ekspozitë kaq tronditëse, që nuk harrohet lehtë, për të mos thënë, kurrë! E japim me keqardhje njoftimin se sot u mbyll. Prandaj vendosëm ta hapim përsëri në faqen tonë të internetit, për t’ju përcjellë ato emocione, që na prekën në shpirt aq, sa na u duk se hymë në jetën e Shenjtes më të re të Kishës katolike, e cila na përcolli, duke na kujtuar se tani na takon ne, të ecim mbi gjurmët që lanë mbi këtë tokë, sandalet e ngrëna nga rruga e gjatë…..

Nuk dolëm duarthatë

Thamë, në krye, se në ekspozita relikesh, që kanë të bëjnë me jetën e veprën e figurave të mëdha, mund të soditen sende që i përkitën njeriut, të cilit i kushtohet e që, shumë nga vizitorët do të dëshironin t’i kishin. E dinin këtë dëshirë, motrat e Nënë Terezës, prandaj nuk na nisën duarthatë. U larguam prej andej me një premtim në zemër, e me relike në duar: me fotografinë më të bukur të Nënës buzagaze, pasuruar me një copëz nga sari i saj në një kënd, e me madajën e mrekullueshme….








All the contents on this site are copyrighted ©.