2016-09-04 09:42:00

Shenjtërimi i Nënë Terezës, publikohet programi i veprimtarive në Tiranë


Biblioteka Kombëtare fton publikun që të vizitojë ekspozitën “Homazh”, që do të presë vizitorët përgjatë datave 3-10 shtator. Ata do të mund të njohin më mirë Nënë Terezën përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën dhe veprimtarinë e saj.

Në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe sendet personale të saj, si kryqi, shalli, rruzarja, pronë e MHK-së, si rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar. Nën moton  “Një javë në nderim të Shenjtores”, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Aktivitetet:

2 shtator

10:00 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të vizitojë Shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës, një qendër mjaft e rëndësishme e ndihmës sociale. Ajo është çelur nga vetë Nënë Tereza dhe kontribuon dukshëm ndaj të moshuarve dhe personave të tjerë me gjendje sociale të vështirë. Pritet që në këtë takim, kryebashkiaku të nderojë misionin e Nënë Terezës në Tiranë me titullin “Nënë Terëza, simbol i qytetit të Tiranës”.

Pritet që edhe qyteti i Tiranës të vishet me flamurin kombëtar, flamuj të bashkisë dhe simbolin bardhë e blu të misionit të saj.

4 shtator

09:15 – Përurimi i pllakës përkujtimore te sheshi “Nënë Tereza” me një ceremoni të programuar dhe me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve dhe qytetarëve të Tiranës.

09:30 – Koncert në nderim të Nënë Terezës  nga orkestra e TKOB.

10:00 – Lidhje televizive nga sheshi “Nënë Tereza” me sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit për të ndjekur meshën e Papa Françeskut, ku do të bëhet dhe deklarimi zyrtar i Shenjtores Nënë Tereza. Lidhje e drejtpëdrejtë me TV në Kishën e Zemrës së Krishtit – Tiranë, me komentet në gjuhën shqipe nga meshtarët Dom David Gjugja dhe Dom Marian Paloka, që ndjekin Meshën në Vatikan.

6 shtator

11:00 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të prezantojë konkretizimin e titullit të miratuar përpara disa viteve Simbol i Qytetit të Tiranës (Vendim Nr.137, dt. 30.07.1999, Për Miratimin e Titujve Vlerësues të Bashkisë Tiranë), i konkretizuar aktualisht në formën e një medaljoni me portretin e Nënë Terezës në njërën anë dhe datën e deklarimit Shenjtore në anën tjetër, dt. 4 shtator 2016.

Rivendosje e Pllakës Përkujtimore në ish-banesën e familjes (nënës dhe motrës) së Nënë Terezës në Tiranë.

7 shtator

19:00 – Premiera e filmi dokumentar që i dedikohet Nënë Terezës mbi jetën dhe veprimtarinë e saj në Kalkuta, premiera e të cilit do të shfaqet në instalacionin “Reja” e vendosur përpara Galerisë së Arteve.

Më 4 shtator, ora 09.30, Koncert, në Sheshin  Nënë Tereza, me pjesëmarrjen e Solistëve, Korit dhe Orkestrës së TKOBAP








All the contents on this site are copyrighted ©.