2016-09-01 12:34:00

Nënë Tereza: kremtimet nëpër botë, për Shenjtoren e të varfërve


 “Shtegtojmë” në mjetet e komunikimit, oqean informacioni, ku këto ditë emri i Nënë Terezës shkruhet me shkronja të mëdha në krye të një mori shkrimesh të të gjitha natyrave. Lexojmë disa prej titujve: “Çaste të panjohura nga jeta e Nënë Terezës”; “Nënë Tereza e Kalkutës: Mrekullitë e  saj”; “Nënë Tereza shenjte, gëzimi i mbarë botës”; “Nënë Tereza na kujton paqen”; “Nënë Tereza na porosit: Kujdes paqen dhe mbrojtjen e jetës”; “Shën Tereza na kujton: ‘Të varfër jeni ju!”… por ç’ka mbetur e panjohur nga jeta e Nënë Terezës?  Ç’sekret mund të gjindet në skajet e skutat e jetës së saj? Ajo nuk u fsheh kurrë nga askush, nuk fshehu asgjë, siç ndodh shumë shpesh, veç “Natës së errët të shpirtit”, që tashmë e njohin të gjithë. Ajo ishte, ndoshta, njeriu më transparent në botë! E megjithatë, këto ditë njerëzit e pendës vijojnë të kërkojnë ndonjë iskër të re, të panjohur për murgeshën e thjeshtë, që, nga rrugët e gërbulura të Kalkutës, doli, pa kurrfarë dëshire, në faqet e para të mjeteve të komunikimit të botës mbarë. Duke na kujtuar se duket më shumë, pikërisht ai që di të zhduket më shumë nga jeta  e vet, për të hyrë tërësisht në jetën e botës, duke ia lehtësuar barrën e përhershme të mjerimit. Prej këndej e quajnë: buzagazi i të fundmëve, atë, që tashmë është kthyer në mit! Sekreti i Nënë Terezës? Përngjasimi i plotë me Krishtin!  

Kështu, pra. Nënë Tereza vijon të japë mësim. Jo më mësimin e gjeografisë, në klasat e liceut të Kalkutës, por mësimin e vetë jetës, në auditorin e Planetit….

E nga mbarë viset e Planetit janë nisur tashmë një mori shtegtarësh, që do të marrin pjesë në Meshën e së dielës, kryesuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit. Por nuk kremton vetëm Roma: Nënë Tereza po kremtohet në të gjithë botën, duke nisur nga Kalkuta, që po e jeton me emocion të thellë këtë ngjarje të madhe, e cila e vë emrin e këtij qyteti në krye të vendit, sepse Shenjtja deshi ta quajë veten “e Kalkutës”, gjë që e dallon nga dy Terezat e tjera; ajo e Avilës dhe e Lisieux. Në përkim me thjeshtësinë e Nënës së të varfërve, edhe kremtimi i motrave të saj në Kalkutë: ndjekja e Meshës së shenjtërimit, përmes televizionit dhe një Meshë falënderimi, më pas.

Shkurtimisht, të gjitha informacionet kryesore për shenjtërimin e  Nënë Terezës:

Vatikani e Roma:

 Më 3 shtator do të ndiqet katekizmi i Papës Françesku, duke nisur nga ora 8.30, në Sheshin e Shën Pjetrit; më 4 shtator, Liturgjia solemne eukaristike e shenjtërimit të së Lumes Tereza e Kalkutës, ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot.

Të hënë, 5 shtator, Festa e parë e Shën Terezës së Kalkutës: mesha e falënderimit, kryesuar nga hirësia e tij, kardinali Pietro Parolin; ora 10.00, Bazilika e Shën Pjetrit; pasdite, nderimi i relikeve të Shën Terezës së Kalkutës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

Kremtimet në Vatikan e në Romë do të vijojnë deri më 8 shtator. Shtegtarët do të mund të orientohen përmes programeve përkatëse.

Kremtime në Indi:

India do ta kremtojë shenjtërimin e Nënë Terezës me një sërë veprimtarish, ndërmjet të cilave festivali i filmit e do të jetë e pranishme në Vatikan me një delegacion të rangut të lartë.  

Në dioqezat e Shqipërisë

Në dioqezat e Shqipërisë, po organizohen veprimtari me të varfërit, po  shfaqet muzikali i Nënë Terezës, po mbahen konferenca shkencore, ndërsa kanë dalë botime të ndryshme, si figure të Nënë Terezës, fletëpalosje për familjet, poster, figure, doracaku për nëntëditëshin, në vijim etj; po  ndiqen edhe dëshmi të motrave të Nënë Terezës në katedrale apo në famulli, sipas kërkesës.

Do të hapet edhe ekspozita për Nënë Terezën, sipas parashikimit të programit, në Sapë, Lezhë, Rrëshen, Shkodër, Tiranë, në Administaturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut. 

Më 10 shtator do të kremtohet një Meshë falënderimi, në nivel kombëtar, në Katedralen e Sapës në orën 10:00 (po në këtë datë mund të kremtohet dhe në katedralen e Prishtinës).

Më 11 shtator, e dielë, meshë falënderimi në çdo famulli, ndërsa  një delegacion do të shkojë në Shkup.

Më 4 shtator, ipeshkvia e Shkupit do të organizojë kremtimin me temë: “Ditët e hirësisë së Nënë Terezës”, që do të vijojë nga 5 deri më 11 shtator, për të përfunduar me kremtimin artistik, atje ku pa dritën së pari, ku ishte shtëpia e saj e lindjes, që do të shpallet vend i shenjtë.

Kisha katolike e Kosovës organizon, të shtunë, më 3 shtator, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, koncertin e madh: “Himn për Nënë Terezën”, prelud i kremtimit të madh të dielës.








All the contents on this site are copyrighted ©.