2016-08-31 11:00:00

Navarro-Valls: i jashtëzakonshëm, përkimi i Nënë Terezës me Gjon Palin II


Si ta kishte motër. Kjo, ndjenja që ushqente Gjon Pali II për Nënë Terezën. Kështu mendonte edhe kush i shihte bashkë gjatë takimeve të shumta, që patën dy shenjtorët gjatë papnisë së Gjon Palit II. Si kur ishin mes të varfërve, që jepnin shpirt në Kalkutë, ashtu edhe kur takoheshin në Pallatin Apostolik, ndërmjet tyre vërehej përherë një përkim i jashtëzakonshëm, i çimentuar nga dashuria për Krishtin e për të afërmin.

Joaquin Navarro-Valls, për njëzet vjet drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, qe dëshmitar në shumë prej këtyre takimeve. E pikërisht mbi këtë lidhje të posaçme ndalet, duke e përqendruar reflektimin e tij tek buzëqeshja e mrekullueshme, që e ndriçonte pothuajse gjithnjë fytyrën e Nënë Terezës:

Përgjigje: - Ai gaz, gati prej fëmije. Që nuk iu zhduk nga buzët as kur ishte e shtyrë në mote. Ajo buzëqeshje e jashtëzakonshme, e përhershme. E pastaj morëm vesh - pas vdekjes - nga botimi i letrave, shkruar gjatë vitesh drejtuesve të saj shpirtërorë - për atë provë të rëndë që e fshehu në shpirtin e saj, për atë shkretërirë, atë natë tejet të errët, që e mbajti për vete për shumë e shumë vjet. I jashtëzakonshëm, ky kontrast   tek kjo grua. Errësirë në shpirt e gaz në buzë!

Pyetje: - Gjon Pali II e Nënë Tereza ishin të lidhur si vëllai me motrën. Kështu shkruan shumëkush. Po ju, ç’kujtim keni për këtë lidhje kaq të veçantë ndërmjet dy Shenjtorëve?

Përgjigje: - Kishin një bashkim të jashtëzakoshëm, këto dy personalitete vigane të epokës sonë, kaq të ndryshëm njëri nga tjetri për kah formimi, historia, jetëshkrimi: ishin krejt të ndryshëm! E megjithatë, merreshin vesh në mënyrë të përkryer, gjë që dukej qartë kur i shikoje jashtë akteve zyrtare, në intimitetin e apartamentit të Papës ose kur, më 1986, gjatë shtegtimit të tij të parë në Indi, Gjon Pali II  e priti në Kaligath, në dy dhomat e lidhura me një tempull budist, ku ajo mblidhte gjithë njerëzit e braktisur, që i takonte në rrugët e Kalkutës. Kishin një përkim të madh, që dukej qartë kur ishin bashkë.

Pyetje: - Pas vizitës prekëse e historike të Gjon Palit II në Kalkutë, Papa deshi që Misionaret e Bamirësisë të kishin një strehë edhe në Vatikan, e kështu lindi “Dhurata e Marisë”. Ç’kujtim keni nga ky vendim i Papës e ç’ përfaqëson edhe sot e kësaj dite kjo prani, në Vatikan?

Përgjigje: - Ndërkaq duhet thënë se ishte diçka e padëgjuar: u vendos gjatë një bisede ndërmjet tyre në Vatikan… Kur Papa reflektoi pak, tha: “Të bëhet! Mund të bëhet!”. Natyrisht ishte e çuditshme. Ishte gjë e padëgjuar që brenda  Vatikanit – sepse kjo hapësirë është brenda Vatikanit – të mikpriteshin njerëz, që jetonin rrugash, që flinin nën qiell të hapur, që nuk kishin familje, që ishin të sëmurë… E kështu u përurua kjo shtëpi, më 1988: pikërisht dy vjet pas shtegtimit të Papës në Indi. Mendoj se Gjon Pali II u frymëzua, në një farë mënyre, nga ajo që pa në Indi.  E, prej këndej, ndonëse Kalkuta e Roma ndryshojnë shumë, mund të themi edhe se përngjasin, sepse në të dyja qytetet e mëdha ka shumë njerëz që vuajnë, shumë të sëmurë, shumë të pafamilje, shumë qenie njerëzore të braktisura nga të gjithë. Papa nuk dyshoi për asnjë çast, i vetëdijshëm se kjo ishte risi e madhe e se ky vendim ishte i padëgjuar në Vatikan.

Pyetje: - Shenjtërimi i Nënë Terezës kremtohet me dëshirën e Papës Françesku pikërisht në Jubileun e Mëshirës, si ngjarje kulmore e tij. Ç’mesazh përcjell kjo ngjarje e dyfishtë, kjo lidhje ndërmjet Nënë Terezës dhe Mëshirës?

Përgjigje: - Unë mendoj, madje jam i sigurt, se do të jetë ngjarja më e fortë - nëse mund të shprehem kështu - me pjesëmarrje më të madhe e me reflektim më të thellë në mbarë botën e në të gjithë Vitin e Mëshirës. Për këtë nuk kam asnjë dyshim. Mesazhi është ai i përhershmi: në qendër të jetës së Kishës, e prej këndej, edhe të jetës së gjithë të krishterëve, është dashuria. Nuk mund të jetë ndryshe! Dashuri e krishterë, që formon gjithë personalitetin, që i jep kuptim jetës, që nevojitet për t’i ndihmuar edhe të  tjerët. Por është edhe një aspekt i dytë, që dëshiroj ta nënvizoj: kur flitet - e është natyrshme të flitet - për rolin e gruas në Kishë, mua më vjen në mendje gjithnjë Nënë Tereza, që kreu një vepër kaq të madhe, sa të bëhej  - kundër dëshirës së saj - lidere botërore: kjo grua imcake, që nuk donte protagonizma personale, gjithë këtë që bëri, e bëri si grua, me ndjeshmërinë e gruas, një gruaje në Kishë, që arriti të frymëzojë veprimtarinë e një mori meshtarësh, ipeshkvijsh, kardinajsh në gjirin e Kishës. Një mënyrë e qartë, kjo, plot dashuri e të jetuarit të bamirësisë: Shenjte e vërtetë, jeta e së cilës iu kushtua të tjerëve, por me ndjenja të holla, me zemër gruaje, me shpirtin e një gruaje në Kishë!








All the contents on this site are copyrighted ©.