2016-08-31 14:46:00

Françesku: Jezusi i çliron njerëzit “e përjashtuar”.


Sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa ia kushtoi katekizmin fragmentit, shkëputur nga Ungjilli i Mateut, kushtuar gruas, që humbiste gjak, që u shërua nga Jezusi e sidomos, që spikat për fenë e guximin e saj”(Mt 9,20-22). Duke treguar, kështu, se Jezusi i shpëton të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, i çliron e ua rikthen dinjitetin. Papa nënvizoi se edhe Kisha duhet të jetë e vëmendshme ndaj grave, t’i shikojë e t’i trajtojë pa paragjykime. Duke përshëndetur, pastaj, shtegtarët, Françesku kujtoi posaçërisht të krishterët e Lindjes së Mesme.

“Nëse ia dal t’ia prek vetëm mantelin, do të shpëtoj”.

Papa, pra, gjatë katekizmit, u ndalua te figura e një gruaje me fe të gjallë. Ajo - vijoi të kujtonte - duke kaluar mes turmës i afrohet pas shpine Jezusit për t’ia prekur të paktën një cep të mantelit. Thoshte me vete: “Nëse ia dal vetëm t’ia prek paksa mantelin, do të shpëtoj”. Sa besim kishte kjo grua! Sa guxim! Arsyeton kështu, e frymëzuar nga feja, që ia ka pushtuar krejtësisht zemrën; nga shpresa, që i jep jetë e, me pakëz dinakëri, e realizon ëndrrën e zjarrtë të shpirtit. Dëshira për të gjetur shpëtimin në Jezusin është aq e fuqishme, sa ta nxisë të shkojë edhe përtej  normave të vendosura nga ligji i Moisiut. Kjo grua e mjerë nuk është vetëm e sëmurë. Shikohet edhe si e papastër, sepse me hemorragji të vazhdueshme. Prej këndej, përjashtohet nga liturgjitë, nga jeta bashkëshortore e edhe nga të gjitha lidhjet e zakonshme me të afërmin. Shën Marku ungjilltar na kujton se ishte këshilluar me shumë mjekë, pas të cilëve kishte shpenzuar një mori parash, por pa gjetur derman e, madje, duke u keqësuar gjithnjë më shumë. Nuk është e vështirë ta kuptojmë gjendjen shpirtërore të kësaj gruaje: ishte e vdekur, e pavarrosur! E edhe besimin se vetëm Jezusi mund ta shpëtonte nga sëmundja e korpit e nga përbuzja e të afërmit. Gjë që na kujton se vetëm në takimin me Krishtin hapet për të gjithë, burra e gra, të çdo vendi e të çdo kohe, shtegu i çlirimit, udha e shpëtimit, sepse Jezusi ua kthen shëndetin dhe i shpëton nga diskriminimet shoqërore e fetare të gjithë ata, që besojnë në Të.

Jo, diskriminimeve dhe paragjykimeve kundër grave!

 “Ky rast të bën të reflektosh mbi mënyrën sesi perceptohet e paraqitet gruaja. Të gjithë, e edhe bashkësitë e krishtera, duhet të kemi kujdes nga vizionet e ngarkuara me paragjykime e dyshime mbi gratë, që e dëmtojnë dinjitetin e tyre të patjetërsueshëm. Në këtë kuptim, janë pikërisht Ungjijtë që na tregojnë të vërtetën e na çlirojnë nga çdo keqkuptim”.   

Ungjilli i Mateut rrëfen se kur gruaja e ciku mantelin e Jezusit, Ai “u kthye” dhe “e pa”, e edhe i foli. E, në takimin me Jezusin - vijoi Papa - hapet  për të gjithë, burra e gra, të çdo vendi e të çdo kohe, shtegu i çlirimit e udha e shëlbimit.

Të gjithë jemi mëkatarë, por Jezusi na fal me mëshirën e Tij

Siç e kujtuam më sipër, nga shkaku i sëmundjes, gruaja veproi fshehurazi, pas shpinës së Jezusit. Veproi kështu, sepse kishte frikë, ishte e flakur jashtë nga shoqëria. Po Jezusi e shikon e në sytë  tij nuk ka as hijen e përbuzjes. Sytë e Zotit nuk i thonë: “Hajt, ik, ti je e përjashtuar”, si të ishte e gërbulur. Sytë e Zotit ngulen në bebe të syrit të saj, plot me butësi e mëshirë! Krishti kërkon takimin personal me të, duke ia kthyer përsëri dinjitetin. E kjo vlen për ne të gjithë, kur ndjehemi të përjashtuar, për shkak të mëkateve tona:

“Sot, ne të gjithëve, që jemi mëkatarë të mëdhenj, ose  mëkatarë të vegjël, po të gjithë jemi eh?, ne të gjithëve, pra, Zoti na thotë: ‘Zemër! Guxim! Eja! Nuk je më i përjashtuar, e përjashtuar: unë po të fal, po të përqafoj!’. Kështu është mëshira e Zotit. Duhet të marrim guximin e të shkojmë tek Ai, t’i kërkojmë falje për mëkatet tona e të ecim përpara. Me guxim. Ashtu siç bëri kjo grua”.

Mëshira e Jezusit i tregon Kishës rrugën ku duhet të ecë për t’u takuar me çdo njeri

Françesku theksoi edhe një herë se kush e ndjen veten të përjashtuar, si të gërbulurit a si të pastrehët, turpërohet e, ashtu si gruaja që vuante nga humbja e gjakut, mundohet të veprojë fshehurazi, pa rënë fare në sy. Ndërsa Jezusi e nxjerr në dritë, e ringre në këmbë, i jep dinjitet. Çka jep Jezusi - pohoi Papa -  është shpëtimi i plotë, që e ripërfshin jetën e gruas në sferën e dashurisë së Zotit e, njëkohësisht, ia rikthen dinjitetin:

“Jezusi, edhe një herë, me sjelljen e Tij plot mëshirë, i tregon Kishës rrugën, që duhet të përshkojë, për t’u takuar me çdo njeri, që gjithkush të mund të shërohet në korp e në shpirt e ta rifitojë dinjitetin e Birit të Zotit”.

Një mendim i posaçëm për besimtarët e Lindjes së Mesme, që feja t’i mbështesë gjithnjë

Në çastin e përshëndetjes me shtegtarët, duke iu drejtuar atyre të gjuhës arabe, Papa i kushtoi vëmendje të posaçme shtegtarëve ardhur nga Iraku e nga Lindja e Mesme:

 “Kur shpresa njerëzore zhduket e gjithçka duket e pamundur - tha - dielli i shpresës hyjnore lind për ata që, pavarësisht nga errësira e sprovës, e mbajnë gjithnjë të ndezur flakën e fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.