2016-08-25 11:23:00

Tërmeti: më se 240 të vdekur, vijojnë gërmimet e edhe lëkundjet e tokës


Gjithnjë më dramatik, bilanci i tërmetit, që shkatërroi zonën ndërmjet provincës së Rieti-t e Ascoli-t, në qendër të Italisë. Të dhënat, ende të paplota, flasin për më se 240 të vdekur, 400 të plagosur, rreth 2,500 të shpërngulur dhe një numër ende të papërcaktuar të humburish. Ndërkaq banorët e shtëpive të shndërruara në gërmadhë, e kaluan natën e parë të vështirë si mundën e ku mundën.

Gjatë gjithë natës vijuan gërmimet në grumbujt e gërmadhave, atje ku goditja e tërmetit shkatërroi më shumë. Luftë kundër kohës, për të shpëtuar ata që janë ende gjallë nën rrënojat e shtëpive të veta e kërkojnë urgjentisht ndërhyrje, për të mos u radhitur shumë shpejt në numrin e të vdekurve. Një ndihmë të jashtëzakonshme po japin në këtë drejtim qentë e specializuar  për të tilla raste që, për fat të keq, në Pescara del Tronto, nuk po nuhasin më asnjë frymë njeriu. Pasi kanë arritur të shpëtojnë një numër të konsiderueshëm nga “banorët e gërmadhave”. Të trondit, numri i viktimave, 24 orë pas lëkundjes së parë e, për shumëkënd, kjo katastrofë është edhe më e rëndë se ajo e Aquila-s, ku më 2009 të vdekurit nga tërmeti ishin 309 vetë. Mbrojta Civile, zjarrfikësit, edhe ata të Vatikanit, të dërguar nga Papa, si dhe vullnetarët, po bëjnë ç’është mundur të ngrenë çadrat për ata, që shpëtuan nga kjo gjëmë e madhe. Por, megjithatë, një pjesë e mirë e njerëzve e kaluan natën e parë pa asnjë strehë mbi kokë. Natë dramatike, pa gjumë, e kaluar duke menduar ngjarjen e tmerrshme. Pranë këtyre njerëzve të tronditur thellë, fiksuam, në mikrofonin tonë,  disa dëshmi, për t’u shprehur kështu, solidaritetin e pjesëmarrjen tonë:

Pyetje: - Shumë, shumë fëmijë të vdekur… Amatrice nuk është më…Ju ç’bëtë kur u ndje lëkundja e parë?

Përgjigje: - Gjëja  e parë që bëra, ishte të vija jastekun mbi kokë. U vesha shpejt e shpejt, mbatha këpucët e zbrita nga shkallët. Isha në katin e dytë. Kur dola, pashë shtëpitë të gjitha  të rrënuara. Në vend të tyre, ngrihej një grumbull gërmadhash, dy metra i lartë… U ula mbi një gur duke pritur të vinte ndokush e të më merrte, sepse nuk dija  ç’duhej bërë….

Pyetje: - Thua është e mundur të flitet për rifillim, në një vend si Amatrice?

Përgjigje: - Të rifillosh është fjalë tepër madhe! Natyrisht duhet rifilluar gjithnjë nga e para. Por duke ngritur ndërtesa antisizmike. Vetëm kështu mund të  rifillohet, mbasi  dihet se kjo është zonë e paqëndrueshme…

Pyetje - E ju, ishit këtu për pushime, apo jo?

Përgjigje: - Po, jemi nga Sardenja e erdhëm këtu për të kaluar disa ditë pushimi. Ishte dramatike. Nisëm të ulurijmë e thyem një xham. Por nuk mundëm të dalim. Atëherë erdhën nga jashtë, shembën portat e na nxorën. Ishte një tmerr i vërtetë, Shpëtuam për mrekulli, po të shikojmë pamjen që na rrethon…

Pyetje: - Të humbasësh gjithçka në pak sekonda…

Përgjigje: - Kjo do të thotë se jeta varet në një fije peri, mund ta humbasësh brenda një sekonde e nuk duhet të kapesh pas asgjëje. Po e shihni vetë. Vjen një çast si ky e ta rrëmben gjithçka, gjithçka….

Pyetje: - Cila është ndihma më e fortë në këto çaste?

Përgjigje: - Unë u luta menjëherë e ndoshta - madje sigurisht - është kjo që më mbrojti për të mos rënë në dëshpërim pa rrugëdalja. Mbasi në këto raste edhe dëshprimi mund të vrasë…

Këto, përgjigjet, në një mjedis, që vijon të lëkundet fort e nuk premton asgjë të mirë. Nga mesnata u regjistruan më se 60 lëkundje të reja, më e forta, në agim, rreth 4,5 gradë Richter, me epiqendër ndërmjet Accomoli-t e Arquata del Tronto.

Dje, në zonat e dëmtuara ishte për vizitë kryeministri Renzi dhe autoritete të tjera. Sot, në orën 18, mbledhja e Këshillit të Ministrave për masat e para, deklarata e gjendjes së emergjencës dhe caktimi i një shume prej 234 milionë eurosh nga fondi i emergjencave kombëtare. SHBA-të, Gjermania, Franca janë disa nga vendet që u treguan menjëherë të gatshme të japin  ndihmën e tyre, për të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje. 








All the contents on this site are copyrighted ©.