2016-08-24 11:29:00

Papa: emocion e afërsi; pas tërmetit në Italinë qendrore, rruzarja, jo katekizmi!


Audienca e sotme e përgjithshme, që pritej të mbahej në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u shndërrua në çast të fuqishëm lutjeje e pjesëmarrjeje në një dhimbje të thellë, krejt të papritur! Dhimbje për viktimat e tërmetit, që tronditi rëndë Italinë qendrore, Lazio-n, Marke-t e Umbria-n, duke shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve. Në këtë atmosferë, Papa, i hidhëruar thellësisht, vendosi ta shtyjë katekizmin e ta zëvendësojë me rruzaren. Ndonëse sot është e mërkurë, shenjave të Rruzares nuk i paraprinë Misteret e Lumnisë, por ato të Mundimeve të Krishtit - me to, edhe të njeriut.  Ja edhe fjalët e Françeskut:

“E pata përgatitur katekizmin për sot, ashtu si për çdo të mërkurë, me argument afërsinë e Jezusit. Por, para lajmit të tërmetit, që goditi qendrën e Italisë, duke shkretuar zona të tëra e duke lënë pas një mori të vdekurish e të plagosurish, nuk mund të mos u shpreh dhimbjen time të thellë  të gjithë njerëzve të pranishëm në vendet e prekura nga lëkundjet, të gjithë atyre, që humbën të dashurit, e edhe atyre, që u lëkundet akoma toka nën këmbë e  vijojnë të jetojnë në atmosferën e frikës e të tmerrit. Të dëgjosh kryebashkiakun duke thënë “vendi nuk është më”, e të marrësh vesh se ndërmjet të vdekurve ka edhe shumë fëmijë, më  mbush me një hidhërim tejet të thellë. Prandaj dua t’i siguroj gjithë këto njerëz pranë Accumoli-t, Amatriçe-s e në vise të tjera, në dioqezën e Rietit, të Ascoli Piceno-s e në të tjera, në të gjithë Lazio-n, Umbria-n e Marche-t se lutja është që t’i siguroj për përkëdheljen dhe përqafimin e mbarë Kishës e cila, në këto çaste kaq të hidhura, dëshiron t’i shtrëngojë fort ndër krahë me dashuri amtare, e dhe për përqafimin e ne të gjithëve, që jemi këtu, në Shesh.

Duke i falënderuar mbarë vullnetarët dhe punonjësit e Mbrojtjes Civile, që po e ndihmojnë në këto çaste popullsinë, ju kërkoj të bashkoheni me mua në lutje, që Zoti Jezus, i cili u prek gjithnjë në shpirt para dhimbjes njerëzore, t’i ngushëllojë këto zemra të vrerosura e t’u japë paqe, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari. Le të prekemi të gjithë në zemër, bashkë me Jezusin! 

Prej këndej, po e shtyjmë katekizmin e sotëm për javën e ardhshme e po ju ftoj ta thoni me mua, për këta vëllezër e motra, një pjesë të rruzares".








All the contents on this site are copyrighted ©.