2016-08-22 14:25:00

Indi. Fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit, kushtuar Nënë Terezës


E kujtojmë përsëri: më 4 shtator, në Vatikan, do të shpallet Shenjte Nënë Tereza, themeluese e Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë, që e shkriu gjithë jetën për të varfërit, në Indi. Me këtë rast, vendi aziatik po përgatit edicionin e katërt të “Madre Teresa International Film Festival” , që do të nisë në Kalkutë, më 26 gusht, në përvjetorin e ditëlindjes së Shenjtores së ardhshme e do të përfundojë më 29.

Festivali organizohet nga Signis

Festivali organizohet nga Signis, organizëm ndërkombëtar katolik, e drejtohet nga Sunjl Lucas, që shpjegon: “Dëshirojmë të paraqesim filmat dhe dokumentarët më të mirë, që i kushtohen figurës së Nënë Terezës, Çmim Nobel për Paqen, 1979. E, duam ta sensibilizojmë opinionin publik si dhe njerëzit e veçantë, për veprën gati të pabesueshme të misionares shqiptare” - përfundon drejtori.

Dy parapremiera botërore në program

Ende në fazën e plotësimit, lista e filmave që do të marrin pjesë në Festival, por qëllimi i Signis është të ketë të paktën 20 filma në program. Ndërmjet tyre, dy parapremiera botërore: “Duaj, derisa të ndjehesh keq” dhe “Kujtimet e Nënës”. Në listë, edhe shumë dokumentarë, veç filmave artistikë, si “Në emër të të varfërve të Zotit”, me protagoniste Geraldine Chaplin, e bija e aktorit dhe regjisorit të famshëm të filmit pa zë, Charlie. Tepër i pritur, filmi “Nënë Tereza, trashëgimia e saj”, që përshkon kronologjikisht gjithë veprën e Shenjtores së ardhshme, përveç disa prej intervistave më të rëndësishme, dhënë në rrjedhë vitesh.

Edicionet e mëparshme të Festivalit

I mbështetur dhe i mirtauar nga kryedioqeza e Kalkutës, si dhe nga vetë Misionaret e Bamirësisë, Festivali kinematografik kushtuar Nënë Terezës u organizua për herë të parë në vitin 2003, menjëherë pas Lumnimit të Motrës misionare. Edicioni i dytë, më 2007, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës; ndërsa i treti, më 2010, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së  Rregulltares shqiptare.








All the contents on this site are copyrighted ©.