2016-08-21 14:08:00

Papa: porta e shëlbimit është e ngushtë, por gjithnjë e hapur për të gjithë


Shëlbimi i premtuar nga Jezusi nuk është “telenovelë”. Kërkon angazhim, për ta fituar, por me një siguri: sado e ngushtë të jetë porta për ta arritur, Zoti e mban gjithnjë të hapur në dy kanatat, me mëshirën e tij. Papa Françesku ia kushtoi, si gjithnjë, shpjegimit të Ungjillit të së dielës, katekizmin e mbajtur në lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit.

Nuk është çështje numrash, sa e bëjnë e sa nuk e bëjnë. E as çështje menteshash, që rrotullohen vetëm një herë e kush mbetet jashtë, është i dënuar. Papa kujton se për ta kuptuar faqen e sotme të Ungjillit - hyrjen nëpër portën e ngushtë - duhet ta lexosh me sytë e mëshirës. Aty është kyçi,  që na çon tek kuptimi i plotë i kësaj figure, përdorur nga Jezusi.

Mëshirë e pambaruar

Në Ungjillin e sotëm, Krishti i përgjigjet pyetjes, që ia drejton njëri, nësa ishte përudhë drejt Jeruzalemit: “Zot, a janë pak ata që shëlbohen?” (Lk 13.23). Zoti nuk përgjigjet drejtpërdrejt, por e zhvendos bisedën në një plan tjetër, duke folur gjithnjë me një gjuhë figurative. Përpiquni të hyni nëpër portën e ngushtë - i kujton bashkudhëtarit - sepse shumë, po ju them, do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. Nuk do të mundin, sepse është portë, që nuk kapërcehet lehtë”. Por, pohoi Papa:

“Porta është e ngushtë, jo sepse është ndrydhëse, jo; por sepse kërkon ta tkurrim e ta frenojmë krenarinë tonë, frikën tonë, për t’ia hapur zemrën Atij, përvujtërisht e plot me besim në Të, duke pranuar se jemi mëkatarë,  se kemi gjithnjë nevojë për ndjesën e Tij. Prandaj është e ngushtë: për ta tkurrur krenarinë tonë, që na bën të krekosemi. Porta e mëshirës së Zotit është e ngushtë, por gjithnjë e hapur në dy kanatat, e hapur për të gjithë! Zoti nuk zgjedh. Zoti i mikpret të gjithë, pa bërë kurrfarë dallimi”.

Të dalim nga zakonet e këqija

Françesku i përsëriti turmës fjalë, që janë arkitrau jo vetëm i Jubileut, por i gjithë shërbesës së tij papnore: “Jezusi e pret secilin nga ne, pavarësisht nga mëkatet, që kemi bërë, për të na përqafuar, për të na dhuruar faljen e Tij, me një rrymë të paprerë mëshire. Zoti na fton vazhdimisht të shkojmë tek Ai, ta kapërcejmë portën e jetës së përkryer, të  pajtuar e të lum:

“Duke hyrë përmes Portës së Jezusit, portës së fesë e të Ungjillit, ne mund të dalim nga sjelljet e botës, nga zakonet e këqija, nga egoizimi, nga mbylljet. Ku është lidhja me dashurinë dhe mëshirën e Zotit, aty është edhe ndryshimi i vërtetë. E jeta jonë ndriçohet nga drita e Shpirtit Shenjt, dritë e pashuar!”.

Shëlbimi është gjë serioze

Françesku i propozoi turmës të reflektojë një çast, në heshtje, për pengesat: egoizmin personal, mëkatet - që ta vështirësojnë kalimin e portës së shpëtimit - njëherësh me faktin se kjo portë është gjithnjë e hapur në kapak nga falja e Zotit. Prej këndej, përfundoi duke u ndaluar tek fjalët  e Jezusit, që na kujton se një një farë pike nuk do të mund të hyjmë më nëpër këtë portë:

“Kjo portë është rast, që nuk duhet humbur: nuk duhet të mbajmë fjalime akademike mbi shëlbimin (…). Sepse në një farë kohe ‘i zoti i shtëpisë do të ngrihet e do ta mbyllë këtë portë', siç na e kujtoi edhe Ungjilli. Por nëse Zoti është i mirë, nëse na do, pse e mbyll këtë portë në një shenjë kohe? Sepse jeta jonë nuk është videolojë, as telenovelë: jeta jonë është diçka serioze e objektivi që duhet arritur, shumë i rëndësishëm: shpëtimi i amshuar”.

T’i lutemi Virgjërës Mari - tha në përfundim Papa - të na ndihmojë ta shfrytëzojmë rastin që na dhuron Zoti për ta kapërcyer portën e fesë e për të hyrë në udhën e gjerë, në udhën e shëlbimit. Kjo udhë i zë të gjithë ata të cilët dinë të duan me dashurinë shëlbuese. Kjo dashuri bëhet, ende mbi tokë, burim lumturie për ata që, me butësi, durim e drejtësi e harrojnë krejt vetveten e u dhurohen tërësisht të tjerëve, posaçërisht njerëzve më të ligshtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.