2016-08-19 14:58:00

Selia e Shenjtë-OSBE: në luftëra, dinjiteti i grave fyhet nga dhuna seksuale


Dinjiteti dhe të drejtat e grave vijojnë të dhunohen edhe në ditët tona. Kështu u shpreh imzot Janusz Urbanczyk, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke folur në një sesion të Këshillit të Përhershëm të Organizatës kushtuar parandalimit  të dhunës seksuale mbi gratë, në rrethana lufte.

Plagë e rëndë, që vijon të hapet, dhunimi i grave gjatë konflikteve  të armatosura. Kjo, padia e imzot Janusz Urbanczyk. Gjatë viteve e situatave të ndryshme, shpjegoi prelati, gratë kanë dëshmuar se janë veprimtare jetike të ndryshimeve, të pajtimit e të rindërtimit në gjirin e familjeve të tyre, të bashkësive lokale, të vendeve të cilave u përkasin. E në këto situata, kanë luajtur një rol kyç në veprimtarinë për shmangien e rrezikut që shoqëritë të gremisen në agresivitet e në konflikte të armatosura. E megjithatë në disa vende, mbetet ende shumë për të bërë në mbrojtjen e të drejtave të tyre, siç nënvizon edhe Papa Françesku në Nxitjen apostolike “Amoris Laetitia”, kushtuar dashurisë në familje.

Papa Françesku i kundërvihet dhunës kundër grave

Papa - theksoi imzot Janusz Urbanczyk - i tregon me gisht ata, që i keqtrajtojnë gratë. E keqtrajtimin e quan turp. Edhe atëherë kur bëhet fjalë për dhunë në gjirin e familjes e, sidomos, për format e ndryshme të skllavërisë. Më shumë se shprehje e forcës mashkullore, keqtrajtimi është akt burracakësh të ulët, edhe atëherë kur dhuna ushtrohet me fjalë, me fyerje fizike a seksuale, që gratë i pësojnë në disa martesa, në kundërshtim me vetë natyrën e  jetës bashkëshortore.

Angazhimi i Selisë së Shentjë

Selia e Shenjtë, shpjegoi vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë OSBE-së angazhohet si në luftën dhe parandalimin e dhunës seksuale në konfliktet, duke i asistuar e njëkohësisht, duke i mbrojtur viktimat, ashtu edhe në marrjen e masave për t’i dhënë fund qëndrimit ndaj dhunuesve, që  nuk duhet t’i shpëtojnë në asnjë rast dënimit.

Barazi ndërmjet burrit e gruas

Lidhur me barazinë ndërmjet burrit e gruas, imzot Janusz Urbanczyk  kujtoi se Gjon Pali II, në Letrën drejtuar grave më 1995, flet për barazi  në punë, për mbrojtjen e nënave që punojnë, për të drejtën e karrierës, për barazi e të drjeta të barabarta ndërmjet burrit e gruas në gjirin e familjes.

Angazhim për barazinë

Selia e Shenjtë - shtoi vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë (OSBE) - i mbështet plotësisht angazhimet e Organizmit për ta siguruar këtë barazi e  për t’i përballuar diskriminimet. Prandaj, kujtoi, delegacioni i Vatikanit është gati të bisedojë lidhur me marrjen e një vendimi mbi integrimin e Planit të OSBE-së për promovimin e barazisë gjinore të 2004-ës, në atë masë, që të mund të kontribuojë për sigurimin e barazisë së vërtetë ndërmjet burrit e gruas, duke shtuar edhe se Selia Apostolike do të dëshironte që ky angazhim të mos pengohet nga “objektiva e interesa të tjera”, që do ta ngadalësonin marrjen e masave të nevojshme e të menjëhershme.








All the contents on this site are copyrighted ©.