2016-08-19 10:12:00

Në Mitingun e Riminit, mikpritja, mëshira e Nënë Tereza


Hapi portat sot e do t’i ketë të hapura deri më 25 gusht, Mitingu për miqësinë ndërmjet popujve, në Rimini. Tema e këtij viti është “Ti je pasuria ime”. Edicioni 2016 i kushton një hapësirë të madhe Nënë Terezës, në prag të shenjtërimit. Në mikrofonin tonë, kryetarja e Fondacionit të Mitingut, Emilia Guarnieri:

Titulli i sivjetëm “Ti je pasuria ime”, dhe dëshira për t’ia thënë kujtdo që do ta vizitojë Mitingun, është pikërisht pasqyrim i asaj mëshire të pakufishme, që Papa Françesku na e ripropozoi në këtë Jubile e nga e cila ndjehemi vërtet të përqafuar.

 Angazhimi për mikpritje bëhet diçka private, apo sjellje e  mirëfilltë shoqërore?

Sigurisht tema e mikpritjes, e hapjes së portave për të pritur tjetrin, emigrantin, e jo vetëm atë - është çështje që niset nga zemra e njeriut, por nëse nuk e bëjmë të shndërrohet në mënyrë për të ndërtuar jetën shoqërore, civile e politike, do të thosha edhe atë ekonomike, besoj se jemi të paracaktuar të vdesim. Evropa është e paracaktuar të vdesë, vendi ynë, të vdesë, sepse kemi lindur pikërisht për ta mikpritur njëri-tjetrin. Nëse e humbasim këtë virtyt, kemi humbur identitetin tonë si njerëz.

 Një nga synimet e Mitingut të sivjetëm është që të gjithë njerëzit të kuptojnë se tjetri duhet shikuar në një mënyrë të re….

Në një çast humbjeje të vlerave, edhe një gjest si Mitingu, ofron mundësinë për të mos u mbyllur brenda vetes, për t’u takuar me njerëzit, për të dëgjuar histori terroristësh e viktimash, për të njohur jetën e të burgosurve, që në Brazil jetojnë në një burg të hapur, për të dëgjuar dëshmitë e njerëzve, që jetojnë në situata persekutimi e që, duke e kapërcyer egoizmin, ngrenë sipërmarrje për t’u krijuar të rinjve mundësi për punë… Besoj se dëshmia pozitive njerëzore e gjithë këtyre ngjarjeve, mund të ndikojë për ta vënë në lëvizje njeriun dhe shoqërinë. Mund të kujtoj këtu dëshminë, që do ta dëgjojmë nga atë Trinchero, i cili jeton në Bangui, ku ishte Papa për të hapur Portën e parë Shenjte, dëshminë e imzotit Ballin, mëkëmbës në Arabi. Më pëlqen të kujtoi edhe katërshen  e Çmimit Nobel për Paqen të 2015-tës, kuartetin tunizian, sepse ia dolëm t’i kemi edhe ata mes nesh. Pastaj do të kemi një mori dëshmitarësh të mikpritjes, do të kemi kryebashkiakun e Lampeduzës, dëshminë e atë Luftisë nga Halebi, në se do t’ia arrijë të niset…

Ç’ndryshim ka pësuar lidhja ndërmjet Mitingut e politikës?

Në këto 37 vjet politika ka ndryshuar shumë. Mitingu nuk ka pasur kurrë lidhje të posaçme me politikën. Kemi kërkuar gjithnjë lidhje të veçanta me institucionet, kemi kërkuar njerëz, që të mësojnë si të jetosh, si të zësh vendin tënd në botë, në shoqëri e kështu, edhe në politikë. Këtë vit e hapim manifestimin me një takim kushtuar pikërisht 70-vjetorit të Republikës me presidentin Mattarella. E ftuam Kreun e Shtetit, për të na dokumentuar, për të na dëshmuar ç’do të thotë politikë në vendin tonë, sot, në kushtet ku jetojmë.

 Keni edhe një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, titulluar “Jeta, përshpirtëria e mesazhi”?

Po, natyrisht; ndërmjet tjerash, me reliket e saj, me saret e saj, me objektet që i përkisnin e që janë këtu – e këtë e them me emocion të thellë. E pastaj kemi edhe takimin përfundimtar të Mitingut, që i kushtohet pikërisht Nënë Terezës.








All the contents on this site are copyrighted ©.