2016-08-19 13:34:00

Mitingu i Riminit: “Dialog, identitet, hapje”


“Dialogu është çelësi i vetëm për të hapur një të çarë në zemrën njerëzore,  mbyllur nga pasiguria ekzistenciale, që të bën të kesh frikë nga tjetri”. E pohon Papa Françesku në Mesazhin dërguar Mitingut për miqësinë ndërmjet popujve, organizuar në Rimini nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”, me titull: “Ti je pasuria ime”.

Titull i guximshëm, shkruan Papa. Të thuash sot “ti je pasuria ime”, duket sikur stonon, e shumë madje, nësa bota sotme është e mbërthyer nga frika, ngre mure e jep kushtrimin “të shpëtojë kush të mundet, secili kokën e vet!”. Titull guximtar, përsërit Papa në mesazhin drejtuar  pjesëmarrësve të Mitingut të 37-të të Bashkim e Çlirim, sepse shkon në drejtim të kundërt,  si me prirjen e përgjithshme njerëzore, për të cilën shpesh të tjerët shikohen si diçka e tepërt, ose edhe më keq, e bezdisshme a pengesë, ashtu edhe me kuptimin e pasigurisë së epokës sonë, në të cilën paqja e siguria e kombeve edhe e popujve vijon të kërcënohet.

Kush mund ta shpëtojë vetëm vetveten?

Nëse bie në tundimin e individualizmit, kujton Françesku,  nis t’u shikosh të tjerëve vetëm kufizimet e të metat. E kjo e ligështon dëshirën dhe aftësinë për bashkëjetesë, ku secili mund të jetë i lirë e i lum, në shoqëri me të tjerët, me pasurinë e larmisë së tyre. Por përballë ndryshimeve të epokës, në të cilat kemi gisht të gjithë - pyet Papa – kush mund të mendojë të shpëtojë kokën e vet e vetëm me forcat e veta?

Askush nuk humbet përfundimisht

Ky - nënvizon - është pretendimi, nga i cili nisin të gjitha konfliktet ndërmjet njerëzve, pretendim që Ungjilli e përmbys, ngaqë - vijon Françesku - i krishteri e shikon gjithnjë tjetrin me zemër të hapur, mbasi mendon se askush nuk është i humbur, pa asnjë shpresë shpëtimi. E këtu Papa kujton shëmbëlltyrën e djalit plangprishës i cili, ndërsa kullot trishtueshëm derrat, i vetëdijshëm se e tradhtoi besimin e prindit, nuk e di se i ati ngjitet natë për natë në tarracë e shikon këndin e rrugës, në pritje që ai të rikthehet, pavarësisht nga të gjithë e nga gjithçka. Si do të ndryshonte bota jonë - brohoret Françesku - nëse kjo shpresë e pamasë do të bëhej lente, me të cilën njerëzit do ta shikonin njëri-tjetrin!

Dialogu, identiteti e hapja

Për ta jetuar këtë besim - kujton Papa - kemi një fjalë, që nuk duhet të lodhemi kurrë duke e përsëritur, e posaçërisht, duke e dëshmuar: “dialog”. E kjo, sepse dialogu na bën ta njohim të vërtetën e tjetrit, rëndësinë e përvojës së tij, interesat, edhe kur fshihen pas sjelljeve, që ne mund të mos na pëlqejnë. Dialogu është pasurim, jo varfërim - vijon të theksojë Françesku. - Sepse çdo takim përmban qartësinë e identitetit vetjak, por njëkohësisht,  gatishmërinë për t’u vënë në vendin e tjetrit, për të  hyrë në zemrën e tij e për të zbuluar të vërtetën e asaj, që kërkon.

Jo fuqia e sendeve, por butësia e dashurisë

Kjo është sfida, para së cilës ndodhen të gjithë njerëzit vullnetmirë, përfundon Françesku, që fton për t’i shikuar të gjitha tronditjet e kohës, në të cilat shpesh jemi dëshmitarë të pafuqishëm, si ftesë misterioze për të gjetur themelin e bashkimit ndërmjet njerëzve, për një fillestë re. Inkurajimi përfundimtar drejtuar pjesëmarrësve nga Papa është: “Jetë të palëkundur feje, bazuar mbi Sakramentet, shprehur me dëshmi krijuese, me vetëdijen se ajo që të tërheq, që të bën për vete e që i zgjidh zinxhirët, nuk është forca e mjeteve, po butësia ngulmuese  e dashurisë përdëllyese të Atit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.