2016-08-18 13:29:00

Moskë: lamtumirë Radës, bijë e Nikita Hrushovit


Rada Hrushova ishte një nga sovjetiket e para e cila, duke kapërcyer perden e hekurt, që kishte nisur të çahej, u takua me Papën Gjoni XXIII. E, në përfundim të audiencës, me një gjest që të kujtonte t’anë, i tha familjarisht: “Ju  keni duar fshatari, të mëdha e neje-neje, si duart t’im eti”. E po në përfundim të audiencës, Gjoni XXIII i tha sekretarit të tij, Loris Capovillës: “Mund të jetë zhgënjim i plotë, por edhe fill misterioz i Provanisë, që unë nuk kam të drejtë ta këpus”.

Historia e dëshmoi rëndësinë e këtij gjesti të papritur të “Diplomacisë së marrëdhënieve personale”. Papa nisi t’i shkrijë akujt me Kremlinin, pikërisht kur gruaja e re ruse u prit në Vatikan, së bashku me bashkëshortin, Aleksej Adjubei. Ndjekur me shpresa të mëdha nga banorët e varrosur për së gjalli në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, që rrinin gjithë natën me kokë mbi radio e që, edhe ata, nisën ta ndjejnë se diçka po lëvizte. Po thyheshin akujt. E po afrohej fryma e pranverës së pritur. Do të ishte zhgënjim? Apo fill misterioz i Provanisë, që s’duhej këputur - siç ishte shprehur Papa.

Më 13 gusht 2016, Rada, vajza e ish-liderit sovjetik Nikita Hrushov, vdiq në një spital  të Moskës, në moshën 87 vjeçare. Sa ujë ka rrjedhur që kur ishte në Vatikan, e deri më sot, kur emri i saj rikujtohet përsëri, duke na kthyer mbrapa në kohë.

“Për të shkrirë akullin e gjeopolitikës, duhet të ndërhynte buzëqeshja e Papës së Mirë - shpjegon historiani katolik, Giovagnoli. Ostpolitika përdorte levën e respektit për njeriun, duke i konsideruar komunistët si njerëz, jo si shprehje e një ideologjie ose e një lëvizjeje politike. Ndjenjat dhe lidhjet familjare i fashitën erërat e akullta të Luftës së Ftohtë”. Që aso kohe e më pas, diplomacia e Selisë së Shenjtë u afrua me Lindjen evropiane, duke hapur disa shtigje të reja lirie, pas dhjetra vjetësh shtypjeje të egër të Kishës e atyre që i qëndruan besnikë. Duke vënë në bazë të punës shprehjen e Papës Roncalli: “Të vlerësohet ajo, që na bashkon, jo ajo, që na ndan”.

Por, ta rikujtojmë  takimin e Gjonit XXIII me të bijën e kreut të Kremlinit, përmes tregimit të vetë Radës:

“Unë me t’im shoq ishim të pranishëm në dorëzimin e çmimit Balzan e, në përfundim të ceremonisë, u shoqëruam në Bibliotekën, ku po na priste Papa. Të asistuar nga një përkthyes, i dorëzuam një mesazh të babait tim, që i vlerësonte lart përpjekjet e Papës për paqen. E, si përgjigje, Papa më dha një letër, përmes së cilës uronte të bëheshin hapa të reja për afrimin e dy palëve”.

Me emocion, shkruhet në gazetën vatikanase, Rada kujton sesi edhe Gjoni XXIII e kishte vënë në dukje origjinën e përbashkët fshatare me atin e saj, e edhe përvojën e përbashkët dramatike të dy luftërave botërore. Pastaj kujton edhe sesi Papa deshi t’i dëgjonte nga goja e saj, emrat e të tre fëmijëve; Aleksei, Nikita “si gjyshi”, tha Papa; e Ivan, “domethënë Gjon, si unë”- shtoi.

Gjoni XXIII i dhuroi Radës një Rruzare e bashkëshortit të saj, medalje të Koncilit. Tre muaj më pas Roncalli vdiq e Hrushovi dërgoi një telegram, ku shprehte ngushëllimet më të ndjera. E premtonte: “Ta ruajmë kujtimin e tij të mirë”.

Koncili II i Vatikanit dhe Ostpolitik krijuan raste njohjeje personale, shembën muret e mosbesimit e të armiqësisë. Dy vjet më parë Rada u gëzua shumë kur mori vesh se Papa Françesku po e shenjtëronte Gjonin XXIII, burrin e madh, që i dha mundësinë njerëzve të asfiksuar, të merrnin frymë  më lirisht e të ëndërronin me sy hapur një botë pa kufoma në kufij! E Rada vijon: “E dinim se në Vatikan ishin dy fraksione, një në favor e tjetri kundër kërkesës sonë për një takim me Papën”. Fituan të parët. Ishte një dorë e shtrirë kundër logjikës së blloqeve, që i kundërvihen njëri-tjetrit, e kështu, edhe mbarë njerëzimit.

Në përfundim, vijojnë kujtimet e së bijës së carit  të kuq, Papa na shoqëroi deri te porta. Atë, që ndodhi më pas, e dini të gjithë. Roma - Moska! Ngrohtësia e kuzhinës së shtëpisë, në vend të klimës së akullt të kancelarive!








All the contents on this site are copyrighted ©.