2016-08-17 15:16:00

Papa priti sot pasdite Presidentin francez Hollande


Sot pasdite Papa Françesku priti, në studion e Sallës Pali VI, Presidentin e Republikës franceze, François Hollande. Ishte vizitë private. Kreu i Elizeut shoqërohej, ndërmjet tjerëve, nga Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve si dhe nga ambasadori francez pranë Selisë së Shenjtë, Philippe Zeller. Në përfundim të ceremonisë së shkëmbimit të dhuratave, takimi me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, në Lozhën e parë.

Pas vrasjes barbare të meshtarit të motuar Jacques Hamel, që u ther në fyt korrikun e kaluar nga dy terroristë të rinj francezë me origjinë magrebine, ndërsa po kremtonte Meshën shenjte në famullinë e Saint-Ettienne-du-Rouvray, në Normandi, Hollande i pati telefonuar Papës për t’i shprehur afërsinë e tij. E Françesku, nga avioni që fluturonte drejt Polonisë, për DBR-në e Krakovit, e pati falënderuar që e ngushëlloi, si vëlla. “Kur sulmohet një prift - tha Hollande - goditet mbarë Franca”, duke nënvizuar  edhe se “do të bëhej ç’ishte e mundur për t’i mbrojtur kishat e Francës”.

Zgjati  rreth 40 minuta biseda e sotme private e Papës Françesku me presidentin francez François Hollande në studion e Sallës Pali VI, në Vatikan. “Katolikët u vunë në një sprovë shumë të rëndë me vrasjen e atë Hamel- theksoi kreu i Elizeut - por të gjithë francezët treguan se janë shumë të ndjeshëm ndaj fesë katolike e se Franca, përtej feve të shumta që praktikohen në vend, deshi të shprehë gjithë simpatinë e mundshme ndaj veprimtarisë së Papës. Kur vritet një klerik, dhunohet vetë Republika, që kujdeset për të gjitha kultet. Republika e ka për detyrë të mbrojë lirinë për të besuar e edhe për të mos besuar, të të gjithë atyre, që jetojnë në Francë e dëshirojnë ta praktikojnë fenë e tyre. Mesazhi i laicitetit francez, nuk është mesazh që ndan, përkundrazi, që bashkon”.  Këtë theksoi presidenti Hollande i cili, më pas, vizitoi edhe Kishën e francezëve, kushtuar Shën Luigjit, ku nderoi viktimet e terrorit.

Nuk është hera e parë që Papa e pret Presidentin Hollande në Vatikan.

Presidenti francez është takuar me Atin e Shenjtë edhe më 24 janar të vitit 2014. Gjatë bisedimeve - sqaronte komunikata e Sallës vatikanase të  Shtypit - u theksua kontributi i fesë për të mirën e përbashkët dhe u pohua “angazhimi për të vijuar dialogun reciprok ndërmjet shtetit dhe Kishës katolike si dhe për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve me interes të përbashkët. Në bisedimin lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të njeriut, u prekën disa argumente të aktualitetit, si ai  familjes, i bioetikës, i respektit për bashkësitë fetare dhe i mbrojtjes së vendeve të kultit. Më pas, biseda rreth temave me karakter ndërkombëtar, si varfëria, zhvillimi, emigrimi e ambienti, duke u ndalur posaçërisht tek konfliktet në Lindjen e Mesme e në disa zona të Afrikës e duke uruar që në vendet, të cilat vuajnë, të rivendoset sa më shpejt bashkëjetesa paqësore, përmes dialogut e me pjesëmarrjen e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, duke i respektuar njëlloj të gjithë, posaçërisht pakicat etnike e fetare.

Lidhur me këtë, në një konferencë shtypi, Hollande pati theksuar se “Franca është mobilizuar që të krishterët të mbeten atje ku kanë jetuar në shekuj e të mos detyrohen të marrin rrugën e mërgimit. Të krishterët e Lindjes duhen mbrojtur kudo që të jenë” - pati shtuar Presidenti i Francës.








All the contents on this site are copyrighted ©.