2016-08-12 14:48:00

Mobilizohen Karitaset e botës: solidaritet për sirianët


Në Siri, e posaçërisht në Halebin e martirizuar, vijojnë ndeshjet, pavarësisht nga armëpushimi prej tri orësh në ditë, i njoftuar nga Rusia.  Armëpushim, ky, që OKB-ja e vlerëson si të pamjaftueshëm. Ndërkaq, sipas të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, de Mistura, mendohet se qyteti duhet të ketë pësuar një sulm kimik.

Armëpushimi nuk zgjat. Në Haleb ndeshjet ndërmjet grupeve rebele dhe forcave qevritare, pavarësisht nga ndalimi i zjarrit, vijojnë. E konfirmon këtë lajm atë al Sabagh, famullitar i sektorit lindor të qytetit, nën kontrollin qeveritar. Moska, ndërkaq, njofton se ka shkatërruar një fabrikë armësh kimike të Isisit, në Raqqa, ku thuhet se u vranë më se 30 vetë, xhihadistë e civilë. Ndërkaq, sipas të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, de Mistura,  vërtetohet me prova goditja e Halebit nga sulmi kimik. Qyteti ndodhet në një situatë të frikshme. Armëpushimi prej tri orësh në ditë, shpallur nga Rusia për lehtësimin e arritjes së ndihmave të domosdoshme, pa të cilat jeta në vend do të merrte fund, gjykohet si i pamjaftueshëm nga OKB-ja: për ta lehtësuar popullsinë, që ndodhet vërtet në kushte tragjike, mbetur pa ushqim, pa ujë, pa dritë, do të duheshin të paktën 48 orë armëpushimi.

Tri orë armëpushim nuk mjaftojnë, ngulmon OKB-ja. E Karitasi, i angazhuar në nivel ndërkombëtar, e konfirmon këtë. Folëm me Paolo Beccegato, drejtor i  sektorit ndërkombëtar të Karitasit italian:

Përgjigje: - Nuk kemi pushuar së kërkuari të marrë fund kjo lufë, që nuk ka kurrfarë kuptimi. Françesku bëri përsëri thirrje për paqe në Siri, i mbështetur nga Caritas Internationalis, që kërkon tri gjëra: armëpushim të menjëhershëm në të gjithë vendin, sepse faktikisht armëpushimi tri orësh nuk respektohet nga ata, që e nënshkruan; së dyti, korridoret humanitare  në hyrje e në dalje; e së treti, për ne pika më e rëndësishme, ajo e lutjes që mbarë bashkësia ndërkombëtare të mobilizohet me të gjitha forcat për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Pyetje: - Në videomesazhin e tij, Papa thotë: “T’i bashkojmë forcat në të gjitha nivelet”. A mund të themi se Karitasi po i përgjigjet pikërisht kësaj thirrjeje të Papës?

Përgjigje: - Po, ne punojmë nga poshtë, duke e mbështetur Karitasin e Sirisë dhe realitetet e tjera, që punojnë në gjirin e popullsisë. Popullsia nuk është vetëm viktimë, por edhe në një farë mënyre, e manipuluar. Marrja në shënjestër e të miturve, e grave, e popullatës civile, përdoret si mënyrë për ta vijuar luftën, e kjo është e papranueshme në të gjitha këndvështrimet, posaçërisht në atë njerëzor.

Pyetje: - Fondi i emergjencës është gjë e re, që lidhet posaçërisht me  këtë çast? Ju, si kontribuoni e ç’keni bërë deri tani?

Përgjigje: - Karitas Siria po kërkon të mbledhë një fond emergjence, e ne e pranuam këtë ide, për të ndihmuar posaçërisht qytetin e Halebit, ku janë vënë në shënjestër deri spitalet. E ky fond po mblidhet edhe me kontributin e të gjitha Karitaseve të botës, për ta furnizuar, pastaj, popullsinë me ushqim, për të siguruar ndihmën shëndetësore, vijimin e shkollës, strehimin, mbrojtjen e popullsisë civile. Natyrisht nuk mjafton ndihma nga jashtë: nëse, pastaj, nuk ia dalim ta shpërndajmë ditë për ditë, të gjitha operacionet bllokohen. Kështu kërkohen ditë për ditë kanalet e mundshme për ta ndihmuar popullsinë.

Pyetje: - A e keni vërejtur peshën, që ka zëri i Papës në këtë situatë?

Përgjigje: - Ne e kemi perceptuar se ka peshë të madhe, se ndikon fuqimisht si mbi popullsinë - për të cilën është zëri i vetëm, që i thyen, në një farë mënyre, skemat e deritanishme - ashtu edhe mbi ata, që janë në krye të punës, sepse të vetëdijshëm për situatën, mbasi kjo nuk është luftë në Siri, është luftë ndërkombëtare, në të cilën ngatërrohen shumë fuqi të mëdha. Problemi është bllokimi i plotë, e rrugëzgjidhja, zhbllokimi i situatës. Ky, që nuk po zgjidhet që prej gjashtë vjetësh. E, në mars të vitit të ardhshëm do të përkujtojmë një përvjetor tjetër të luftës më barbare, më njerivrasëse, që u luftua ndonjëherë në botën bashkëkohore!








All the contents on this site are copyrighted ©.