2016-08-11 14:31:00

Papa Françesku e kalon drekën me refugjatët sirianë


Papa Françesku e kaloi sot drekën në Shtëpinë e Shën Martës, me një grup prej 21 refugjatësh sirianë, që strehohen nga Bashkësia e Shën Egjidit. Në komunikatën për shtyp, zëdhënësi i ri i Vatikanit, Greg Burke, sqaron se sirianët kanë ardhur në Itali, pas vizitës së Papës në Ishullin Lesbos në Greqi. Grupi i parë pati ardhur pikërisht me avionin e Atit të Shenjtë, më 16 prill; i dyti, në gjysmën e qershorit.

         Familjet siriane patën mundësi të flisnin sot në sofër me Papën. Fëmijët i dhuruan vizatimet e tyre, ndërsa Ati i Shenjtë u dha lojra e dhurata të tjera.

         Ishin të pranishëm Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Angelo Becciu; prof. Andrea Riccardi, themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, së bashku me anëtarë të tjerë të saj; komandanti i Xhandarmërisë së Vatikanit, Domenico Giani dhe dy xhandarë, që patën ndihmuar në transferimin e familjeve nga ishulli Lesbos në Itali.








All the contents on this site are copyrighted ©.