Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Jeta e Shën Kiarës, e lexuar në një pikturë

Pala e Shën Kiarës - RV

11/08/2016 14:37

Gjithë jetën e Shën Kiarës së Asizit (lindur më 16 korrik 1194 e vdekur më 11 gusht 1253 në Asizi) bijë e Favorino Sciffit e Ortolanës d’Assisi, mund ta sodisim në njërën prej pikturave më të lashta, që i është kushtuar. Njihet me emrin “Pala e Shën Kiarës”, e është realizuar në vitin 1283, nën papninë e Papës Martini IV, sipas shënimit që lexohet te këmbët e shenjtores. Përmasat e kuadrit drejtkëndësh janë vetëm 276x163, e megjithatë zënë një jetë të tërë, që u shkri  nga dashuria për Krishtin.

Ikona ndahet në tri pjesë, nga dy kolona të pikturuara, mbi të cilat duken dy harqe. Në trekëndshat, që formohen, sodisim dy engjëj në fluturim.

Duket si të ishte një tabernakull me sportele, me pjesën qendrore të zënë nga një skulpturë e rreme prej druri polikrom e dy krahë stolisur me episode nga jeta e Shenjtores, këmbët e së cilës mbështeten mbi bazamentin e pikturuar mbi fundin e praruar e aureola mbulon pjesërisht harkun, që duket si të ishte në reliev.  Piktura duket si të kishte dy dyer, për të hyrë në jetën e Shën Kiarës. Në të dyja anët pikturohen tetë episodet kryesore të jetës së Saj, duke u nisur nga e majta poshtë:

I hapim sportelet, e para syve tanë rifillon të jetojë një nga Shenjtoret më të njohura të Kishës katolike që, bashkë me Shën Françeskun, e bënë të njohur në mbarë botën Asizin me kishat e tij mistike.

Hyjmë në pikturë dhe jetojmë të Dielën e  Larit të vitit 1212, kur shoqet e Kiarës shkojnë drejt elterit për të marrë palmën. Shoqet po, por jo Kiara që  tepër e përvuajtur, rri si e ngrirë në vendin e vet. E ja se ipeshkvi e shikon, zbret nga elteri e ia vë ai vetë palmën në duar. Kjo, pamja e parë e pikturës.

Pamja e dytë na çon  në natën e mëpasme. E shikojmë Kiarën duke ikur nga shtëpia e kamur atërore, për të arritur në Porciunkola, pikërisht në atë kishëz, që e vizitoi këto ditë Papa. E këtu, e shoqëruar nga disa mikesha, pritet nga Françesku e fretërit e tij, që luten nën dritën e pishtarëve.

E shikojmë, pastaj, në pjesën  e tretë të pikturës, gjunjëzuar para elterit, ku lë veshjen e saj gjithë qindizma e stoli të arta, për të veshur e para zhgunin e murrët françeskan. Françesku i afrohet e ia pret flokët e gjatë, që si suvalë i derdhen supeve të fildishta.

Po ndërkaq në pikturë duken xhaxhai i Kiarës, Monaldo që, së bashku me familjarët e tjerë, kërkon ta largojë nga  manastiri i benediktineve të Shën Palit,  ku e ka strehuar përkohësisht Françesku. Kjara kapet pas parmakut të elterit e, duke flakur tutje velin, tregon kokën e rruar, pa asnjë fije floku, në shenjë përvujtërie.

Vijojmë ta rijetojmë jetën e Shenjtores duke hyrë në pamjen e pestë, ku e motra, Anjeze, me disa të afërm, të tërbuar në kulm, bëjnë çmos ta shkulin që aty. I ungji, Monaldo, ngre grushtin për ta goditur, po grushi i mbetet përpjetë. Nuk mund ta ulë më. I paralizohet.

Nis, pastaj, historia e Shën Damianit, e varfërisë së plotë, me rrëfimin e një dite, kur në manastir kishte vetëm një copë bukë, të cilën Kiara e pret për gjysëm. Gjysma për fretërit, gjysma tjetër, e ndarë në tetë pjesë, për motrat.

E kështu e ndjekim jetën e kësaj Shenjtoreje të mirënjohur, si na e përshkroi me ngjyra mbi një copë dërrasë, piktori i moçëm, deri në orën e vdekjes, kur njëra nga motrat vegon Mbretëreshën qiellore duke hyrë në dhomë e duke e veshur të vdekurën me një petk tejet të bukur, që s’ishte parë kurrë.

E, së fundi, shikojmë si përhapet lajmi i vdekjes së Shën Kiarës, ndjekim turmën, që turret nga qyteti drejt Shën Damianit, marrim pjesë në funeralin kremtuar nga Papa Inoçenci e kardinajtë e Kuries.

Shën Kiara është e gjallë në këtë pikturë. Mjafton të vizitosh Asizin, për ta rijetuar jetën e saj, e jetë të tjera françeskane, që rrojnë në mure, në dërrasa e pëlhura e në zemrat e pasardhësve, si të ishin gjallë! E për të na kujtuar se shenjtorët jetojnë mes nesh, në forma nga më të ndryshmet e vijojnë të na flasin…

11/08/2016 14:37