2016-08-06 16:48:00

71-vjetori i Hiroshimës. Turkson: pranë viktimave të luftërave e terrorizmit


Lutje e solidaritet konkret për viktimat e bombave atomike, të luftërave dhe të terrorizmit. Ky, mendimi i kardinalit Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”, në mesazhin e shkruar me rastin e 71-vjetorit të shpërthimit të bombës atomike mbi Hiroshimën. Në qytetin japonez, si çdo vit, një kremtim solemn përkujtoi tragjedinë e tmerrshme, që shkaktoi vdekjen e 140 mijë njerëzve.

Ishte ora 8.15 e datës 6 gusht 1945. Orë që mbeti në histori. Ora tragjike e  shpërthimit më të hatashëm, dëgjuar gjatë gjithë luftës botërore. 90 mijë vetë të kthyer menjëherë në hi e pluhur. Mijëra të tjerë, të vdekur me tmerr  në muajt e vitet, që pasuan. 90% e Hiroshimës, bërë rrafsh me tokë.

Përkujtim në Hiroshimë

Me bombën tjetër, shpërthyer në Nagasaki më 9 gusht, merrte fund edhe Lufta II Botërore e niste ngarendja e dy superfuqive, SHBA-së e BRSS-së në garën për prodhimin e bombave me një fuqi shkatërruese, që nuk ishin parë kurrë ndonjëherë në historinë e njeriut mbi tokë. E sot, pikërisht në orën 8.15, mbi Hiroshimën ra përsëri heshtja. Vetëm një minut. Pasuar nga urimi i kryebashkiakut të qytetit martir, Kazumi Matsui i cili, në 71-vjetorin e ngjarjes tragjike, në praninë e 50 mijë japonezëve dhe të përfaqësuesve të 91 vendeve, mbledhur në Parkun Memoriali i Paqes, theksoi se shpreson që një numër gjithnjë më i madh krerësh të shteteve,  nga mbarë bota, do të japin kontributin e tyre për zhdukjen e arsenaleve bërthamore.

Turkson: lutemi për viktimat e luftërave dhe të terrorizmit

Ndjenja të shprehura edhe nga kardinali Turkson, në mesazhin e rastit, lexuar nga ati jezuit Michael Czerny, i dërguar i dikasterit të Vatikanit, i cili kremtoi një Meshë në Katedralen e Hiroshimës. Kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes  rikujton fjalët e Palit VI - që, pikërisht më 6 gusht të vitit ’78, shuhej në Castel Gandolfo – kur, në nëntor të vitit 1965, duke folur në OKB, pati shqiptuar me forcë frazën e famshme, për t’u mbajtur mend: “Jo njëri kundër tjetrit, jo më, kurrë më!”. Të inkurajuar nga i Lumi Pali VI, shton kardinali Turkson, lutemi e veprojmë në solidaritet me viktimat e bombave atomike dhe të të gjitha luftërave e  terrorizmit në botë.

Të rizbulohet falja, në Vitin Shenjt

Në Vitin Shenjt, e në ditën kur Kisha kremton Shndërrimin e Zotit, mëshira e Hyjit - shkruan akoma kardinali Turkson – na frymëzoftë, na mësoftë e na priftë! E, në përfundim, urimi që hiri i faljes, i pajtimit, i solidaritetit dhe i shpresës ta prekin çdo zemër, çdo bashkësi e çdo grup shoqëror, që takojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.