2016-08-05 15:15:00

Papa: urime atletëve të Rios, jini lajmëtarë të vëllazërisë


Hapet sonte, në orën një me orën evropiane, perdja e Olimpiadës së Rio-de-Zhanéjros. Papa Françesku uron që Lojërat Olimpike të jenë një çast paqeje  e tolerance. Sot, në një tweet, në faqen e internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë, shkruan: “I uroj atletët e #Rio2016! Të jeni gjithnjë lajmëtarë të vëllazërimit dhe të frymës së vërtetë sportive”.

Ngjarje botërore që, përmes gjuhës universale të sportit, synon të  promovojë idealet e pajtimit e të vëllazërisë. Papa Françesku uroi, të mërkurën  e kaluar, në audiencën e përgjithshme, që Lojërat Olimpike të jenë çast paqeje e tolerance.

Ceremonia e hapjes, në stadiumin Maracanà, në praninë e 80 mijë shikuesve, do të nisë në orën 20.00 me atë vendase. Të bëjnë përshtypje, numrat  e edicionit XXXI të Lojërave Olimpike. Në Olimpiadën e parë të Jugut amerikan,  do të jenë të pranishëm 10 mijë atletë, që përfaqësojnë 200 vende. Njeriut-legjendë të futbollit, brazilianit Pelè, sipas burimeve të shtypit, iu besua çasti i madh i ndezjes së pishtarit olimpik. Delegacioni  i parë, që do të parakalojë, do të jetë ai i Greqisë, vendi i zanafillës së Lojërave Olimpike – i fundmi, i Brazilit. Për herë të parë merr pjesë në Lojërat Olimpike edhe kombëtarja e refugjatëve.

Siguria i është besuar 85 mijë njerëzve.

Nga Rusia do të jenë të pranishëm 271 atletë.

Në Afrikë, deri më sot, nuk është organizuar asnjë Olimpiadë. E pra, është një nga Kontinentet, që në olimpiada ka fituar më shumë medalje. Fama e Kontinentit të zi në Olimpiadat lidhet kryesisht me Abebe Bikila-n, atlet etiop,  që pati fituar maratonën në Lojërat Olimpike të Romës.

Delegacioni palestinez

Në Olimpiadë duhet të shpaloset edhe flamuri palestinez. Po Komiteti olimpik palestinez akuzon autoritetet e Izraelit për ndalimin në doganë të të gjitha bagazheve. Me ta, edhe flamuri!

Dy skuadra shqiptarësh

Shqiptarët do të paraqiten në Lojrat Olimpike me dy skuadra: e Shqipërisë dhe e Kosovës. 6 atletë shqiptarë e 8 kosovar.

Olimpiada, rast për shpengim

Ndërmjet dritës së ngjarjeve sportive, që thith interesin e gjithë botës, e të hijeve të një vendi, që vijon të shtypet nga kriza, Olimpiada mund të jetë rast i përshtatshëm që Brazili të hapë një faqe të re të historisë së tij. Të çelë një rrugë të re zhvillimi. E po kështu edhe sporti, ende tepër shpesh i plagosur nga dopingu e nga logjika e biznenesit.

Mos harroni, pra. Takimi i parë me Olimpiadën, sonte, mbas mesnate. Për të vijuar, pastaj, deri më 21 gusht! 








All the contents on this site are copyrighted ©.