2016-08-03 13:38:00

Olimpiada e Rios: të premten, ceremonia e hapjes


Të premten - kur në Shqipëri e trevat shqiptare rreth saj do të jetë ora 1.00 e së shtunës - do të hapen Lojrat Olimpike të Rio-de-Zhanejros, në Brazil. Në to marrin pjesë atletë nga 208 vende të botës, që do të zhvillojnë gara në 34 disiplina të ndryshme sportive. Ndër ta, edhe atletë nga Shqipëria e Kosova. Edicioni i 31-të i Olimpiadës do të jetë, pa dyshim, rast takimi për të rinjtë me kultura e fe të ndryshme, siç shpjegon, në mikrofonin tonë, teologu italian, don Leonardo Biancalani, vëzhgues i kujdesshëm i panoramës sportive botërore:

         Unë besoj se sporti ka akoma në vetvete – përtej interesave e biznesit – atë vëllazëri e atë universalitet, që vërtet mund të bashkojë popujt e kombet, pavarësisht nga feja e nga opinioni personal. Sporti e ka këtë aftësi për të bashkuar thellësisht. Prandaj, Olimpiada i tërheq njerëzit edhe sot.

         Por këto Lojra zhvillohen në një vend, që po kalon një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Në këto raste, shpesh, shpenzimet i kapërcejnë fitimet e tani janë shtuar edhe më, me problemin e terrorizmit…

         Nëse objektivi është ta bëjmë të njohur një vend të caktuar, të japim një pamje të bukur të tij, atëherë po, ia vlen të zhvillohen. Nëse objektivi është biznesi, del me xhepa të shkundur, sepse në krahasim me të kaluarën, shpenzimet për sigurinë e për të tjerat janë trefishuar. Disa atletë, që njoh e që ndodhen në Rio, më thanë se në dukje, atmosfera është e qetë, por zemrat dridhen pak nga frika, për shkak të terrorizmit. Shpresojmë të mos ndodhë asgjë, por ka pak frikë për sigurinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.