2016-08-01 09:51:00

Papa në avion: nuk është e drejtë të identifikohet islami me dhunën


Papa Françesku, në shtegtimin e kthimit drej Romës, mbajti konferencën e zakonshme të shtypit me gazetarët, që e shoqëronin: përveç DBR-së dhe Polonisë, foli për Islamin, Turqinë, Venezuelën... Po japim përmbledhtas përgjigjet e Papës.

Islami e dhuna

Nuk më pëlqen të flas për dhunën islamike, sepse ditë për ditë, kur shfletoj gazetat, ndeshem me dhunën: këtu, në Itali; ky vret të fejuarën, ai tjetri vjehrrën… E këta janë katolikë, të pagëzuar, eh? Katolikë të dhunshëm! E nëse unë do të doja të flisja për dhunë islamike, do të më duhej të flisja më parë për atë katolike. Jo të gjithë islamikët janë njerëz dhune. Në të gjitha fetë ka edhe njerëz të dhunshëm. Ka një grup të vogël fundamentalist. Ne e kemi. E kur fundamentalizmi arrin të vrasë - me armë a me gjuhë - e këtë e thotë Shën Jaku Apostull, jo unë - e edhe me thikë - besoj se nuk është e drejtë, as e vërtetë të njëjtësohet islami me dhunën. Pata një dialog të gjatë me Imamin e Madh të Universitetit të Al-Azhar-it dhe e di ç’mendojnë ata: kërkojnë paqen, takimin. Kur isha në Afrikën Qendrore, shkova tek ata e edhe imami hipi në papamobil. Mund të bashkëjetohet mirë. Por janë edhe grupe fundametaliste. E unë nuk mund të mos pyes sa të rinj - sa të rinj - ne, evropianët, i kemi lënë bosh, pa ideale, pa punë, e pastaj shkojnë tek droga, alkooli e shkojnë e rekrutohen nga grupet fundamentaliste. Po, mund të themi se i ashtuquajturi Isis është shtet islamik, që paraqitet si i dhunshëm, sepse kur na paraqet kartën e tij të identitetit, na e tregon me pamjen e bregut libik, ku pat therur egjiptianët e edhe të tjerë. Por nuk mund të thuhet, e besoj nuk është e vërtetë, nuk është e drejtë, se islami është terrorist.

Terrorizmi

Terrorizmi është kudo! Të mendojmë për terrorizmin e disa viseve fisnore afrikane…Terrorizmi - nuk e di a ta them, sepse është pakëz e rrezikshme – rritet, kur nuk ka mundësi të tjera. Kur në qendër të ekonomisë botërore është paraja, jo njeriu - burri e gruaja - ky është terrorizmi i parë. E shkele me këmbë mrekullinë e Krijimit, burrin e gruan, e, në vend të tyre, vure paranë. Kjo është baza e terrorizmit. Ta mendojmë!

Situata në Turqi

Kur duhej të thosha ndonjë gjë, që nuk i pëlqente Turqisë, por për të cilën isha i sigurt, e thashë, me pasojat që ju i dini. I thashë ato fjalë… Isha i sigurt. Nuk fola, sepse nuk jam ende i sigurt me informacionet, që kam. Nuk e di ende me siguri se ç’po ndodh atje. Dëgjoj informacionet, që arrijnë në Sekretarinë e Shtetit, e edhe ato të ndonjë analisti të rëndësishëm politik. Po e studioj situatën edhe me këshilltarët e Sekretarisë së Shtetit, por situata nuk është ende e qartë. Vërtet se duhet t’ua shmangim të keqen katolikëve, por gjithnjë me çmimin e së vërtetës. Eshtë virtyti i urtisë… Por, në rastin tim, ju jeni dëshmitarë se kur u desh të them ndonjë gjë  për Turqinë, e thashë.

Ndërmjetësimi i mundshëm i Vatikanit për Venezuelën

Lidhur me Venezuelën pata, dy vjet më parë, një takim me presidentin Maduro, shumë, shumë pozitiv. Pastaj ai kërkoi audiencë vitin e kaluar. Nuk mundi të vinte, se ishte i sëmurë. Pastaj patëm kontakte të tjera për një takim të ri, të mundshëm. E besoj se në në grupin e ndërmjetësimit,  dikush - e nuk e di në se edhe qeveria  - dëshiron një përfaqësues të Selisë së Shenjtë.

Shpërdorimet mbi të miturit: akuza për kardinalin Pell në Australi

Njoftimet e para, që erdhën, ishin të ngatërruara. Lajme për ngjarje të ndodhura 40 vjet më parë, të cilave nuk u kishte kushtuar vëmendje as policia. Pastaj të gjitha paditë u paraqitën para drejtësisë e në duart e saj janë dhe në këtë çast. Nuk duhet të gjykojmë, para se të gjykojë drejtësia. Po të jepja një gjykim për ose kundër kardinalit Pell, nuk do të ishte punë e mirë, sepse gjykim i parakoshëm. Të presim drejtësinë e të mos japin gjykime mediatike, sepse kjo nuk e ndihmon askënd. Gjykimi i përgojimeve... e pastaj nuk i dihet si përfundon. Sapo të flasë drejtësia, do të flas edhe unë!

Dialogu me të rinjtë

Më pëlqen të flas me të rinjtë. E më pëlqen edhe t’i dëgjoj. Gjithnjë më vënë në pozita të vështira, sepse më thonë gjëra, që nuk i kam menduar, ose i kam menduar përgjysëm. Të rinjtë e shqetë, krijues.. më pëlqejnë e prej tyre e marr këtë gjuhë. Ata janë ardhmëria jonë e duhet të dialogojmë. Dialog ndërmjet së kaluarës e së ardhmes. Për t’u dhënë përvojën tonë, që ta marrin e ta çojnë përpara me guximin e së sotmes. “Po këta të rinj thonë marrëzira!”. Po pse, a nuk themi edhe ne një mori marrëzirash? Të rinjtë thonë marrëzi e thonë edhe urti: si ne, si të gjithë. Po duhen dëgjuar, sepse duhet të mësojnë nga ne. Kështu bëhet historia e kështu rritet, pa mbyllje, pa cenzura.

Takimi me Poloninë

Ishte një Poloni e posaçme, sepse përsëri e pushtuar, por këtë herë nga të rinjtë, apo jo? Krakovin e pashë vërtet të bukur. E polakët, tejet entuziastë.

DBR-ja e ardhshme, në Panama

Nuk e di nëse do të jem, por do të jetë Pjetri… Dëshiroj të përgatiteni mirë, me të njëjtën forcë, me të njëjtën përshpirtëri e të njejtën thellësi, me të cilën u përgatitën polakët, banorët e Krakovit, të gjithë polakët.

Rrëzimi gjatë Meshës në Jasna Gora

Unë po shikoja Zojën, e harrova shkallën… Kisha kemtarin në dorë e aty, kur e ndjeva se po bija, e lëshova veten e rashë, e kjo më shpëtoi. Do të kishte qenë më keq po të kisha rezistuar. Nuk ndjej asgjë, jam fare mirë!

Gjatë konferencës së shtypit, Papa shprehu edhe dhimbjen për vdekjen e papritur, në Krakov, pikërisht në këto ditë, të së dërguarës së Rai, Anna Maria Jacobini. Dje – kujtoi - prita motrën e saj e nipat. Gjë e trishtuar në këtë shtegtim. E pastaj falënderoi atë Federico Lombardin, i cili dje jetonte ditën e fundit si drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit pas dhjetë vjet shërbimi, e dhe Mauron, të ngarkuarin me bagazhet, që e lë shërbimin pas 37 vjetësh.








All the contents on this site are copyrighted ©.