2016-08-01 11:19:00

Atë Lombardi: nga DBR-ja, mesazhi i besimit të madh për ardhmërinë


Papa Françesku e përfundoi shtegtimin në Poloni. Avioni papnor nisi fluturimin nga aeroporti i Krakovit rreth orës 19.30, gati me një orë vonesë, për të prekur tokën e aeroportit romak të Fiumicinos, rreth orës 21.35. Për një bilanc të shkurtër të shtegtimit, posaçërisht për Ditën Botërore të Rinisë në Krakov, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi, i cili sot, 1 gusht, e lë detyrën si zëdhënës i Vatikanit:

Përgjigje: - Shtegtimi më duket se pati sukses të madh, sepse ishte sukses i Ditës Botërore të Rinisë, e cila iu përgjigj plotësisht asaj, që pritej, si për numrin e të rinjve të pranishëm, ashtu edhe për atmosferën në të cilën u zhvillua e për mesazhin që jep, mesazh besimi e shprese të madhe për ardhmërinë, në një kohë që ka shumë nevojë për mesazhe të tilla. Kjo ishte përmasa qendrore e shtegtimit të Papës. Ishte arsyeja e tij. Por - siç e dimë - pati edhe dy aspekte të tjera, edhe ato, jashtëzakonisht të rëndësishme: takimin me popullin e Polonisë, me kremtimin e 1050-vjetorit të Pagëzimit dhe vizitën në Auschwitz.

Pyetje: - Si e pritën polakët Papën?

Përgjigje: - Papa u prit vërtet shumë mirë nga polakët që, natyrisht, ruajnë kujtimin e pashlyeshëm të Gjon Palit II, por që shikojnë në të, vazhdimësinë e mesazhit, jo vetëm të shërbesës papnore, por edhe të mesazhit të mëshirës, një nga karakteristikat kryesore të Papnisë së Gjon Palit II, posaçërisht me frymëzimin nga tema e mëshirës, që e gjeti këtu, në Krakov, në traditën e Shën Faustinës e të devocionit të mëshirës.

Pyetje: - Shumë të bukura, fjalët e fundit të Papës, drejtuar lirisht, jashtë tekstit zyrtar, vullnetarëve të DBR-së…

Përgjigje: - Po. Më duket se qe një sintezë e bukur e ditës së djeshme, sepse përmblodhi fjalët kryesore: kujtesën, kujtesën e së kaluarës; guximin për të sotmen. E kjo bëhet shpresë, shpresë për të ardhmen. Besoj se ky është edhe mesazhi i gjithë  Ditës Botërore të Rinisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.