2016-07-30 14:40:00

Papa në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, pastaj rrëfen disa të rinj


Para meshës me klerin, rregulltarët e murgeshat polake, Papa Françesku e filloi ditën me vizitën në shenjtëroren e Lagiewniki-t, nga e cila u përhap në të gjithë botën kulti i Mëshirës Hyjnore. Na informon drejtori i programeve të Radio Vatikanit, atë Andrea Majewski, në udhëtim së bashku me Papën:

         “Papa ia kushtoi krejt paraditen shtegtimit në vende të rëndësishme për kultin e Mëshirës Hyjnore, në Krakovi: një kishë e vogël brenda kompleksit të ndërtesave të Kuvendit të murgeshave, ku gjenden reliket e shën Faustinës. Murgeshat e përshëndetën Papën me entuziazëm të madh e Ati i Shenjtë u lut e shkroi në spanjisht në Librin e Artë të shenjtërores, frazën biblike: “Mëshirë dua e jo flijime”. Takimi përfundoi me bekimin e tij.

         Prej këndej, shkoi në Bazilikën e Mëshirës Hyjnore, që është shuguruar nga Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij të fundit në Poloni, në vitin 2002. Sapo mbërriti, Papa i përshëndeti shkurtimisht njerëzit, që e prisnin jashtë shenjtërores. Para se të hynte nga Porta Shenjte e shenjtërores, u përshëndet nga dy vajza, prej të cilave, njëra nuk mund të ecë dhe tjetra – që është ndihmuar ekonomikisht pikërisht nga Papa Françesku – mund të ecë vetëm në sajë të protezave. Menjëherë pas kalimit të Portës Shenjte, Papa hyri në rrëfyestore për të dhënë Sakramentin e Pajtimit: rrëfeu tetë vetë – pesë djem, dy vajza e një meshtar – në spanjisht, italisht e frëngjisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.