2016-07-30 16:07:00

Papa nga kryeipeshkvia: mizoria nuk mbaroi në Aushvic


Mizoria nuk mbaroi në Aushvic, por vazhdon edhe sot, në vuajtjet e shumta, që u shkaktohen burrave dhe grave të botës. Ky, përmbledhtasi, thelbi i fjalëve, që tha mbrëmë Papa Françesku nga dritarja e kryeipeshkvisë së Krakovit, duke përshkuar së bashku me të rinjtë e mbledhur poshtë saj, ditën e tij të djeshme në tokën polake.

         “Dobry wieczòr! Sot ishte një ditë e veçantë, një ditë dhimbjeje”.

         Në të premten, kur kujtojmë vdekjen e Jezu Krishtit, tregoi Papa, e përfunduam ditën me Udhën e Kryqit, së bashku me të rinjtë. Iu lutëm Jezusit në mundime, i cili vuajti 2000 vjet më parë, ashtu si sot, shumë të sëmurë, shumë njerëz, që e pësojnë nga lufta, nga mungesa e strehimit, e ushqimit, shumë të tjerë, që nuk ndjehen të lumtur, për shkak të mëkatit.

         Pasdite, vizita në spital. Edhe aty, kujtoi Ati i Shenjtë, gjejmë Jezusin që vuan përmes fëmijëve të sëmurë: vuajtje, që në këtë rast, nuk ka përgjigje. Duke iu rikthyer paradites, Papa jetoi me të pranishmit dhimbjen e provuar gjatë vizitës në kampet e shfarosjes së Aushvicit e Birkenaut, dhimbje, që e ka zanafillën para 70 vjetësh, por akoma nuk ka marrë fund:

         “Sa dhimbje, sa mizori! Po si është e mundur që ne njerëzit, të krijuar në ngjashmëri me Zotin, jemi të aftë të bëjmë këto gjëra? Sepse shumë gjëra janë bërë. Nuk dua t’ju hidhëroj, por duhet të them të vërtetën. Mizoria nuk mbaroi në Aushvic e në Birkenau: edhe sot, sot torturohen njerëz; shumë të burgosur torturohen, për t’i bërë të flasin… Është e tmerrshme! Sot, ka burra e gra nëpër burgjet e tejmbushura, që jetojnë – më falni – si kafshë”.

         Por, përballë këtij realiteti, që s’duhet harruar, është Jezu Krishti, i cili erdhi për ta marrë mbi vete gjithë këtë dhimbje. Na kërkon të lutemi, u tha Papa të pranishmëve në shesh:

         “Të lutemi për të gjithë Jezusët e sotëm në botë. Të lutemi për sa e sa të sëmurë, fëmijë të pafajshëm, të cilët mbartin Kryqin, që njomështakë. E të lutemi për shumë burra e gra, që sot torturohen”.

         Një aktualitet tragjik, i cili nuk e mbyt shpresën, sepse me anë të mundimeve, pohoi Françesku, Jezusi mori përsipër edhe mëkatin tonë. E para se t’u kërkonte të gjithëve të thoshin “FalemiMri”-në me të, Papa nënvizoi:

         “Të gjithë këtu jemi mëkatarë, të gjithë mbartim peshën e mëkateve tona. Nuk di…nëse ndokush nuk e ndjen veten mëkatar, ta ngrejë dorën! Të gjithë jemi mëkatarë! Por Ai na do: na do! E tani, të bëjmë – si mëkatarë, por si bij të Zotit, bij të Atit – të bëjmë një lutje së bashku për gjithë këta njerëz, që vuajnë sot në botë, nga shumë gjëra të këqia, nga shumë mizori. Kur derdh lot, fëmija kërkon nënën. Edhe ne mëkatarët jemi si fëmijët: ta kërkojmë nënën dhe ta lusim Zojën të gjithë së bashku, secili në gjuhën e vet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.