2016-07-30 19:39:00

Papa lutet për paqen, pranë varrit të dy martirëve françeskanë


 Papa bëri një vizitë në Kishën e Shën Françeskut, ku nderohen reliket  e dy martirëve Françeskanë polakë, Zbigniew Strzałkowski e Michał Tomaszek, vrarë më 1991 nga luftëtarët maoistë të “Sendero luminoso”, siç quhej Partia Komuniste e Perusë. Tha këtu, një lutje për paqen dhe mbrojtjen nga dhuna e terrorizmi:

“O Hyj i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, Zot i Universit e i historisë! Gjthçka krijove është e mirë, e mëshira jote për gabimet e njeriut, është e pashterrshme.

Vijmë sot tek Ti për të kërkuar ta mbrosh botën dhe banorët e saj në paqe, për ta larguar prej saj valën shkatrrimtare të terrorizmit, për t’ia rikthyer miqësinë e për ta dikuar në zemrat e krijesave të tua dhuratën e besimit e të gatishmërisë së faljes.

O Dhurues i jetës, të lutemi edhe për të gjithë ata, që vdiqën si viktima  të sulmeve të egra terroriste. Jepjua, o Zot, shpërblimin e amshuar. Pranoje ndërmjetësimin e tyre për botën e tronditur nga konfliktet e kontrastet.

O Jezus, Princ i Paqes, po të lutemi për ata, që u plagosën në këto akte dhune çnjerëzore: për fëmijët, të rinjtë, gratë, burrat, pleqtë, njerëz të pafajshëm, që fati i bëri viktima të së keqes. Shëroje korpin e zemrën e tyre e ngushëlloji me forcën Tënde, duke u shlyer nga shpirtat urrejtjen e dëshirën për hakmarrje.

O Shpirti Shenjt Ngushëllues, vizitoji familjet e viktimave të terrorizmit, familjet, që vuajnë pa pikë faji. Mbështilli me mantelin e mëshirës sate hyjnore! Bëj të gjejnë në Ty e në vetvete forcë e guxim që të vijojnë të jenë vëllezër e motra për të tjerët, posaçërisht për emigrantët, duke e dëshmuar me jetën e tyre dashurinë Tënde.

Preki, o Zot, zemrat e terroristëve, që ta pranojnë se po veprojnë keq, e bëj të kthehen në udhën e paqes e të së mirës, të respektit për jetën e për dinjitetin e çdo njeriu, pavarësisht nga feja, nga përkatësia, pasuria a varfëria.

O Hyj, Atë i Amshuar, dëgjoje, me mëshirën tënde, lutjen që po e lartojmë kah Ti, në mes të vringëllimave të armëve e të dëshpërimit të botës. Po të drejtohemi Ty plot me shpresë në Mëshirën tënde të pafundme, duke  besuar në ndërmjetësimin e Nënës sate të Shenjtnueshme, të përfocuar nga shembulli i martirëve të lum të Perusë  Zbigniew Strzałkowski e Michał Tomaszek, që i bëre dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit deri në atë pikë,  sa dhuruan edhe gjakun, e po të kërkojmë dhuratën e paqes e të largimit nga ne të plagës së terrorizmit. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.