2016-07-30 16:28:00

Françesku: meshtarët të kërkojnë të varfërit, jo pushtetet e botës


“Kini zemër të hapur, dilni nga vetvetja, rrini larg pushteteve të botës!”. Janë këshillat që u dha Papa Françesku priftërinjve e rregulltarëve polakë, gjatë Meshës së sotme, kremtuar në Shenjtëroren e Shën Gjon Palit II. Papa u kërkoi edhe ta lënë mëshirën t’i shndërrojë, për të vijuar ta shkruajnë Ungjillin e Tij të dashurisë. Kardinali Stanislaw Dziwisz, nga ana e tij, e falënderoi Françeskun për këtë vizitë, që e fuqizon Kishën polake në thirrjen e në gatishmërinë për ta vijuar shërbimin.

Jezusi dëshiron që Kisha të jetë në dalje, të shkojë në botë. Në shenjtëroren e Shën Gjon Palit II, i cili e çoi Ungjillin e Krishtit në skajet e skutat e botës së madhe, Françesku i nxiti meshtarët e rregulltarët e Polonisë, të paktën dymijë të pranishëm, ta vijojnë shembullin e Karol Wojtylës, t’ia hapin portat Krishtit, ta mundin tundimin e mbylljes, për shkak të  frikës a të kërkimit të rehatisë. Mesha u jetua me pjesëmarrje të thellë shpirtërore, rreth një elteri, ku ishte edhe një relike e Papës Wojtyla, në sfondin e mozaikëve  mrekullisht të bukur të atit jezuit polak Rupnik.

Meshtarët të heqin dorë nga siguritë e tyre, të ndjehen të fortë në Jezusin

Gjatë homelisë, Françesku skicoi një lloj profili të bariut të mirë, që është prijës për meshtarët e ka si pikë të parë  të planit, daljen nga vetvetja:

“Është shtegtim pa biletë kthimi. Dalje nga vetja. Humbje e jetës, për Atë, duke ndjekur rrugën e dhurimit të plotë të vetvetes. Nga ana tjetër, Jezusi nuk i do rrugët që përshkohen deri në gjysëm, portat gjysëm të mbyllura, jetët e dyfishta. Kërkon të vihesh për udhë i lehtësuar nga barrët e botës, të dalësh duke hequr dorë nga siguritë tuaja, i fortë vetëm në Të”.

Jeta e dishepujve të Jezu Krishtit, vijoi, duhet të mbruhet me dashuri konkrete, domethënë me shërbim e gatishmëri. Është jetë, kujtoi, ku nuk mund të ketë hapësira të mbyllura, as prona private për rehatitë personale.

Ikni nga situatat... e nga piedestalet e pushtetit

Shtëpia ku banon meshtari, nënvizoi, nuk i përket, sepse Kisha e bota janë vende të hapura për misionin e tij. Thesari i tij është ta vërë Zotin në mes të jetës, pa kërkuar asgjë tjetër për vete:

“Ikën, kështu, nga situatat e këndshme, që do ta vinin në qendër, nuk ngjitet mbi piedestalet luhatëse të pushtetit  të botës e nuk bie në rehatitë, që e fishkin ungjillëzimin; nuk e kalon kohën kot duke planifikuar një ardhmëri të sigurt e të paguar mirë, sepse kështu rrezikhet të mbetet i izoluar e i dëshpëruar, i mbyllur në mes të katër mureve të ngushta të egoizmit, pa shpresë, pa gëzim”.

I kënaqur në Zotin - kujtoi Françesku - nuk mund të kënaqet me një jetë mediokre, por digjet nga dëshira për t’i takuar e për t’i ndihmuar të tjerët. Një meshtar kësisoji, dëshiron të rrezikohet e del e ecën jo nëpër rrugë tashmë të shkelura, por në shtigjet e pashkelura, që ia tregon vetë Shpirti Shenjt: nuk dëshiron të jetojë sa për të mbajtur frymën gjallë, por për gëzimin e ungjillëzimit.

Më pas Papa u ndalua tek figura e Shën Tomës që, tha, na çon më pranë Zotit, sepse Zoti nuk i fshihet, atij që e kërkon. Për ne, dishepujt, shtoi, ka shumë rëndësi ta vëmë korpin tonë në kontakt me Korpin e Krishtit, Jezusi, siç pati thënë motër Faustina, është shumë i kënaqur që i flasim e i flasim, nuk lodhet me jetët tona, të cilat i njeh prej kohe, pret ta ndajmë gjithçka me Të.

Jezusi kërkon zemra, që hapen për të ligshtit e të largëtit

Zemra e Krishtit, pohoi në vijim Papa, fitohet nga zemrat e sinqerta, zemrat, që dinë ta njohin e të qajnë për ligështitë e tyre, plot besim se pikërisht aty do të veprojë mëshira hyjnore:

“Jezusi kërkon zemra, që hapen e ndjejnë për të varfërit, që nuk janë kurrë prej guri,  zemra që nuk shtiren përballë atyre, që kanë detyrë të drejtojnë udhën në Kishë. Dishepulli nuk ngurron të bëjë pyetje, ka guxim ta çojë dyshimin te Zoti, te formuesi, tek eprori, pa llogaritje e pa heshtje”.

E më pas Papa u tërhoqi vëmendjen rregulltarëve të ruhen nga rreziku i një jete të dyfishtë. E i nxiti edhe një herë klerikët ta lexojnë e ta rilexojnë Ungjillin si “libër të gjallë të mëshirës së Zotit”. E ta pyesin veten si i shkruajnë faqet e jetës së tyre.

Zoti na rinon, duke hyrë në zemrat tona me mëshirë

Në këtë detyrë - i inkurajoi - na ndihmoftë Nëna e Jezusit, e cila e pranoi plotësisht fjalën e Zotit në jetë, që të mundemi, kështu, të kujdesemi konkretisht për plagët e Jezusit në motrat e vëllezërit tonë nevojtarë, si për të afërmit, ashtu edhe për të largëtit, si për të sëmurin, ashtu edhe për mërgimtarin, sepse duke i shërbyer njeriut që vuan, nderohet Korpi i Krishtit:

“Ta rijetojmë sot, me mirënjohje, kujtimin e thirrjes së Tij, që është më e fortë se çdo kundërshtim e lodhje. Duke vijuar Kremtimin eukaristik, qendër e jetës sonë, ta falënderojmë Zotin, sepse hyri nëpër portat tona të mbyllura me mëshirën e Tij; sepse, si Shën Tomën, na thirri me emër e sepse na jep hirin të vijojmë ta shkruajmë Ungjillin e Tij të dashurisë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.