2016-07-29 16:48:00

Udha e Kryqit DBR Krakov


Është Udhë Kryqi tradicionale, me 14 stacione, kushtuar veprave të mëshirës trupore e shpirtërore. Në çdo stacion kujtohet titulli dhe vepra e mëshirës (trupore a shpirtërore) së cilës i kushtohet. E pastaj, edhe grupi organizator, që e shoqëron dhe e paraqet Stacionin e Udhës së Dhimbshme.

Stacioni I: Jezusi dënohet me vdekje, i kushtohet strehimit të shtegtarëve. Protagoniste është Bashkësia e Shën Egjidit.

Stacioni II: Jezusi ngarkohet me kryq. Vepra e mëshirës: T’u japësh të hanë të uriturve. Kryesohet nga Shoqëria e të pastrehëve e Shën Fra Albert Chmielowski, apostull i famshëm i të varfërve (Krakov 1845-1916. Lumnuar më 1984 nga Shën Gjon Pali II).

Stacioni III: Jezusi rrëzohet për të parën herë. Të qortosh mëkatarët, është vepra e mëshirës shpirtërore, që kujtohet në këtë stacion, paraqitur nga të rinjtë e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”.

Stacioni IV: Jezusi takon nënën. Na kujton se duhet t’i ngushëllojmë të vuajturit e i takon nismës “Dritare për jetë”,  siç quhet Shtëpia e nënës së vetmuar, nismë e një pastoreje gjermane, që ndimon për t’i thënë ‘jo’  vrasjes së fëmijëve të sapolindur.

Stacioni V: Jezusi ndihmohet ta mbartë kryqin nga Simeoni i Cirenës; na kujton se duhen vizituar të sëmurët e paraqitet nga Bashkësia e Arkës, themeluar nga Jean Vanier për stehimin e njerëzve me kufizime, sidomos mendore.

Në Stacionin VI: Veronika ia fshin fytyrën Jezusit e na kujton të vizitojmë të burgosurit. Prihet nga “Barca” - Shoqatë ndihme reciproke, themeluar më 1998 në Poznan, për rehabilitimin e ish-të burgosurve, të papunëve, të pastrehëve.

Stacioni VII: Jezusi rrëzohet për herë të dytë duke na kujtuar se duhet t’i falim  ata, që na fyejnë e prihet nga Projekti Madalena i bashkësisë ku jetoi shën Faustina. Strehon vajza të reja e nëna të vetmuara. Është i pranishëm në Poloni e vise të tjera, deri në Kubë.

Stacioni VIII: Jezusi flet me gratë e Jeruzalemit; na kujton se duhen mësuar të paditurit e drejtohet nga “Ndalesa e Jezusit”, nismë polake në ndihmë të të rinjve e organizatore e festivalit “woodstock”, për t’i afruar të rinjtë tek Kisha.

Stacioni IX: Jezusi bie për të tretën herë e na kujton se duhet t’i këshillojmë dyshimtarët. Prihet nga Bashkësia e Çenakullit, në ndihmë të të droguarve.

Stacioni X: Jezusit ia zhveshin petkat. Të kujton menjëherë se duhet t’i veshësh të zhveshurit. Kryqin e mbajnë Veprat e ndihmës të atë Piut.

Stacioni XI: Jezusi gozhdohet në kryq, duke na kujtuar se duhet t’i mbartim me durim njerëzit e mërzitshëm. I prijnë Motrat e Nënë Terezës, për të cilat nuk janë të nevojshme komentet.

Stacioni XII: Jezusi vdes mbi kryq, duke na kujtuar se duhet t’u japim të pijnë të eturve. I prin ecjes Bashkësia polake “Bukë e jetë” që merret me të varfërit, handikapatët, pleqtë dhe me bursat e studimeve për të rinjtë.

Stacioni XIII: Jezusi, i zbritur nga kryqi shtrihet në krahët e nënës, që na kujton se duhet të lutemi për të gjallët e për të vdekurit. Prihet nga Spitali shtëpiak, kundër prostitucionit.

Stacioni XIV: Trupi i Jezusit vendoset në varr, e kjo na kujton se duhet t’i varrosim të vdekurit. I prin Streha e Shën Lazrit, për të sëmurët në prag të vdekjes.

Sa dhimbje në këtë Udhë Kryqi, por edhe sa vepra mëshire, e sa njerëz të Kishës në shërbim të njeriut, në të gjitha situatat, në emër të Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, që thotë: “Ma keni bërë mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.