2016-07-29 14:09:00

Përshëndetja e Papës nga kryeipeshkvia: tri fjalë i shpëtojnë familjet


Mbrëmjen e djeshme, Papa Françesku doli në dritaren e kryeipeshkvisë së Krakovit, për të përshëndetur të rinjtë e mbledhur në sheshin përballë. Qeshi me ta, por u tha edhe fjalë të rëndësishme, siç po bën përditë, pas veprimtarive të këtij udhëtimi të 15-të apostolik.

         “Më thonë se shumë prej jush e kuptojnë kastiljançen e atëherë po flas kastinljançe”, u tha Ati i Shenjtë një grupi çiftesh të rinj, të cilët i lavdëroi për “guximin” që patën kur u martuan:

         “Unë, kur takoj ndonjë të ri që martohet, them: ‘Këta kanë guxim!” Sepse nuk është e lehtë të formosh familje, nuk është e lehtë ta impenjosh jetën përgjithmonë, duhet pasur guxim. E ju përgëzoj, sepse edhe ju keni guxim”.

         Pastaj, Papa Françesku sugjeroi tri fjalë, që e ndihmojnë familjen të ecë përpara e të kapërcejë vështirësitë. Tri fjalë, që shprehin tre qëndrime:

         “Martesa është diçka kaq e bukur, kaq e shkëlqyer, sa duhet të kemi kujdes për të, pasi është përgjithmonë. E tri fjalët janë: me leje, faleminderit, më fal”.

         Leja është ajo që bashkëshortët duhet ta kërkojnë, për të mos e shkelur në kallo njëri-tjetrin. Pastaj, burri e gruaja duhet të thonë faleminderit, sepse janë bashkëshortët që i japin Sakramentin e martesës njëri-tjetrit e kjo marrëdhënie sakramentore ruhet edhe përmes ndjenjës së mirënjohjes për tjetrin. E fjala e tretë, “më fal”, është tepër e vështirë për t’u thënë, vijoi Papa. Martesa ka gjithnjë ndonjë keqkuptim. Duhet ta pranojmë e të kërkojmë falje, theksoi Ati i Shenjtë, sepse kjo i bën mirë çiftit. Në familje, kujtoi Papa situata për të cilat ka folur edhe herë të tjera, nganjëherë ka grindje, ngrihet zëri e fluturojnë pjatat, por nuk duhet të frikësohemi nga kjo. E dha këshillën e tij të preferuar për çiftet:

         “Nuk duhet të përfundojë dita pa bërë paqe, sepse lufta e ftohtë, të nesërmen, është shumë e rrezikshme”.

        Për t’u pajtuar, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, mjafton një gjest. Sepse kur ka dashuri, përfundoi Ati i Shenjtë, një gjest vë gjithçka në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.