2016-07-29 17:52:00

Në 10 vende, “persekutim ekstrem” kundër të krishterëve


Nga Kina në Indi, nga Eritrea në Arabinë Saudite: janë në rritje të vazhdueshme persekutimet kundër të krishterëve në botë. Viti 2015 ka qenë viti i zi, gjatë të cilit të krishterët e vrarë janë shtuar me 63% dhe është dyfishuar numri i kishave të sulmuara, në krahasim me vitin e mëparshëm. Por, vrasja e atë Jacques Hamel, në Normandi të Francës, është e para e një rregulltari në Evropë, brenda mureve të kishës. Folëm me drejtorin e seksionit italian të Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, prej 70 vjetësh pranë të krishterëve të persekutuar. Të dëgjojmë Alessandro Monteduron:

       Për herë të parë, jemi përpara një sulmi të qartë kundër lirisë së fesë dhe para një shembulli të qartë urrejtjeje kundër të krishterëve. Nuk duhet e nuk mundemi, megjithatë, të indinjohemi vetëm në rastet kur krimet janë veçanërisht mizore. Në Evropë, në vitin 2015, kemi pasur më se 150 raste kapelash e kishash të profanuara, shkrimesh blasfeme dhe lloj-lloj fyerjesh ndaj simboleve të krishterimit. Nuk duhet të habitemi nëse hapi i mëvonshëm konkretizohet në brutalitetin e ngjarjeve të fundit. Nuk duhet të habitemi, sepse në Lindjen e Mesme ka ndodhur pikërisht kështu.

         Edhe në Francë, siç ka denoncuar Fondacioni, simbolet e krishtera sulmohen e nuk respektohen. Kemi të bëjmë me çkrishterimin në rritje të Evropës, apo jo?

         Kjo është çështja kryesore: si t’i përgjigjemi brutalitetit, si t’i përgjigjemi fanatizmit? Natyrisht, nuk ekziston një përgjigje e vetme. Sigurisht, njëra prej përgjigjeve është konfrontimi, ajo që të gjithë e quajnë rruga e dialogut. Por nuk do të kemi autoritet në dialog, nëse gjithë Evropa – bashkësia ndërkombëtare in primis – nuk rizbulon me krenari identitetin dhe rrënjët, prej të cilave vjen vërtet Evropa: rrënjët e krishtera. Ndoshta, në Francë, kemi edhe një problem legjislacioni, gjithnjë e më kufizues për lirinë e fesë.

         Nga të dhënat rezulton se të krishterët e persekutuar në botë janë 200 milion. 20 vriten përditë e këtë vit, numri i vendeve ku persekutohen ekstremisht është rritur në 10. Si ka mundësi? Dialogu e bashkëpunimi kanë dështuar?

         Për të qenë i frytshëm, dialogu duhet të bazohet në një forcë identiteti, të cilën, ndoshta, jo e gjithë bashkësia e krishterë e ndjen, e kupton dhe e bën të vetën deri në fund. Gjatë dy vjetëve të fundit, niveli i persekutimit në dëm të botës së krishterë është rritur. Para vitit 2013, ishin gjashtë, vendet në të cilat persekutimi klasifikohej si “ekstrem”: të mirënjohurat e famëkeqet Kina, Irani, Arabia saudite, Pakistani, Eritrea dhe Koreja e Veriut. Gjatë dy vjetëve të fundit, janë shtuar edhe Iraku e Siria, por edhe Nigeria e Sudani. Të gjitha këto realitete kanë diçka të përbashkët: rritjen e ekstremizmit islamik.

         Ndër arsyet e kësaj urrejtjeje qëndron nacionalizmi fetar – siç është rasti i Indisë – por sidomos rritja dhe përhapja e ekstremizmit islamik. Pyetja është kjo: pas dhjetë vjetësh, a do të ketë më vend për të krishterët në Lindjen e Mesme, prej nga e ka origjinën krishterimi?

         Jo, nuk do të ketë më vend. Mjafton të bëjmë një llogari të thjeshtë e ta projektojmë që sot e deri pas pesë vjetëve – e jo dhjetë – realitetin e të krishterëve në Irak. Në vitin 2000 ishin 1 milion e 300 mijë vetë; sot, janë më pak se 300 mijë. Ikin nga ai vend 60-100 mijë të krishterë në vit. Le t’i projektojmë 300 mijë të mbeturit në pesëvjeçarin e ardhshëm e përgjigjja është: jo, nuk do të ketë më asnjë të krishterë në Irak, pas pesë vjetësh, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk vendos më në fund e deri në fund, t’i bëjë ballë problemit.

Po çfarë mund të bëhet për ta mbrojtur fenë tonë?

         Ta mbrojmë fenë tonë do të thotë të jemi krenarë për të, do të thotë ta dëshmojmë haptasi, do të thotë të rizbulojmë me të vërtetë origjinën tonë, rrënjët. Nuk kemi nevojë për ndonjë strukturë apo pozicion luftarak, por duhet të zbulojmë bukurinë e të qenit të krishterë, e të qenit katolik. Ndoshta, me një impenjim të këtij lloj, me një qasje të këtij lloji, dialogu me fetë e tjera mund të shkojë përpara e të ketë si perspektivë paqen.








All the contents on this site are copyrighted ©.