2016-07-29 11:56:00

Papa në Aushvic, në heshtje, prek dhimbjen e botës: "O Zot, na fal për kaq mizori”


Dita e tretë e shtegtimit të Papës Françesku në Poloni filloi në heshtje. Ati i Shenjtë hyri ngadalë e vetëm në kampin e Aushvicit, në orën 9.15, duke kaluar nën parrullën famëkeqe “Arbeit macht frei” (Puna ju bën të lirë). Pastaj, me një makinë të vogël elektrike u drejtua për në qendrën e kampit nazist të shfarosjes. Pasi zbriti, bëri pak hapa dhe u ul në karrigen e vendosur para “sheshit të apelit”, ku nazistët varnin të burgosurit. Françesku ndenji në heshtje e në lutje për më se 15 minuta. Pastaj, iu afrua strukturës së përdorur për varjet dhe preku e puthi njërin prej trarëve. Sërish, me makinën elektrike shkoi në hyrjen e Bllokut 11, ku u prit nga kryeministrja polake, Beata Maria Szydlo.

Françesku në lutje para sheshit ku vareshin të burgosurit

         Këtu, Françesku iu afrua sheshit ku bëheshin pushkatimet e hebrenjve dhe të të burgosurve të tjerë. Papa takoi e përqafoi një e nga një, 10 të mbijetuar, ndër të cilët një zonjë 101-vjeçare; shkëmbeu disa fjalë me secilin prej tyre. I fundit, që takoi, i dha një qiri, të cilin Ati i Shenjtë e la para murit, ku rreshtoheshin të burgosurit për t’u pushkatuar. Papa Françesku e preku atë mur, ku gjetën vdekjen mijëra të pafajshëm. Pastaj shkoi në “qelinë e urisë”, ku nazistët i linin të burgosurit pa ushqim derisa të vdisnin me mundime.

Lutja në qelinë e Shën Maksimilian Kolbes

         Pak pas orës 9.45, Papa shkoi të nderonte Shën Maksimilian Kolben, në qelinë ku u martirizua, si sot, pikërisht më 29 korrikun e 75 vjetëve më parë. Pati ofruar jetën e vet në këmbim të një babai me familje, që ishte dënuar me vdekje. Ati i Shenjtë ndenji vetëm, në lutje, në qelinë n.18, nën dhe, aty ku edhe sot është një pllakë përkujtimore dhe një qiri, lënë nga Gjon Pali II: një shenjt, që kujtonte flijimin e një shenjti tjetër. Papa Françesku u ndal gjatë, në gjunjë, duke u lutur. Pasi shkroi diçka në Librin e Nderit të Aushvicit, Ati i Shenjtë la një letër e një llambë, për t’u mbajtur gjithnjë e ndezur, në nderim të 1,5 milion viktimave, që këtu, e borën jetën. E mbeten, për këdo shkel në Aushvic, edhe fjalët e Papës në Libër: “O Zot, ki mëshirë për popullin tënd, o Hyj na fal për kaq mizori”.

Papa në Birkenau

Papa Françesku arriti me makinë, rreth orës 10.30, nga Auschwitz-i, në kampin e shfarosjes të Birkenaut, që formon një kompleks të vetëm me të parin. Një zonë prej 175 hektarësh, ku nazistët ngritën 4 furra krematore me dhomat e tmerrshme të gazit, në të cilat humbën jetën mijëra njerëz të pafajshëm, posaçërisht hebrenj. Në vitin 1944 në kamp ishin të pranishëm më se 100 mijë të burgosur, të mbyllur në 300 baraka, ndërtuar me dru e me tulla. Në hyrje të kampit, Papa u ndalua për të folur me drejtorin e Muzeut të Auschwitz-Birkenau-t.

Përshkoi, pastaj, ngadalë, në veturë, udhën pranë binarëve të hekurudhës, mbi të cilët udhëtonin trenat, që sillnin këtu njerëz të dënuar me vdekje, pas vuajtjeve të tmerrshme.

Papa lutet para monumentit të viktimave të nazistëve

Rreth orës 10.40 Papa zbriti nga makina dhe shkoi, në këmbë, tek monumenti ndërkombëtar, ngritur për kujtim të viktimave të Auschwitz-Birkenau-t, ndërtuar më 1967 ndërmjet dhomave me gaz 2 e 3 të kampit. Para monumentit janë lapidaret përkujtimore, me një shkrim në 23 gjuhë, gjuhët e folura nga të burgosurit: “Lerëni që ky vend, ku nazistët vranë më se 1,5 milionë burra, gra e fëmijë, shumica hebrenj, ardhur nga të katër anët e Evropës, të jetë përgjithmonë britmë dëshpërimi e paralajmërim për mbarë njerëzimin!”. Të pranishëm rreth monumentit, në këtë çast, ishin më se njëmijë të ftuar, që e pritën Papën me duartrokitje. Françesku kaloi ngadalë, në këmbë, anës lapidareve përkujtimore, duke u ndaluar para secilit prej tyre. Pastaj vendosi një llambë kushtore mbi lapidarin e  fundit, së bashku me një biletë.

Françesku takon 25 të Drejtë të Kombeve

Papa ndenji në meditim para monumentit, ndërsa një rabin intonoi, në hebraisht Psalmin 130, “De profundis”, i cili nis me  thirrjen tronditëse, që përshkon hapësirë e kohë: “Prej humnerës çoj zërin kah ti, o Zot, o Zot, dëgjoje britmën time!...”. Më pas Psalmi u lexua në polonisht nga famullitari i një vendi në Poloni, ku jetonte një familje katolike, e shfarosur  me gjithë fëmijë, vetëm pse kishte strehuar e shpëtuar hebrenj.

Në përfundim të Psalmit, Papa u takua me 25 të Drejtë të Kombeve, me të cilët bisedoi disa çaste. Pastaj përshëndeti kryeministrin dhe drejtorin e muzeut e, rreth orës 11.00, u largua nga Birkenau, drejt heliportit.








All the contents on this site are copyrighted ©.