2016-07-28 10:35:00

Takimi i Papës me ipeshkvijtë: flet primati i Polonisë


Mbrëmë, Papa Françesku u takua me ipeshkvijtë polakë në katedralen e Krakovit. Takim familjar, gjatë të cilit Ati i Shenjtë iu përgjigj disa pyetjeve. E para, për shekullarizimin e Polonisë. Papa theksoi se u duhet qëndruar më afër njerëzve dhe meshtarëve, ndërsa duke folur për të rinjtë, nënvizoi se janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet e tyre me gjyshërit, pasi pikërisht ata ua transmetojnë fenë. Një pyetje tjetër kishte të bënte me mënyrën e vënies në jetë të mëshirës. E këtu, Papa u përqendrua në idhujtarinë e parasë. Sot, gjithçka mund të blihet e të shitet, por për t’iu afruar njerëzve me mëshirë, duhet të çlirohemi nga kjo idhujtari.

         Një ipeshkëv e pyeti Atin e Shenjtë nëse famullia ka akoma vlerë në botën e sotme. Sipas Papës, famullia është e pazëvendësueshme, pasi mbetet gjithnjë shtëpia e popullit të Zotit. Pyetja e fundit u referohej refugjatëve. Nuk ka ndonjë formulë për qëndrimin ndaj refugjatëve, vërejti Papa Françesku. Mikpritja e tyre varet nga vendi, nga mundësitë dhe nga kultura e tij. Megjithatë, është e rëndësishme të mirëpriten sa më mirë, për sa është e mundur. Por për atmosferën e krijuar në këtë takim vëllazëror, të dëgjojmë primatin e Polonisë, imzot Wojciech Polak, kryeipeshkëv i Gnieznos:

         Vërtet atmosferë vëllazërore, atmosferë dialogu, e cila, megjithëse nuk preku drejtpërdrejt baritorinë e vendit tonë, na dha një këndvështrim të gjerë mbi botën. Papa ndau me ne ankthin e sfidat e botës së sotme, duke u nisur edhe nga përvoja e tij baritore. Ishte takim i bukur bashkimi e shenjë vëllazërie. Që në fillim, Papa vuri në jetë dy vepra të mëshirës: e para, u lutëm të gjithë së bashku për të ndjerin imzot Zymowski, ish-kreu i Këshillit Papnor për Shëndetësinë. E Papa na tha: “Ndoshta për shkak të DBR-së nuk keni mundur të vini në funeralin e tij: atëherë, po bëjmë tani një vepër mëshire, sepse një nga veprat e mëshirës është pikërisht lutja për të vdekurit”. E së dyti, na tha: “E di se është gati në fund të jetës kardinali Macharski e, natyrisht, nuk mund të hyjmë në dhomën e tij, nuk shkojmë dot tek ai. Por – vijoi – nëse këto ditë, kaloni pranë spitalit, ndaluni: prekni vetëm murin; e kjo do të jetë një shenjë dhembshurie, afërsie. Unë do ta bëja me gjithë qejf”. Thonë se ndoshta do të shkojë në këtë këtë klinikë, për të prekur murin, pas të cilit lëngon kardinali Macharski.

         Edhe Papa Françesku, ashtu si shën Gjon Pali II, doli mbrëmë në dritaren e kryeipeshkvisë për të përshëndetur njerëzit e grumbulluar poshtë saj.  Ç’do të thotë kjo për ju?

         I jemi shumë mirënjohës që në fillim, edhe para se të vinte, kur na dërgoi mesazhin për Kishën e Polonisë. Thoshte: “Po shkoj në tokën e arkitektit të DBR-ve”. E kemi ndjerë veten të prekur nga këto fjalë… Pastaj, edhe kur erdhi, kur fliste në Pallatin Wawel, kur fliste për Gjon Palin II, kur vinte në dukje ndjeshmërinë e tij ndaj historisë, ndaj historisë së shëlbimit, ndaj historisë së popujve… Edhe kur u duk në dritare, kujtoi Gjon Palin II e dialogun me të, me këtë shenjt. I ftoi të rinjtë ta kthejnë në thesar këtë trashëgimi. Dy herë përsëriti “Mos kini frikë!”. Këtë na kërkonte gjithmonë Gjon Pali II e këto fjalë i mbajmë mend mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.