2016-07-28 10:43:00

Ipeshkvi i Halebit: atë Hamel dhe martirët e tjerë do ta shpëtojnë botën


Fundi dramatik i atit Hamel, mesharit të moçëm francez, prerë në fyt, ndërsa po kremtonte Meshën, “i përket historisë së madhe të martirizimit të krishterë, ashtu si historia e martirëve të kohëve të fundit në Lindjen e  Mesme. Prandaj nuk meriton të manipulohet, e sidomos nga ata, që pak kohë më parë, për të mbrojtur interesat e tyre, mendonin ‘të luanin bilardo me grupet xhihadiste’, për të cilat u mburrën të rinjtë që e vranë meshtarin”. Kështu ipeshkvi Georges Abou Khazen, mëkëmbës apostolik i Halebit për katolikët e ritit latin, shikon qytetin martir sirian në ngjarjen tragjike, që ndodhi në Kishën e Shën Shtjefnit në Rouvray, pranë Rouen.

Martirizimi është dëshmia më e lartë e fesë

Gjatë shekujsh, kujton ipeshkvi françeskan, duke folur për agjencinë Fides, të krishterët e panë përherë martirizmin si dëshmia më e lartë e fesë. E ndërsa vajtonin martirët e tyre, i kremtuan gjithnjë si njerëz që na shpërblejnë ne dhe e shpëtojnë mbarë botën, sepse marrin mbi vete vuajtjet  e saj, në emër të Jezusit, e kështu e zbatojnë në jetën e bashkëkohasve, shëlbimin, që solli Krishti.

Fuqitë perëndimore nuk ngurruan t’i mbështesin xhihadistët

Kjo dinamikë, kaq intime me misterin e shëlbimit, sipas imzot Georges, nuk mund të shpërfytyrohet  nga ata,  që kërkojnë vetëm përfitime politike. Prej shumë vitesh, vijon  mëkëmbësi  apostolik i Halebit, ne, ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme, u tërhoqëm vëmendjen fuqive perëndimore të cilat, për të mbrojtur interesat e tyre, nuk ngurronin t’i mbështesnin grupet, që ndiqnin ideologjinë xhihadistem. Tani vërej si qarkullojnë reagime të egra, që e identifikojnë mbarë Islamin me këto grupe, të verbuarara nga ideologjia e urrejtjes dhe e vdekjes, që duket sikur po përhapet kudo, përmes udhëve misterioze. Duhet të jemi të butë si pëllumbat, por edhe dinakë, si gjarpërinjtë, siç na mëson Ungjilli. Por dinakëria nuk ka të bëjë edhe me përdorimin e helmit të gjarprit!








All the contents on this site are copyrighted ©.