2016-07-28 13:10:00

Papa në Blonia: Jeta është e plotë kur jetohet duke u nisur nga mëshira


Sot, takimi i parë i Françeskut me të rinjtë! Rreth orës 17.15 Papa arriti në livadhet e Blonias, në Krakov, një zonë prej 48 hektarësh pranë Muzeut Kombëtar. Dikur ishte vend kullotash. Pastaj, shesh, po ai shesh, në të cilin Gjon Pali II pati kremtuar gjashtë herë Meshën Shenjte, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh. Mbeti në kujtesë të të gjithëve sidomos Mesha e kremtuar më 18 gusht 2002,  me praninë rekord të dy milionë e gjysëm njerëzve.  Edhe Papa Benedikti XVI i takoi këtu të rinjtë, më 27 maj 2006, dhe kremtoi Meshën, ndjekur nga një milion vetë.

Tani këtu arriti Françesku. U prit me një ceremoni tejet gazmore, me muzikë, këngë e valle. Pastaj të rinjtë parakaluan para Atit të Shenjtë me flamujtë e tyre kombëtarë e fotografitë e shenjtorëve pajtorë, duke nisur nga  fotografia e Nënë Terezës, mbajtur nga të rinjtë aziatikë. “Të thirrur për shenjtëri” ishte tema e këtij manifestimi gazmor. E pikërisht për shenjtëri i thirri edhe Papa të rinjtë, duke ua drejtuar fjalën.

Jezusi e të rinjtë, në qendër të vëmendjes. Fjala e Papës ishte një program i vërtetë jete për rininë. Kush e ndjek Jezusin, mësohet të dojë, të mikpresë, të jetojë si Zoti e të bëhet i aftë për vepra madhështore, kujtoi.

Po kush është Jezusi? Pikërisht kësaj pyetjeje iu përgjigj së pari Françesku, për të vijuar me identikitin e të riut:

“Jezusi është Ai, që na mblodhi në DBR-në. Ai që na thotë: lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë; lum ata, që dinë të falin, që dinë të kenë zemër të mëshirshme e dinë t’u japin të tjerëve ç’kanë më të mirë.

Jezusi është Ai, që i jep pasionin e vërtetë jetës, Ai që të mëson të mos kënaqesh me pak.

Jezu  Krishti na pyet, na  fton, na ndihmon të ngrihemi përsëri, sa herë besojmë se e kemi humbur betejën. Jezusi na fton t’i ngrejmë sytë e të ëndërrojmë lartësitë.

Jezusi dëshiron të hyjë në shtëpitë tona! Të shohë shqetësimet tona. Nxitimet tona. Siç bëri me Martën, për të cilën flet Ungjilli i sotëm… e pret ta dëgjojmë, si Maria, për t’ia besuar pastaj, të gjitha shqetësimet tona".

Kështu u tha Papa të rinjve, për t’i uruar, më pas, të jetojnë ditë kushtuar Jezu Krishtit, për ta dëgjuar, për ta mikpritur në njerëzit me të cilët banojmë nën të njëjtën strehë, ecim në të njëjtën rrugë, mësojmë në të njëjtën shkollë.

E kush e pranon Jezusin, mëson të dojë si Jezusi. Fiton një jetë të përkryer, mëson të emocionohet. Atëherë Ai na pyet nëse duam të jetojmë një jetë të përkryer. “Dëshiron një jetë të plotë? Mësoju të emocinohesh! Sepse lumturia mbin, rritet e lulëzon në mëshirë. Kjo është përgjigjja e Tij, ftesa e Tij, sfida, aventura, mëshira:

“Prandaj  Kisha sot ju shikon e dëshiron të mësojë nga ju, për ta përtërirë besimin në mëshirën e Atit, që nuk pushon së na ftuari të bëjmë pjesë në Mbretërinë e Tij”.

Pastaj identikiti i të riut të vërtetë.

“Nuk ka gjë më të bukur, se të kundrosh dëshirat, angazhimin, pasionin, energjinë me të cilën e jetojnë të rinjtë jetën! Kur Krishti ua prek zemrën, janë të aftë për veprime me të vërtetë madhështore. E jo vetëm besojnë, por edhe punojnë për t’ia ndryshuar faqen botës. Prandaj mëshira ka gjithnjë fytyrë të re".

Kush ka zemër të mëshirshme, ka edhe guximin ta lërë mënjanë rehatinë; zemra e mëshirshme di t’i takojë të tjerët, t’i përqafojë të gjithë! Zemra e mëshirshme di të jetë strehë për atë që s’pati kurrë strehë, di të krijojë ambientin e shtëpisë e të familjes, për atë, që u detyrua të emigrojë, di ta ndajë bukën me të uriturin, hapet për pritur refugjatin e emigrantin, është plot angazhime, besim, mikpritje, mëshirë e plot me ëndrra.

I riu nuk duhet të ketë kurrë fytyrë të trishtuar, nuk duhet ta lërë lojën, pa e nisur ende, nuk duhet të jetë i mërzitur…e i mërzitshëm. E, sidomos, nuk duhet të ecë në udhë të errëta, ku çdo hap paguhet shtrenjt, ku humbasin vitet më të mira e energjitë më të freskëta, duke rendur pas shitësve të ëndrrave të rreme, shitësve të tymit, që të grabisin ç’ke më të mirë!

Të dashur miq, i porositi Papa të rinjtë - a e doni për vete këtë marramendje tjetërsuese, apo hirin, që ju bën ta ndjeni veten të fortë, të plotë? Marramendjen, apo hirin? Përgjigjen mund t’jua japë vetëm një Vetje, që është e gjallë e quhet Jezus. Atëhere të gjithë së bashku t’i kërkojmë Zotit:

“Ja ku jemi, o Zot! Na bëj pjesëmarrës në aventurën e mëshirës! Që të ndërtojmë ura e të shembim mure, gjerdhe, perde të hekurta. Të ndihmojmë të vetmuarin e të braktisurin, njeriun që e ka humbur kuptimin e jetës. Në këtë Ditë kushtuar rinisë, duam të pohojmë se jeta është e plotë, kur jetohet duke u nisur nga mëshira, sepse kjo është pjesa më e mirë, që askush nuk mund të na e marrë” – përfundoi Papa.

Ishte përfundimi i fjalimit, por jo i kremtimit që vijoi gjatë, deri pas darke, kur Françesku u duk në dritaren e kryeipeshkvnisë për t’i përshëndetur besimtarët mbledhur në sheshin para banesës. I pranishëm edhe një grup çiftesh të reja,  të cilët krijuan atmosferën e një feste, që vijon… 








All the contents on this site are copyrighted ©.