2016-07-26 16:06:00

Rouen, zgjatet vazhda e gjakut të atentateve në Evropë


Të premten e kaluar, sulmi në qendrën tregtare të Mynihut; në natën ndërmjet së dielës e së hënës, kamikazja që shpërtheu para një lokali në Ansabch të Gjermanisë; sot paradite, sulmi në kishën e Rouenit në Normandi: zgjatet vazhda e gjakut, shkaktuar nga sulmet terroriste në zemër të Evropës.

Ja një skedë e shkurtër e atentateve të viteve të fundit:

- 11 mars 2004: 191 të vdekur e gati 2000 të plagosur në një sërë atentatesh me bomba të fshehura në bagazhe, në disa trena të tre stacioneve të Madridit, ndër të cilat Atocha e rrethinat;
- 7 korrik 2005: 56 viktima (ndër të cilat 4 kamikaze) në 4 atentate në metropolitanën e në një autobus në Londër. Rreth 700, të plagosurit. Më 21 korrik, edhe katër shpërthime të tjera, gjithnjë në metropolitanë e në një autobus, por ishin vetëm detonatorë e nuk pati të vrarë;
- 19 mars 2012: një burrë hap zjarr para shkollës hebraike në Tuluzë, duke vrarë një rabin e tre nxënës. Para një jave, po i njëjti person pati sulmuar dy herë ushtarët, në Tuluzë e në Montobë’. Tre të vdekur e një i plagosur;
- 24 maj 2014: vriten katër vetë me kallashnikov në një muze hebraik në Bruksel. Policia arreston një 29-vjeçar francez me origjinë arabe, që dyshohet të kishte qenë në Siri, në vitin 2013, si vullnetar në radhët e xhihadistëve të Isis-it.
- 7 janar 2015: 12 të vdekur në sulmin e dy terroristëve islamikë në selinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo” në Paris. Më 9 janar, terroristi Coulibaly merr peng dhjetra vetë dhe vret katër, në një supermerkatë kosher në Vincennes;
- 14 shkurt 2015: shkëmbim zjarri me armë në një kafe të Kopenhagenit, ku mbahej një konferencë për lirinë e shtypit, organizuar nga Lars Vilks, autori i karikaturave të shumta të profetit Muhamet në vitin 2007. Bilanci: një i vdekur e tre të plagosur. Pak orë më vonë, plumba të tjerë pranë një sinagoge: tre të plagosur.
- 20 korrik 2015: atentat në Suruc të Turqisë, pranë kufirit me Sirinë. 34 të vdekur e qindra të plagosur ndër të rinjtë aktivistë të kauzës kurde. Sulm, që i atribuohet Isis-it;
- 10 tetor 2015: 103 viktima e më se 500 të plagosur shkaktuar nga dy kamikaze para stacionit qëndror të Ankarasë, gjatë një manifestimi pro kurdëve. Akuzohet Isis.
- 13 nëntor 2015: 130 viktima në tre atentate të koordinuara në Paris e rrethina. Tre kamikaze shpërthejnë pranë Stade de France, vdes një kalimtar; 39 viktima në të 11-tin arrondissement, vrarë me kallashnikov qorrazi nëpër bare e restorante; 90 vetë, vrarë nga një komando kamikaze në sallën e koncerteve Bataclan.
- 22 mars 2016: 31 të vdekur e rreth 300 të plagosur në një sërë atentatesh në Bruksel, marrë përsipër nga Isis: dy në aeroportin Zaventem e një në stacionin e metrosë Maalbeek.
- 14 korrik 2016: dhjetra të vdekur (së paku 84, sipas bilancit të parë), rreth 130 të plagosur, prej të cilëve gati 40 rëndë. Ndodh në Nicë, kur një kamion sulet mbi turmën e mbledhur për festë përgjatë bregut të Promenade des Anglais. Atentatori vritet nga policia.
- 18 korrik 2016: një refugjat afgan sulmon udhëtarët e një treni në Bavierë të Gjermanisë, duke i gjuajtur me thika. Bilanci: 5 të plagosur, ndër të cilët 4, rëndë. Djali ikën, por diktohet dhe vritet nga policia.
- 22 korrik 2016: një 18-vjeçar, i fiksuar me atentatet, hyn në një qendër tregtare në Olympia të Mynihut dhe gjuan me armë ku të mundë, duke vrarë 9 vetë, para se të vriste edhe veten.
- 24 korrik 2016: pak para mesnatës, një refugjat sirian 27-vjeçar, i cili ishte betuar për besnikëri ndaj Isis-it, provon të hedhë një bombë artizanale në një koncert me 2.500 vetë. Mund të ndodhte një masakër e vërtetë, e cila u shmang vetëm sepse çanta e mbushur me eksploziv shpërtheu tek hyrja e koncertit, duke vrarë atentatorin.
- 26 korrik 2016: në një kishë të vogël të Rouenit, në Normandi, dy burra hyjnë në meshën e mëngjesit, marrin pengje e presin në fyt meshtarin 86-vjeçar e një besimtar tjetër. Dy agresorët vriten nga policia.








All the contents on this site are copyrighted ©.