2016-07-24 17:40:00

DBR e Krakovit. Atë Lombardi: do të jetë festë e madhe e fesë


Në Poloni vlojnë përgatitjet për DBR-në. Papa do të arrijë në qytetin polak të mërkurën mbasdite, më 27, për t’u rikthyer në Vatikan të diel në mbrëmje. Priten më se 2 milion të rinj. Mbi atmosferën e krijuar në Krakov, në pritje të festës së madhe, edhe në këtë çast tensioni, që përshkon posaçërisht Evropën, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi:

Përgjigje: - Pata shqetësimin, merakun, të dëgjoj - edhe nga organizatorët - cila është klima - në mënyrë që të mund të jap të gjitha siguritë e dëshiruara. E duhet të them se i pata të gjitha konfirmimet siguruese, që mund të dëshiroja, në kuptimin që Polonia nuk duket se ka ndonjë shqetësim ose alarm të posaçëm: njëkohësisht ka edhe seriozitet e aftësi  për t’i marrë si duhet masat e nevojshme të sigurimit. E dimë se këtu ishte takimi i madh i Natos, kohët e fundit, e u zhvillua me qetësinë më të madhe e, prej këndej, edhe përsa i përket DBR-së, me përgjegjësinë e duhur të autoriteteve dhe të të gjithë njerëzve të caktuar, ne shkojmë përpara me qetësi e siguri, me sigurinë se do të jetë një festë e madhe, e bukur. E, më thonë se nuk ka asnjë grup që të jetë tërhequr, madje po fillojnë të vijnë të gjithë me entuziazëm të madh e me të njëjten qetësi. Prej këndej, besoj se duhet të shkojmë përpara me shumë besim që do të jetë një festë e madhe, e bukur e të rinjve me Papën.

Pyetje: - Kohët e fundit janë bërë disa ndryshime të vogla në programin e shtegtimit. Një nga këto është se Papa nuk do ta mbajë fjalimin e përgatitur për ipeshkvijtë polakë, por do t’u flasë lirisht…

Përgjigje: - Unë, të them të vërtetën, nuk do të flisja për ndryshim, por për faktin se Papa e tha qartë sesi dëshiron të zhvillohet ky takim,  e zgjodhi edhe formulën, atë që dëshiron e që e ka zgjdhur edhe për takime të tjera me ipeshkvijtë. Papës i pëlqen gjithnjë të dialogojë, gjë që e ka bërë shumë herë. E jo pse ka frikë nge mjetet e komunikimit: e dimë mirë këtë. E shikojmë në gatishmërinë e tij gjatë intervistave në avion, por ai është shumë i vëmendshëm. Kur dëshiron të krijojë atmosferë plotësisht të lirë  e familjare, i pëlqen që mjetet e komunikimit të mos jenë të pranishme.








All the contents on this site are copyrighted ©.