2016-07-23 18:15:00

Masakër e re në Munih: asnjë lidhje ndërmjet vrasësit gjermano-iranian e Is


Dhjetë të vdekur, ndërmjet të cilëve edhe atentatori, e tridhjetë të plagosur: ky, bilanci i masakrës, që tronditi, dje pasdite, Munihun e Bavarisë në një restorant McDonalds një herë, e pastaj para një qendre tregtare plot me njerëz. Qëlloi një gjermano-iranian me çrregullime psikike. Ndërmjet viktimave, tre ishin kosovarë e tre turq. Kancelarja gjermane Angela Merkel foli për një “natë tmerri e frike”, duke shtuar edhe se do të garantohet siguria dhe liria për të gjithë.

Kujtojmë se Ali Sonboly, 18 vjeç, me dyshtetësi gjermane e iraniane, që mjekohej prej kohe nga depresioni dhe ndiqte mjekime psikiatrike, nuk kishte asnjë lidhje me Shtetin e vetëshpallur Islamik (Is). Ky është identikiti i vrasësit, i cili mbrëmë, në Munih, nisi të qëllonte me një pistoletë, pak para orës 18.00, në një fast food. Vijoi, pastaj, zjarrin në qendrën tregtare “Olympia”. Ndërmjet viktimave, tre janë tepër të rinj. Ndërsa vrasësi, i ndjekur nga policë të veshur civilë, vrau veten. Mendohet se kjo ngjarje nuk ka lidhje me terrorizmin e as paralelizëm me sulmin tjetër me sëpatë e me thikë të një 17 vjeçari afagan, në një tren, në Wuerzburg, gjithnjë në Bavari. Kancelarja Angela Merkel mblodhi menjëherë Komitetin ndërministeror federal për sigurinë, ndërsa merrte mesazhe solidariteti nga  mbarë Evropa, e edhe nga Shtëpia e Bardhë. Por,  të dëgjojmë dëshminë e atë Gabriele Parolin, kapelan i bashkësisë katolike italiane në Munih:

Përgjigje: - Nga njëra anë u shastisem, mbasi askush nuk e priste një atentat në Munih. Deri dje dukej qytet krejt i sigurt, i qetë e shumë mikpritës. Që të ndodhte diçka e tillë këtu, më duket ende e pamundur.

Pyetje: - Ndjeheni të rrezikuar?

Përgjigje: - Jo, aspak. Gjermania dukej krejt e qetë e nuk priste rreziqe të tilla. E tani u krijua kjo situatë, që duhet ta përballojmë e që na kujton se asnjë vend nuk është i qetë, të paktën në Evropën tonë perëndimore.








All the contents on this site are copyrighted ©.