2016-07-22 18:06:00

DBR. Kardinali Parolin: Françesku me të rinjtë gjatë hartës së Ungjillit


Një mozaik mëshire e harmonie! Kështu e quan Françesku DBR-në, që tashmë ka trokitur në portën e Krakovit, ku Papa do të arrijë të mërkurën e ardhshme për shtegtimin e tij të 15-të ndërkombëtar në vendlindjen e Shën Gjon Palit II. Intervistuam, për këtë ngjarje të madhe, sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin:

Përgjigje: - Papa Françesku do të ecë në të njëjtën udhë, që e nisi Gjon Pali II e, pastaj, e përshkoi edhe Benedikti XVI. Udhë përkrah të të rinjve, udhë feje, shprese, dashurie. Udhë, që e ka një cak, e caku është gjithnjë i njëjtë, takimi me Jezu Krishtin dhe propozimi që Papa do të vijojë t’ua bëjë gjithë të rinjve pjesëmarrës. Udhë, që e ka një hartë, e harta është Ungjilli, është mësimi, është magjisteri i Kishës. E kjo udhë e ka edhe bukën e vet, Eukaristinë. Pra mund të themi se ndryshojnë skenat, natyrisht janë të ndryshme, kontinente të ndryshme, vende të ndryshme, por shtegtimi vijon, ka vazhdimësi në këtë shtegtim. E më duket se, përsa i përket shërbesës së Gjon Palit II, mund të nënvizojmë edhe faktin se kjo Ditë Botërore e Rinisë kremtohet në zemrën e Vitit Shenjt të Mëshirës. Të thuash mëshirë, do të thotë të kujtosh trashëgiminë magjisteriale e shpirtërore të Papës Wojtyla, të Shën Gjon Palit II, që i kushtoi një nga enciklikat e tij të para “Dives in Misericordia”, pikërisht realitetit të mëshirës e, pastaj, mori shumë nisma për ta nënvizuar këtë aspekt: mjafton të kujtojmë shenjtërimin e Motër Faustinës, në vitin Shenjt e akoma, themelimin e së Dielës së Mëshirës Hyjnore, në të dielën in Albis, e Diela e dytë e Pashkëve. Prej këndej mund të themi se Gjon Pali II e nënvizoi shumë këtë aspekt, të cilit do t’i rikthehet Papa Françesku gjatë këtyre ditëve, për ta ndezur këtë shkëndijë, shkëndijën e mëshirës, në zemrat e të rinjve e për të bërë që të  shpërthejë flaka e mëshirës në mbarë botën, sipas temës së ditës: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë”.

Pyetje: - Krakovi është edhe qyteti  i Shën Faustinës Kowalska, apostulle e Mëshirës Hyjnore. Besoj se kapërcimi i Portës Shenjte në Lagiewniky do të jetë një nga çastet emocionuese të këtij Jubileu?

Përgjigje: - Natyrisht, pikërisht në përmasën, të cilën sapo e kujtova, të kësaj lidhjeje me temën e Mëshirës Hyjnore. Papa e thotë qartë edhe në mesazhin, që u drejtoi të rinjve pjesëmarrës, se kjo udhë do të thotë të shkosh te Jezu Krishti e do të jetë përpjekje për ta lënë t’i shikojë, do të jetë takim me sytë e Tij të mëshirshëm, për ta thënë me besim e lëshim të plotë në dorë të Tij, lutjen, që na e mësoi Shën Faustina: “Jezus, besoj në Ty!”. E besoj se kjo do të jetë edhe përvoja e Papës: do të jetë ai, që do ta provojë i pari këtë përvojë të takimit me Zotin, këtë përvojë të Mëshirës Hyjnore. Papa do të shkojë vetë në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore e aty edhe do të rrëfejë disa të rinj, do të ushtrojë shërbesën e mëshirës e edhe do të lutet në vendet ku jetoi Motër Faustina, posaçërisht në Kapelën, ku pati shumicën e vegimeve, ku shkroi edhe ditaret e saj e ku lindi kjo përshpirtëri e veçantë e Jezusit të mëshirshëm, e pastaj, së bashku me të gjithë shtegtarët, do ta kapërcejë edhe Portën Shenjte.

Pyetje: - Papa  shkon në zemër të Evropës e, me Poloninë, viziton vendin e parë të madh evropian, pas shtegtimit në Strasburg. Cili do të jetë mesazhi, që do t’i dërgojë mbarë Evropës?

Përgjigje: - Natyrisht që ky është shtegtim në Ditën Botërore të Rinisë, prej këndej besoj se Papa nuk do t’i flasë drejtpërdrejt Polonisë, vend ku zhvillohet kjo nismë, e as Evropës drejtpërdrejt, sepse ka para vetes të rinj, që përfaqësojnë mbarë botën. Edhe pse është e vërtetë që kjo ditë  kremtohet në një vend në zemër të Evropës, besoj se shumica e të rinjve, që do të marrin pjesë do të jetë posaçërisht nga Evropa. Përsa i përket Evropës, besoj se Papa do t’u përsërisë këtyre të rinjve mesazhin, që e ka shprehur si në Parlamentin e Strasburgut, ashtu edhe në rastin e dorëzimit të Çmimit të Karlit të Madh. Mund ta përmbledhim me dy fjalë: mesazh shprese për ardhmërinë e Evropës. E përballë një mori sfidash, që duhet të kapërcehen për ndërtimin e Evropës, është mesazh guximi për rizbulimin e rrënjëve të vërteta të krishtera të Kontinentit, rrënjë, që i krijuan kushtet për të qenë, ky që është. Papa kujtonte, sidomos, frymën humanistike,  që e karakterizoi gjithnjë e, njëkohësisht edhe guximin, që do të thotë të dish ta kumtosh Ungjillin në kushte të ndryshme të jetës, e përballë problemeve të mëdha, që duhen përballuar çdo ditë, posaçërisht problemi i varfërisë së madhe, si asaj shpirtërore, ashtu edhe materiale.  

Pyetje: - Në Czestochowa, para Zojës së Zeshkët, Françesku do të kujtojë 1050 - vjetorin e Pagëzimit të Polonisë. Bashkësia katolike polake është ende dëshmitare besnike e guximtare e kësaj feje?

Përgjigje: - Jam shumë i kënaqur për faktin se Ati i Shenjtë më bëri nder, duke më emëruar të dërguarin e tij, prillin e kaluar, në të njëjtën rrethanë. E kështu isha në Poznan e Gniezno dhe kryesova kremtimet për 1050- vjetorin e Pagëzimit të Polonisë të cilat, në një farë kuptimi, e plotësuan atë, që mungoi në festën e mijëvjeçarit. Asokohe, siç e dimë të gjithë, situata politike e Polonisë e pengoi Papën Pali VI të shkonte, ashtu siç e kishte dëshiruar me gjithë shpirt. Kështu mund ta shikojmë si vazhdimësi të këtij kremtimi, para së gjithash, për ta falënderuar Zotin. Për këtë shkon Papa, për ta falënderuar Zotin, së bashku me Kishën polake, me barinjtë e besimtarët, për këto një mijë vjet feje të krishterë. E mendoj edhe për atë, që ndodhi këto 50 vjet: për rifitimin e lirisë e për mundësinë e shprehjes së lirë të fesë. Besoj se Kisha polake, për sa munda ta shikoj drejtpërdrejt gjatë vizitës sime, e edhe vizitave të tjera, është Kishë ende e fortë. Kishë plot gjallëri e cila, e bashkuar me barinjtë, vijon ta dëshmojë fenë edhe në rrethanat aktuale, në ndryshim të vazhdueshëm. Ka shumë familje të mira, shumë të rinj, që vijojnë të angazhohen në formimin e jetës së krishterë, ka hov e zell misionar e edhe dëshirë për apostullim. Ka ende shumë thirrje për jetën meshtarake e rregulltare. Prej këndej mund të them, ka një ind, që vijon të jetë i fortë, t’u bëjë ballë kushteve të reja, të cilat, natyrisht, është e thirrur t’i përballojë, siç e kujtova edhe më parë. E sfida kryesore është pikërisht ajo e shekullarizimit, domethënë, humbja e kuptimit të Zotit, prirja për të jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte fare në shoqëritë tona. Në këtë kuptim, Kisha polake duhet të jetë krijuese, me horizonte të gjera, për të gjetur mënyra të reja e për t’iu përgjigjur problemeve të reja.

Pyetje - Papa do të jetë edhe para tmerreve të Auschwitz-it e të Birkenau-t e, nga ana tjetër, të dhembjeve të të sëmurëve të vegjël në Spitalin pediatrik të Krakovit… Kësaj i thonë t’i prekësh me dorë vuajtjet e djeshme e të sotme… Besoj se Papa do të kujtojë edhe dëshminë e atyre, që dhuruan jetën e vet, për të jetuar të tjerët, ashtu si Maksimilian Kolbe…

Përgjigje: - Është interesante se Papa, që në fillim, kur po e programonte këtë shtegtim, i deshi këto dy çaste. E unë i fola për vendin e tmerrit dhe vendin e dhimbjes. Vendi i tmerrit, Auschwitz e Birkenau, dëshmia e Maksimilian Kolbes, holokausti i popullit hebraik.... thua ka më tmerr se kaq? E do të jetë prani, që do të ketë më shumë kuptimin e thirrjes pa fjalë, në heshtje, sepse Papa, me këtë rast, nuk do të mbajë fjalime, nga që besoj, e beson, se përballë tmerreve, heshtja nganjëherë flet më shumë se fjala… Është kujtim i gjithë atyre viktimave të urrejtjes e të çmendurisë njerëzore,  për të mos harruar se edhe sot, për fat të keq, ekzistojnë situata dhune, shpërfilljeje për jetën njerëzore, përbuzjeje për njeriun, situata në të cilat  krijohet fryma e përçarjes, vijon të përdoret terrori, terrorizmi, për interesa personale ose për realizimin e interesave ekonomike e politike. E, nga ana tjetër, aspekti i spitalit,  parë si afërsi ndaj dhimbjes së njerëzve. Papa kujton shpesh se Kisha duhet të jetë pranë, Kisha duhet t’i ngushëllojë të gjithë ata, që vuajnë. E kush më shumë se fëmija i sëmurë ndodhet në një situatë të tillë, kush më shumë kërkon të ketë dikënd pranë, si samaritan të mirë… Besoj se vizita në spital ka pikërisht këtë kuptim.  Papa ka bërë edhe vizita të tjera të kësaj natyre. Kujtoj se në Meksikë, më duket kur vizitoi një spital tjetër pediatrik, foli për mjekimin e dashurisë. Për dashuri-terapinë. Ja, pra, besoj se edhe këtu do të përdorë të njëjtën terapi e do të na ftojë edhe ne të gjithëve të bëjmë të njëjtën gjë për këta fëmijë e për të gjithë ata, që vuajnë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.