2016-07-22 15:45:00

Papët përballë terrorizmit islamik


Bota ka ndryshuar pas 11 shtatorit 2001, pas atentateve të tmerrshme të Al Kaedës kundër SHBA-ve. Jo sepse sulme të përgjakshme terroriste, masakra e viktima të pafajshme nuk ka pasur edhe më parë, në shumë rajone të globit, por sepse ato katër sulme kamikaze, të cilat shndërruan avionë të zakonshëm linje në bomba vdekjeprurëse, që u kushtuan jetën 3 mijë vetëve, treguan për një hap të rrezikshëm cilësor në gjirin e fundamentalizmit islamik, i cili arriti ta godasë në zemër Perëndimin.

Në pesëmbëdhjetë vjet, nuk duket se është bërë ndonjë reflektim i vërtetë e serioz i arsyeve, që e shkaktuan këtë fenomen. Asnjë autokritikë serioze nuk bëhet edhe sot, për format e financimit të fshehtë e për trafikun e armëve, si edhe për pasojat katastrofike të disa politikave perëndimore, që mbështesin dhe armatosin grupe të organizuara rebelësh, të cilët duhet të hedhin poshtë atë apo këtë regjim e pastaj, duhet t’u bëjnë ballë atyre, që vetë i kanë armatosur e ushqyer: Ky qe edhe rasti i Al Kaedës e është edhe rasti i Isis-it dhe i fundamentalizmit islamik, financuar nga vende, që Evropa dhe SHBA-të vazhdojnë t’i konsiderojnë partnerët dhe aleatët e tyre më të mirë, pavarësisht nga mangësitë në demokraci. Kjo e fundit është vlerë “për t’u eksportuar” dhe pretekst për luftëra me pasoja shkatërrimtare (si rasti i Irakut dhe i Libisë), por nga ana tjetër, është vlera “më e negociueshme” me vendet, që konsiderohen “miq”.

Është interesante të kujtohet si u sollën para atentateve me natyrë islamike, shën Gjon Pali II, i cili e përjetoi në vitet e fundit të jetës këtë ndryshim epokal dhe mësymjen e terrorizmit fundamentalist në skenën botërore, si edhe pasardhësi i tij Benedikti XVI.

Të nesërmen e sulmeve të 11 shtatorit, që ndodhën në një të martë, Papa Vojtila mbajti audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. “Nuk mund ta filloj këtë audiencë – tha atëherë – pa shprehur dhimbjen e thellë për sulmet terroriste, që gjatë ditës së djeshme, përgjakën Amerikën, duke shkaktuar mijëra viktima e shumë të plagosur. Presidentit të SHBA-ve dhe gjithë qytetarëve amerikanë u shpreh ngushëllimet e mia më të thella. Para ngjarjeve kaq të tmerrshme nuk mund të mos shqetësohemi thellësisht. Bashkohem me të gjithë ata, që në këto orë, kanë shprehur plot indinjatë dënimin e tyre, duke ripohuar me forcë se udhët e dhunës nuk çojnë kurrë drejt zgjidhjeve të vërteta të problemeve të njerëzimit”.

“Dje ka qenë një ditë e errët e historisë së njerëzimit – vijoi Gjon Pali II – një fyerje e tmerrshme për dinjitetin e njeriut. Sapo e mora vesh lajmin, e ndoqa intensivisht zhvillimin e situatës, duke i lartuar Zotit lutjen time më të flaktë. Si mund të ndodhin episode kaq egërsisht barbare? Zemra e njeriut është humnerë nga ku, nganjëherë, dalin plane mizore të papara, të afta, në një çast të vetëm, ta përmbysin jetën e qetë të një populli punëtor”. Papa u lut për viktimat dhe shprehu afërsinë e tij për familjarët, duke u përgjëruar të mos mbizotëronte “spiralja e urrejtjes dhe e dhunës”. Nuk pati thënë asgjë për natyrën islamike të atentatit.

Pak ditë më pas, Vojtila u nis për në Kazakistan, vend me shumicë myslimane. E më 23 shtator, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mbyllje të meshës, u bëri “një thirrje të fuqishme të gjithëve, të krishterëve e ndjekësve të feve të tjera, që të bashkëpunojnë për të ndërtuar një botë pa dhunë, një botë që e do jetën e zhvillohet në drejtësi e solidaritet. Nuk duhet të lejojmë që këto ndodhi të çojnë drejt ashpërsimit të ndarjeve. Feja nuk duhet të përdoret kurrë si arsye për konflikt”. Duke i ftuar “si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, t’i luten me zjarr të Vetmit Zot të Gjithpushtetshëm, krijues i të gjithëve, që në botë të mbretërojë e mira themelore e paqes. Që njerëzit e të gjitha vendeve, të përforcuar nga urtia hyjnore, të punojnë për qytetërimin e dashurisë, në të cilin nuk ka vend për urrejtjen, diskriminimin e dhunën”.

Në homelinë e meshës së kremtuar në Shën Pjetër, më 1 janar 2002, për Ditën Botërore të Paqes, Gjon Pali II bëri sërish një thirrje “të zjarrtë për të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, që binomi ‘drejtësi e falje’ të karakterizojë gjithnjë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, ndërmjet grupeve shoqërore e ndërmjet popujve. Ky apel është para së gjithash, për ata që besojnë në Zot, në veçanti për tri fetë e mëdha të Abrahamit, hebraizmin, krishterimin dhe islamin, të thirrura ta refuzojnë me forcë e vendosmëri dhunën. Askush, për asnjë arsye, nuk mund të vrasë në emër të Zotit të vetëm e të mëshirshëm. Zoti është Jetë dhe burim jete. Të besosh në Të do të thotë të dëshmosh mëshirën dhe faljen e Tij, duke refuzuar instrumentalizimin e Emrit të Tij të shenjtë”.

Pak ditë më pas, duke pritur Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, Papa Vojtila pati thënë se “përballë agresionit barbar dhe masakrave shtrohet jo vetëm çështja e mbrojtjes së ligjshme, por edhe ajo e mjeteve më të përshtatshme për të çrrënjosur terrorizmin, si edhe kërkimi i shkaqeve që qëndrojnë në zanafillën e veprimeve të tilla dhe ajo e masave që duhen marrë për të filluar një proces ‘shërimi’, për të kapërcyer frikën dhe për të shmangur që e keqja t’i shtohet së keqes, dhuna, dhunës”.

Sërish, më 24 janar, në Asizi, ku pati organizuar një takim të ri e të jashtëzakonshëm fesh, për t’u lutur për paqen e kundër dhunës, Papa polak tha: “Njerëzit dhe bashkësitë fetare e kanë për detyrë ta hedhin poshtë qartë e me forcë çdo dhunë, duke u nisur nga ajo, që pretendon të vishet me fe, dhe përdor madje edhe emrin e shenjtë të Zotit për të fyer njeriun. Fyerja kundër njeriut është, në fund të fundit, fyerje kundër Zotit. Nuk ka qëllim fetar që mund ta justifikojë praktikën e dhunës së njeriut mbi njeriun”.

Më 11 mars 2004, në Madrid, një sërë sulmesh terroriste me natyrë islamike kundër trenave shkaktuan vdekjen e 191 vetëve e mëse dymijë të plagosur. Gjon Pali II, gjithnjë e më i sëmurë, në kurthin e Parkinsonit, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 14 mars, tha: “Para kaq shumë barabarish mbetemi thellësisht të tronditur dhe e pyesim veten si mund të arrijë shpirti njerëzor të konceptojë gjëra kaq të neveritshme. Duke përsëritur dënimin absolut për akte të tilla të pajustifikueshme, shpreh edhe një herë pjesëmarrjen time në dhimbjen e familjarëve të viktimave dhe afërsinë në lutje për të plagosurit dhe të afërmit e tyre”. Edhe në këtë rast, Papa nuk e përmendi aspak natyrën islamike të atentateve.

Pas vdekjes së Papës Vojtila, pasardhësi i tij Benedikti XVI, që në muajt e parë të papnisë, u gjet para rritjes së terrorit në Evropë. Më 7 korrik 2005, në Londër, një sërë shpërthimesh, shkaktuar nga atentatorë kamikaze, në transportet publike të kryeqytetit britanik, në orën e pikut të njerëzve, lanë pas 56 të vdekur e 700 të plagosur. Tri ditë më vonë, në Engjëllin e Tënzot, Papa Ratzinger thoshte: “Provojmë të gjithë dhimbje të thellë për atentatet mizore terroriste në Londër. Lutemi për të vrarët, për të plagosurit dhe të afërmit e tyre. Por lutemi edhe për atentatorët: Zoti i prektë zemrat e tyre. Atyre që ngjallin ndjenja urrejtjeje dhe kryejnë aksione terroriste kaq të përbuzshme, u them: Zoti do jetën, të cilën e ka krijuar, e jo vdekjen. Ndaluni, në emër të Hyjit!”. Papë tjetër, por edhe kësaj radhe, asnjë fjalë për natyrën islamike të atentatit.

Një vit më vonë, Benedikti XVI kthehej për herë të dytë si Papë në Gjermani, për vizitë në Bavierën e tij. Në Regensburg, universiteti ku kishte dhënë mësim para se të zgjidhej, në moshën 50-vjeçare, si kryeipeshkëv i Mynihut, e priti për një “lectio magistralis”. Një citim i fjalëve të ashpra të perandorit Emanuel Paleologu ndaj Muhametit e ndaj dhunës, shkëputur nga konteksti dhe instrumentalizuar sidomos nga televizionet e botës arabe, shkaktoi reagime të forta, manifestime, incidente. U harrua shpejt se ai fjalim përfaqësonte, para së gjithash, një kritikë të ashpër kundër Perëndimit: “Në botën perëndimore – thoshte Papa Ratzinger – dominon gjerësisht opinioni se vetëm arsyeja pozitiviste dhe format e filozofisë që rrjedhin prej saj, janë universale. Por kulturat thellësisht fetare të botës e shohin pikërisht në këtë përjashtim të hyjnores nga universaliteti i arsyes, sulmin kundër bindjeve të tyre më të thella. Një arsye, që para hyjnores, bëhet e shurdhër dhe e konsideron fenë si nënkulturë, nuk është e aftë të hyjë në dialogun e kulturave”.

Më 25 shtator 2006, pak ditë pas asaj “Lectio magistralis”, Benedikti XVI priti në Castel Gandolfo, ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane dhe përfaqësuesit e disa bashkësive islamike. Në atë rast, e dha ai vetë çelësin interpretues të fjalimit të Regensburgut. Kujtoi ç’thotë Koncili II i Vatikanit, që “për Kishën Katolike – pohoi – përbën Magna Charta-n e dialogut islamo-kristian: ‘Kisha i sheh me vlerësim edhe myslimanët, që adhurojnë të vetmin Zot, të gjallë e jetësor, të mëshirshëm e të gjithpushtetshëm, krijues i qiellit dhe i tokës, i cili u ka folur njerëzve. Ata përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër urdhërimeve, edhe të fshehta, të Zotit, ashtu siç u nënshtrua Abrahami, të cilit i referohet pa problem feja islamike”.

Benedikti XVI theksoi se “dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor i të krishterëve me myslimanët nuk mund të reduktohet në një vendim të çastit. Është fjala për një nevojë jetësore, nga e cila varet, në masë të madhe, e ardhmja jonë”. E shtoi: “Në një botë të karakterizuar nga relativizmi, që tepër shpesh e përjashton transhendencën nga universaliteti i arsyes, kemi absolutisht nevojë për një dialog të vërtetë ndërmjet feve e kulturave”.

“Të dashur miq – përfundoi Papa Ratzinger – jam thellësisht i bindur se, në situatën e sotme të botës, është detyrë e myslimanëve dhe e të krishterëve të impenjohen për t’i përballuar së bashku sfidat e shumta me të cilat ndeshet njerëzimi, sidomos përsa i përket mbrojtjes dhe promovimit të dinjitetit të njeriut si edhe të të drejtave që rrjedhin prej tij”.

(Artikull i Andrea Tornielli-t, me titullin origjinal “I Papi di fronte al terrorismo islamico”, botuar në gazetën italiane “La Stampa, më 18.07.2016)








All the contents on this site are copyrighted ©.