2016-07-22 13:40:00

Papa të rinjve, në një libër kushtuar Nënë Terezës; shërbejuni të varfërve


Papa Françesku ka shkruar parathënien – botuar sot nga gazeta italiane “Corriere della Sera” -  e librit “Ta duam të padashurin”, në të cilin Emi (Editrice Missionaria Italian)”  na njeh me dy fjalime, shqiptuar nga Nënë Tereza në vitin ’73, në Milano, gjatë një takimi me disa rregulltare të reja. Papa e përmbledh reflektimin e tij në pesë fjalë: lutja, bamirësia, mëshira vepruese, familja, të rinjtë.

Flitet e shkruhet shumë për Nënë Terezën, në prag të shenjtërimit. E nësa afrohet data 4 shtator, Papa e paraqet edhe një herë si shembull, që duhet ndjekur.  

Françesku i nis reflektimet me fjalën lutje e kujton menjëherë se “Nënë Tereza e fillonte ditën, duke marrë pjesë në Meshë dhe e mbyllte me Adhurimin e Jezusit në Sakrament”. Dashuri pa cak. Vetëm kështu puna mund të shndërrohet në  lutje - pohon Papa. - Nëse hyjmë në zemrën e Jezusit, mund ta shijojmë jetën e t’i shikojmë me sy të rinj gjithë njerëzit.

Fjala e dytë është dashuria e krishterë, bamirësia në emër të Krishtit, shpjegon Françesku. E kjo do të thotë “të bëhesh i afërm në periferitë e burrave e të grave, që i takojmë për ditë e të ndjejmë dhembshuri për të fundmit në korp e në shpirt”, “të bëhemi dëshmitarë të ledhatimit të Zotit  për çdo plagë të njerëzimit, që të mund t’u ofrojmë njerëzve, të cilët e dëshirojnë, praninë dhe afërsinë e Tij”.

Lidhur me mëshirën vepruese, Papa kujton se me veprat e mëshirës trupore e shpirtërore, jemi të thirrur të kujdesemi për çdo njeri. “Do të jetë një mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjet tona, shpesh të dremitura, përballë dramës së varfërisë e për të hyrë gjithnjë më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore”.

Nënë Tereza i bëri këto faqe të Ungjillit - vëren Françesku - prijëse të jetës së saj, udhë drejt shenjtërisë, që mund të jetë dhe udha jonë.

Fjala e katërt, familja. Këtu mësojmë nga nëna  e babai - shkruan Papa - të buzëqeshim, të falim, të flijohemi për njëri-tjetrin, siç na fton Nënë Tereza.

E, në fund, edhe një fjalë për të rinjtë, me të cilët do të takohet javën  e ardhshme  në DBR-në të Krakovit. Papa i fton të jenë “ndërtues urash, për ta copëtuar logjikën e përçarjes, të përjashtimit, të frikës së njeriut prej njeriut e për t’u vënë në shërbim të të varfëve më të varfër. I nxit ta përballojnë me guxim jetën, që është dhuratë e Zotit e të mos lejojnë t’ua rrëmbejë kush ardhmërinë nga duart e tyre.

Në librin kushtuar Nënë Terezës, që Papa do ta shpallë Shenjte më 4 shtatorin e ardhshëm, pohohet se “sëmundja më e rëndë nuk është gërbula, as tuberkulozi, por vetmia”. Prej saj burojnë një mori çrregullimesh, përçarjesh e luftërash, që sot e trondisin rëndë njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.