2016-07-21 14:19:00

Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës. Pa kurrfarë shpërblimi!


Në emisionin e 48-të të rubrikës sone radiofonike Jubileu, Viti Shenjt i Mëshirës, vijojmë përsëri me shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, që ne e quajtëm e Atit të mëshirshëm, duke ndjekur rrëfimin sipas Ungjillit të Lukës (Lk 15, 11-32).

Po rikthehemi tek kjo shëmbëlltyrë, sepse i ngjet një lëmshi me shumë fije. E ne sot po zgjedhim fijen më të rëndësishme, që na ndihmon ta zhdredhim lëmshin e jetës, gjithnjë të ngatërruar keqas: atë të shpërblimit. Jezusi e cek që në fillim temën e shpërblimit, si pjesë e të drejtave më të natyrshme  të  njeriut. Një atë ka dy bij; njeri i kërkon atë, që i përket, e i ati ia ndan gjënë. Asokohe ligji judaik parashikonte që djali i madh të merrte dy pjesë, i vogli, një të tretën e trashëgimit (Lp 21,17). Ati i mëshirshëm nuk bën asnjë kundërshtim: ia jep menjëherë djalit të vogël pjesën, që i takon. Ndërsa djali i bën rrush e kumbulla paratë e t’et, duke jetuar si shkapërdar në një vend të largët, pjesa tjetër e trashëgimit është e sigurt e mbarshtohet nga djali i madh. Po ta mendosh drejt punën, nëse e kur djali më i vogël do të mund të kthehej në shtëpi, nuk kish ç’të kërkonte as nga i ati e as nga i vëllai. E kishte prishur tashmë pjesën  e vet.  Faji i tij i rëndë  mund edhe të falej, por kurrë të harrohej. E edhe nëse i ati do ta harronte, do të ishte aty, përkrah tij, djali i madh, gati për t’ia kujtuar. Kështu do të respektohej edhe ligji për ndarjen e pasurisë në gjirin e familjes: shpërblimi i së mirës me të mirë e i së keqes, me të keqe.

Po shëmbëlltyra e Zotit e shkel fund e maje ligjin mbi trashëgiminë, duke nxjerrë në pah me forcë, dashurinë e atit. Dashuri pa shpërblim! Ati nuk i pret dy djemtë, duke qëndruar në shtëpi, nuk pyet fare nëse i vogli është penduar a s’është penduar. Nuk i kërkon t’i tregojë ku  e çoi pasurinë e fituar pa mundim, por organizon menjëherë një festë me këngë e valle. E pakonceptueshme, edhe sjellja e atit me djalin e madh; nuk e pret, kur kthehet nga ara, ku punonte për llogari të familjes e as i kërkon mendimin për mënyrën si duhej sjellë me të voglin. Kështu shëmbëlltyra na zbulon fytyrën më njerëzore të Zotit, të cilit nuk i mungon kurrë dashuria pa asnjë shpërblim për njeriun, madje e ka me tepri.

Në kundërshim me atin, i cili e shkel ligjin e ndarjes së pasurisë, dy vëllezërit nuk arrijnë ta kapërcejnë logjikën, që të kujton se kush jep, duhet edhe të marrë. Logjika e shpërblimit, pra. Djali i vogël e merr pjesën e trashëgimit që i përket dhe e shkapërderdh pa dhimbje, me gra të përdala,  sepse nuk e ka fituar vetë e vendos të rikthehet në shtëpi, kur s’i ka mbetur më as para, as forcë. Nuk kthehet tek i ati, sepse u pendua, por sepse nuk gjen më asnjë rrugëdalje. Në këtë mënyrë  s’mund të presë tjetër, veçse të trajtohet si rrogëtarët e t’et. Nuk është pendimi, që e shtyn të kthehet, e shtyn uria!

Tek shpërblimi e ka mendjen edhe i madhi, në shërbim t’et me vite, pa shkelur asnjë nga urdhërat e tij, e megjithatë, pa marrë as edhe një kec, për të festuar me miqtë e tij. Kur shikon sjelljen e t’et, i madhi e akuzon se ka shkelur parimin e shenjtë të shpërblimit: nuk mund ta quajë vëlla tjetrin, por vetëm “ ky, yt bir”. Mungesa e shpërblimit e shtyn deri në atë pikë, sa të mos e njohë atin për atë e vëllain për vëlla.

Disa nga komentuesit vërejnë se në shëmbëlltyrë mungon figura e nënës. Mungon vërtet, në përkim me ligjin, sepse nuk i përkiste nënës, po atit, e drejta për të ndarë pasuritë e familjes. E këtu njihemi një atë që jo një herë, por dy, e fal të birin e gëzohet për kthimin e tij. E fal, pa i kërkuar asnjë shpërblim. Me dashurinë e mëshirën, që na kujtojnë menjëherë vetë Zotin dhe mëshirën e Tij të pambaruar! Po këtë argumet do ta thellojmë në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.