2016-07-18 13:55:00

Skenare të reja në Turqi: analizë e Fulvio Scaglione


I kthyer në Stamboll, i pritur nga një turmë vigane e i brohoritur nga mijëra përkrahës, në festë, që shpalosnin flamujt e Turqisë e himnizonin Allahun, presidenti Erdogan premtoi se “tradhtarët” do ta paguajnë shtrenjt. Për t’i analizuar  skenaret e ndryshme, që hapen dhe sfidat, që duhet të përballojë kreu i shtetit turk, intervistuam Fulvio Scaglione-n, zëvendës-drejtor i revistës “Familja e Krishterë:

Përgjigje: - Dihet se Erdogani do ta shfrytëzojë rastin për të larë hesapet e për të hequr qafe ndonjë armik, madje, mundësisht, për ta zhdukur fare. Nga ana tjetër, ky grusht ushtarak shteti është vijim i diskutimeve të hapura prej kohe. Për shembull, Erdogan, gjatë sundimit të tij, bëri një spastrim energjik në forcat e armatosura, gjithnjë të rrezikshme për kë dëshiron të qeverisë një Turqi, që nuk është përsosurisht perëndimore e antislamike. Prej këndej, duhet të presim shumë dënime të rënda, që megjithatë, mund të kenë edhe një farë kufiri, për faktin se ky grusht shteti ishte një këmbanë alarmi, pas sa e sa këmbanave të kësaj natyre, për pushtetin e Erdoganit. Erdogan - është e kotë ta fshehim - ka pësuar shumë dështime: dështim në politikën me kurdët, në politikën me Sirinë, dështim në politikën me Rusinë, gjë, për të cilën iu desh të kërkonte edhe falje, e dështim edhe në kundërvënien me Izraelin….

Pyetje: -  Duket se Turqia ka edhe një problem të brendshëm, apo jo? Pamë se përkrahësit kryesorë të Erdoganit, që nxitën edhe protestat në shesh kundër ushtarakëve, u shprehën qartë edhe për një Turqi islamike, të bazuar mbi Islamin…

Përgjigje: - Ata që flasin për lidhjen e Erdoganit me Islamin e islamizimin, nxitohen. Është e vërtetë se, në një farë mënyre, Erdogan e  riislamizoi Turqinë, por është po aq e vërtetë edhe se, me këtë veprimtari,  siguroi qetësinë, posaçërisht në vitet e suksesit ekonomik të vendit, sepse edhe kjo nuk duhet harruar: Erdogan i siguroi Turqisë vite e vite  gjallërie ekonomike e, duke u mbështetur mbi një islamizëm të moderuar,  nuk lejoi   të shkelte edhe në Turqi islamizmi ekstremist, që ndërkaq u përhap e u fuqizua në të katër anët e Lindjes së Mesme. Tashti duhet parë ç’do të bëjë. Besoj se Erdogani nuk do të mund ta shtypë shumë pedalen e  islamizmit, pikërisht sepse Turqia, së paku deri para këtij grushti shteti, synonte të lidhej me Perëndimin: donte të ishte aleati më i mirë i SHBA-ve  në Lindjen e Mesme, e edhe të hynte në Bashkimin Evropian… Prej këndej, nuk mund t’ia lëshojë shumë frerin islamizmit…

Pyetje: - Erdogan vijon ta akuzojë predikatarin mysliman Fetullah Gulen, gjë që krijon rrezikun të hapë probleme me SHBA-të…

Përgjigje: - Gulen ishte, për shumë vjet, aleati kryesor i Erdoganit; ishte  truri fetar i veprimtarisë politike të Erdoganit. Gulen kishte ndikim të fortë mbi Turqinë, pikërisht përmes rrjetit të shkollave, sistemit edukativ. Pastaj udhët e tyre u ndanë: Erdogan eci në një rrugë politike, që e çoi gjithnjë më shumë në përqendrimin e pushetit në një grusht të vetëm; ndërsa Gulen shkoi në SHBA, ku jeton nën mbrojtjen e autoriteteve amerikane. Kjo lidhet ngushtë me grushtin e shtetit, ngaqë është e pamundur të mendohet se ushtarakët turq ngritën krye, pa iu ndezur drita e gjelbër e semaforit nga ana e SHBA-ve. E kjo, ndërmjet problemeve të shumta, që ka Turqia me Rusinë, Izraelin, Sirinë, kurdët, i hap edhe një avaz të ri me SHBA-të.  Erdogani mund të përfitojë nga fakti se presidenca e Barak Obamës është në përfundim, por nuk mund t’i shtojë edhe SHBA-të në listën e atyre, që kanë marrëdhënie të ndera me të.

Pyetje: - Krijohet edhe një problem ushtarak, ai i pranisë së Turqisë në Nato…

Përgjigje: - Aleanca Atlantike nuk do të heqë kurrë dorë nga Turqia, e kjo, për Erdoganin, është mbështetje e fortë. Sidoqoftë, duket se kjo situatë, deri tani e ngarkuar me dyshime e fatkeqësi, kështu edhe do të vijojë…

Pyetje: - Erdogan luajti një rol të rëndësishëm edhe në krizën e Lindjes së Mesme…

Përgjigje: - Besoj se Erdogan nuk është hutuar aq nga ky grusht i dështuar shteti, sa të mos jetë në gjendje të nxjerrë përfundime e të ketë më shumë vëmendje, më shumë urti në atë që bën, edhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme. Politika e Erdoganit në Siri ka qenë një dështim i plotë, e nuk i solli asgjë të re vendit; njëlloj edhe politika ndaj kurdëve. Për shumë vjet politika e jashtme e Turqisë synoi të mos u krijojë probleme fqinjve; do të ishte mirë të mbështetej përsëri mbi këtë teori politike. 








All the contents on this site are copyrighted ©.