2016-07-18 16:19:00

Ipeshkvijtë e Kalifornisë: jo, dënimit me vdekje, çdo jetë është e shenjtë


Është një “jo” e prerë kundër dënimit me vdekje dhe një thirrje për  respektimin e shenjtërisë së jetës, kjo e ipeshkvijve të Kalifornisë, në një notë të përhapur këto ditë. Në dokument, prelatët mbështesin “Propozimin  62” kundër dënimit me vdekje, të disa liderëve fetarë, avokatëve penalistë, familjarëve të viktimave, forcave të rendit dhe njerëzve të dënuar padrejtësisht. E titulluar “Drejtësi, që funksionon”, nisma synon t’i japë fund praktikimit të dënimit me vdekje në Shtet, duke e zëvendësuar, për fajtorët, me dënim të përjetshëm, pa kusht e me detyrimin të punojnë e t’i shpërblejnë familjarët e viktimave.

Çdo jetë është e shenjtë, e pafajshme a fajtore

“Çdo jetë është e shenjtë, e pafajshme a e papërkryer - pohojnë prelatët.-  Secili nga ne ka vlerë të papërsëritshme, sepse u krijuam sipas shëmbëllimit të Zotit, e secili nga ne e ka për detyrë ta dojë fytyrën e Zotit, të vulosur mbi fytyrën e çdo njeriu. Këtë pohojnë ipeshkvijtë, e njëkohësisht shprehin vendosmërinë e tyre për t’i shoqëruar e për t’i mbështetur viktimat, që vuajnë pasojat e dhimbshme të krimeve. Humbja e dhunshme e njeriut të dashur - pohojnë prelatët - është si shpatë, që ua shporon zemrën. Por ankthi i tyre i përhershëm nuk zhduket nga kultura e vdekjes, madje sjell edhe më shumë dhunë, në një botë së cilës nuk i mungon dhuna. Madje ka edhe tepër.

Të investohet në programet e riedukimit shoqëror të kriminelëve

Kisha katolike e Kalifornisë, pastaj, vë në dukje se shpenzimet e mëdha për zbatimin e dënimit me vdekje, do të ishte më mirë të shfrytëzoheshin për programe më konstruktive, siç janë, për shembull, ato që i shërbejnë rehabilitimit dhe riedukimit shoqëror të kriminelëve. E jo vetëm: “Hetimet vërtetojnë vazhdimisht se dënimi me vdekje zbatohet në mënyrë të pabarabartë, sipas racës, gjendjes ekonomike dhe zonës gjeografike të njerëzve”.

Jo, thjeshtimit të proceseve për krime, që meritojnë vdekjen

Nëntorin e ardhshëm do të vihet në votë “Propozimi 66”, që synon ta shpejtojë kohën e procesve lidhur me zbatimin e dënimit me vdekje në Kaliforni. Këtij propozimi prelatët i kundërvihen plotësisht. Nxitimi  për t’i thjeshtëzuar procest - vërejnë ipeshkvijtë - mund të çojë në mënyrë të pashmangshme në ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm. Prej këndej, kujtojnë magjisterin papnor të Gjon Palit II, të Benediktit XVI e të Françeskut, që kanë bërë disa herë thirrje për ta ndalaur dënimin me vdekje në mbarë botën.

Thirrja e Papës Françesku

 Prelatët kujtojnë posaçërisht lutjen e Engjëllit të Tënzot  të 21 shkurtit 2016, kur Papa pati theksuar:

“Në të vërtetë, shoqëritë moderne mund ta dënojnë me sukses krimin, pa ia mohuar përfundimisht atij, që e kreu, mundësinë për t’u rikthyer në rrugë të drejtë. Problemi duhet inkuadruar në optikën e drejtësisë penale, e cila duhet të jetë gjithnjë më shumë në përkim me dinjitetin e njeriut e me planin e Zotit për njeriun dhe shoqërinë. Urdhërimi ‘mos vra!’ ka vlerë absolute si për të pafajshmin, ashtu edhe për fajtorin”.

Edhe krimineli - tha Papa duke bërë thirrje - ka të drejtë të paprekshme për të jetuar:

“I bëj thirrje ndergjegjes së qeveritarëve të arrihet në një mirëkuptim ndërkombëtar për heqjen e dënimit me vdekje. E u propozoj gjithë katolikëve të bëjnë një gjest guximtar e shembullor: që asnjë dënim me vdekje të mos zbatohet në këtë Vit Shenjt të Mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.