2016-07-16 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’


Ja përsëri në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Mikpritja është një virtyt i krishterë që shpërblehet gjithmonë nga Hyji. Leximi parë nga  Libri i Zanafillës e fragmenti i Ungjillit nga Luka tregojnë për mikpritjen e Abrahamit dhe të Martës. Ngjarja që u ka ndodhur atyre, na tregon se Zoti troket pareshtur në derën tonë. Kështu jemi të ftuar të zbulojmë e të njohim mënyrën më të mirë për ta pritur e përbujtur Hyjin në realitetin tonë të përditshëm, për të hyrë kështu në jetën autentike.

Abrahami priti në shtëpinë e tij tre burra: u jepte atyre ujë për t’u larë, i ftoi për të pushuar dhe u ofroi ushqim për të ngrënë. E bëri këtë me dashuri e respekt, e bëri me një qëllim të mirë, pa pretenduar asgjë si shpërblim. Por shpërblimi i erdhi nga Zoti: njëri prej atyre burrave i premtoi Abrahamit: “Do të kthehem brenda një viti e do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë”.

Edhe Marta, siç na tregon Ungjilli, e pranoi Jezusin në shtëpinë e saj dhe merrej me shërbimet e mikpritjes. E ndërsa Marta ishte e zënë me punët e shtëpisë e të mikpritjes, Maria i dëgjonte fjalët e Jezusit. Në tregimin ungjillor manifestohet vlera dhe kuptimi material e shpirtëror i mikpritjes. Marta ishte e zënë me shërbimet e shumta, e Maria, ulur pranë Jezusit, i dëgjonte fjalët e tij.

Jezusi kultivues i miqësisë, nuk kërkon shërbëtor, por miq; nuk lyp persona që të bëjnë gjëra për të, por njerëz që e lejojnë Atë të bëj gjëra të mëdha, si Maria e Nazaretit: “punë të mëdha bëri në mua i Gjithëpushtetshmi”. Thelbi i tërë fesë së krishterë është ajo që Hyji bën për mua, jo ajo që unë bëj për Hyjin. kështu mikpritja e përzemërt dhe ndarja e bukës në sofër, i japin rast Mësuesit të Nazaretit, Jezu Krishtit të na mësojë se si lypet jetuar bamirësia, dashuria dhe mikpritja.

Fjalët e Jezusit nuk duan të nënvlerësojnë punën e Martës, por të na kujtojnë atë që është thelbësore, dmth. dëgjimin dhe kumtin e Tij, duke na ndihmuar kështu t’i shmangemi rrezikut që duke u marrë me punë e shërbime të shumta, të mos e harrojë pikërisht atë që vjen për ta vizituar si mik. Marta e Maria nuk janë në kundërshtim njëra me tjetrën, sjelljet e tyre janë përplotësim. Maria nuk mund të bëj pa Martën, sepse nuk ka dashuri ndaj Hyjit që nuk mishërohet në gjestet konkrete. Mikesha e shërbëtorja janë dy mënyra të dashurisë, që të dyja të nevojshme, janë dy polet e një urdhri të vetëm: “duaje Hyjin tënd e duaje të afërmin tënd”; të një lumnie të vetme: “Lumë ata që e dëgjojnë fjalën, Lumë ata që e mishërojnë në jetë”.

Pranim i Zotit në realitetin e jetës së përditshme e në vëllezërit e motrat tanë, është tema që trajtojnë leximet biblike të kësaj së diele. Kështu, në çdo person, në çdo vëlla a motër mund e duhet të presim e të pranojmë Krishtin. Urata e dytë e Meshës së kësaj së diele na mëson të lutemi Kështu: “ O Atë i urtë dhe i mëshirshëm, dhurona një zemër të butë e të përvujtë...për ta pritur Krishtin si mysafirë e mik në personin e vëllezërve tanë”.

Pra, unë e ti jemi Marta e jemi Maria; brenda besh dy motrat mbahen për dore, e kurrë asgjë më nuk do ta ndajë njeriun prej Zotit, atëherë asgjë më nuk do ta ndajë njeriun nga shërbimi për tjetrin. E mos të harrojmë se Jezusi kërkon prej nesh të përbuhet, kërkon të pritet si mik në zemrën tonë. Na lutë t’i bëjmë pak vend në ekzistencën tonë, t’i kushtojmë pak nga koha jonë, t’i kushtojmë pak nga vëmendja jonë e ta njohim e pranojmë në vëllezërit tanë..

Programin kushtuar Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund ta dëgjoni edhe këtu....

          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 1-10
Kjo pjesë paraqet temën e mikpritjes. Tregon bujarinë, mikpritjen që Abrahami u bën tre miqve misteriozë. Një mirësi e tillë i lejon atij të kuptojë misterin që ata mbartin.  Njëri i zbulohet si Hyji dhe dy të tjerët si engjëjt e tij. Ky tregim është një mësim mbi kuptimin e thellë të mikpritjes. Jezusi do të na thotë se kush mikëpret më të voglin e vëllezërve të mi mikëpret vetë Hyjin. 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’u sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të trungut. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni veten para se të vazhdoni udhën. Ju po i bini kah dera shërbëtorit tuaj!” 
Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!” Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej tri masë të miellit më të mirë dhe na i bëj do kuleç.” Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shpejtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata ngrënin, rrinte pranë tyre në këmbë rrëzë trungut. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjigji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë djalë.” Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër 
do të banojnë në shtëpinë e Zotit

----- ----- -----
O Zot, e kush do të guxojë 
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----- ----- -----
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----- ----- -----
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë nuk do tëluhatet.
----- ----- -----

Leximi i dytë Kol 1, 24-28
Pali, i vjetër dhe i burgosur, akoma në zemrën e tij shfaq vrullin e apostullit që përshkon botën.  Detyra e tij është gjithmonë urgjente: tu shpallë njerëzve fjalën e Hyjit që ta jetojnë, të udhëheqë njerëzimin në takim me Krishtin, me shpresën për një jetë të lirë dhe të re. Të jesh apostull do të thotë gjithmonë të rilindësh Kishën ashtu siç bën Krishti, pra në dashuri që nuk njeh pengesa.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij, Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të vet. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë, domethënë: Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush t’ia arrijë përsosmërisë në Krishtin.  Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e Vërtetë:
na shenjtëro në të Vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Lk 10, 38-42
Dy motrat, Marta dhe Maria kanë një shqetësim të përbashkët: të mikëpresin mikun dhe të bashkëndajnë detyrat e tyre. Marta kujdeset për kuzhinën, Maria ulet dhe dëgjon Mësuesin.  Janë dy detyra që shprehin të njëjtën mikpritje. Por Marta e tepron dhe i kërkon ndihmë së motrës. Në këtë moment mikpritja nuk është më e qetë dhe Jezusi i thotë se e nevojshme është vetëm një gjë. Thelbësore është dëgjesa e Fjalës.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe në grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!” Iu përgjigj Zotëria: “Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.” Fjala e Zotit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.