2016-07-14 14:32:00

Selia e Shenjtë: krerët fetarë të dinë të sjellin paqen në Lindjen e Mesme


Dhuna e vazhdueshme në Siri e Irak dhe amullia në bisedimet e paqes izraelito-palestineze: për këtë foli, me tone të forta, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, imzot Bernardito Auza. Nuk mjaftojnë bisedime formale për të arritur paqen, theksoi prelati, duke u bërë thirrje krerëve të tri feve monoteiste, që e kanë djepin e tyre në Lindjen e Mesme, t’i bëjnë ballë urrejtjes dhe të ndërtojnë bashkësi të vërteta feje.

Imzot Auza përshkroi një kuadër dramatik në Lindjen e Mesme, ku që prej 69 vjetësh, pritet të zbatohet akoma një rezolutë e OKB-së për krijimin e dy shteteve, atij palestinez e atij izraelit. “Paqja e qëndrueshme – ngriti zërin përfaqësuesi i Vatikanit – do të mbetet ëndërr dhe siguria, iluzion, nëse Izraeli e Palestina nuk pranojnë të ekzistojnë njëri pranë tjetrit, të pajtuar e sovranë, brenda kufijve të njohura nga bashkësia ndërkombëtare, për të cilat janë marrë vesh”. Ka ardhur koha të veprohet në këtë drejtim, këshilloi prelati, sipas rekomandimeve të Kuartetit për Lindjen e Mesme, ku marrin pjesë SHBA-të, Rusia, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja.

Imzot Auza foli më pas për vuajtjet e popullit sirian, i detyruar të mbijetojë nën bomba, ose të ikë drejt zonave më pak të shkatërruara. Vuri në dukje persekutimet e të krishterëve, të jazidëve dhe të pakicave të tjera etnike e fetare në Siri e në Irak dhe u bëri jehonë fjalëve të Papës Françesku, që denoncojnë përgjegjësit e masakrave pa kuptim të civilëve dhe ata, që i financojnë dhe i furnizojnë me armë vrasësit e popullsisë së pafajshme dhe shkatërruesit e institucioneve e të infrastrukturave.

Së fundi, thirrja për të gjithë krerët fetarë - hebrenj, të krishterë e myslimanë - e për të gjithë besimtarët që të jenë “të denjë” për rolin e tyre në procesin e pajtimit të rajonit, duke hedhur poshtë “çdo formë urrejtjeje të ndërsjellë, e cila mund të çojë drejt ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”. “Sa më shumë të manipulohet feja për të justifikuar aktet e terrorit dhe të dhunës, aq më tepër liderët fetarë duhet të impenjohen në përpjekjen globale për ta zhdukur dhunën, që synon ta përdorë fenë për qëllime të kundërta me natyrën e saj. Entuziazmi i rremë fetar duhet kundërshtuar me mësime të vërteta fetare dhe me shembullin e bashkësive autentike të fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.