2016-07-10 14:30:00

Françesku: të bëhesh i afërt me atë që vuan; pa vepra, feja është e vdekur


Pa vepra, feja jonë është e vdekur! Këtë theksoi Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Mijëra, besimtarët të cilët, pavarësisht nga vapa përvëluese, kujtuar edhe nga Papa, u mblodhën, si zakonisht, për t’u lutur me Atin e Shenjtë. Françesku u ndalua posaçërisht tek Ungjilli i së dielës, përqendruar mbi shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Papa i inkurajoi besimtarët  “të mos katalogojnë”, për të vendosur kush është i afërmi, por të bëhen të afërm me të gjithë ata, që kalojnë çaste të vështira:

 

“Kush është i afërmi im? Kë duhet ta dua si vetveten?”

Papa Françesku e mbështeti mbi këto dy pyetje reflektimin e tij kushtuar shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë, propozuar nga Ungjilli i së dielës. Rrëfim i thjeshtë, që flet për një stil jete, bariqendra e të cilit nuk jemi ne, por janë të tjerët, njerëzit e ngarkuar me vështirësitë e tyre, që i takojmë në udhën tonë e na  kërkojnë ndihmë:

“Të tjerët na kërkojnë ndihmë. E kur të tjetrët nuk na kërkojnë ndihmë, diçka nuk shkon; diçka në këtë zemër nuk është e krishterë”.

Mos përzgjidh kush është i afërmi e kush nuk është

Françesku nënvizoi se pikërisht samaritani, i përbuzur nga judenjtë sepse nuk ishte ndjekës i fesë së vërtetë, qe i vetmi që u bë i afërmi i shtegtarit të sulmuar e të braktisur në mes të udhës nga cubat. E kështu doktori i ligjit, që e kishte pyetur Jezusin kush mund të quhej i afërm, duhet t’i përgjigjet tani  Zotit, që e pyet se kush ishte i afërmi i shtegtarit përudhë drejt Jerikos:

“Në këtë mënyrë Jezusi e përmbys plotësisht perspektivën fillestare të doktorit të ligjit, e edhe tonën! Nuk duhet t’i katalogojmë të tjerët, për të vendosur kush është i afërmi im e kush nuk  është. Varet nga unë të jem o të mos jem i afërmi, që takoj e që ka nevojë për ndihmë, edhe nëse është i panjohur, madje edhe  kundërshtar. E Jezusi përfundon me fjalët: ‘Shko edhe ti  e bëj kështu!’. Mësim i bukur! Që ia përsërit secilit nga ne: ‘Shko edhe ti e bëj kështu, bëju i afërm i vëllait a i motrës, që e shikon se po kalon çaste të vështira!'”.

Feja jonë është pjellore, vetëm nëse pasohet nga veprat

Nuk duhet të ndalohemi tek fjalët, vijoi Papa, duke cituar këngën e famshme të Minës “fjalë që i merr era”. Nuk mjafton të flasësh, pas fjalës duhet bërë vepra. Sepse përmes veprave të mira, që i bëjmë me dashuri e gëzim ndaj të afërmit, feja jonë çel lule, lidh e pjek fruta.

Ta pyesim veten - e secili të përgjigjet në zemër të vet - ta pyesim: është pjellore feja jonë? Prodhon vepra të mira? Apo është shterpë, më shumë e vdekur, se e gjallë? A bëhem i afërt i tjetrit, apo vetëm i kaloj pranë? Jam nga ata, që i përzgjedhin njerëzit sipas qejfit të tyre? Këto pyetje është mirë t’i bëjmë shpesh, duke e pasur parasysh se në fund të fundit do të gjykohemi pikërisht për veprat e mëshirës.

Jezusi do të na pyesë a e pranuam në të varfërit e të vuajturit 

Zoti - shtoi Papa - mund të na thotë: “Po ty... A nuk të kujtohem asokohe, në udhën nga Jeruzalemi për në Jeriko? Njeriu gjysëm i vdekur isha unë! Të kujtohet:

“Të kujtohet? Ai fëmija i uritur, isha unë! Të kujtohet? Ai emigranti që shumëkush do ta dëbojë, isha unë! Ai gjyshi i vetmuar, i braktisur në shtëpinë e pushimit, isha unë! Ai i sëmuri i lënë vetëm në spital, të cilin nuk shkon ta vizitojë askush, isha unë!”.

E pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, posaçërisht bashkatdhetarët argjentinas në festë e besimtarët e ardhur nga Polonia, sidomos nga Krakovi ku, pas më pak se dy javësh, do të shkojë për Ditën Botërore të Rinisë. Kujtoi edhe të dielën e detit, Papa, në mbështetje të baritorisë së njerëzve të detit:

“I inkurajoj detarët dhe peshkatarët në punën e tyre, shpesh të rëndë e të rrezikshme, ashtu si dhe kapelanët e vullnetarët, në shërbimin e tyre të çmuar. Maria, Yll i Detit, ju ruajtët të gjithë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.