2016-07-08 10:28:00

Prof. Ulqini: “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”


Kohët e fundit nga Shtëpia Botuese “Fiorentina”, në Shkodër, doli një libër i ri, interesant e me vlerë, titulluar “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”, me autor Profesor Kahreman Ulqinin, një nga etnologët e historianët më të njohur të vendit. Libri pasqyron shkencërisht atë virtyt të gjindes shqiptare, tolerancën fetare, që e nxiti Papën të zgjedhë për të shtegtuar për herë të parë në Evropë, trojet tona.

Veprës së re të etnologut e historianit i prijnë dy citime tepër domethënëse. Së pari lexojmë fjalët e Abdyl Frashërit: “Në asnjë vend të botës nuk gjenden njerëz të besimeve të ndryshme, që të jetojnë në një miqësi dhe në një harmoni të tillë me atë që jetojnë shqiptarët myslimanë e të krishterë. Madje as në kohët e barbarisë më të thellë, kurrë nuk janë shënuar në Shqipëri grindje, luftëra, as masakra të shkaktuara nga dallime fetare”. Kjo, për traditën.

Vjen pastaj citimi i shkëputur nga vepra e Peter Burke, studiues i shquar bashkëkohor anglez, emri i të cilit lidhet edhe me vëllimin e UNESCO-s “Historia e njerëzimit”(1999), autor i më se 25 librave, gjë që flet vetë për metodën moderne shkencore, mbi të cilën u mbështet autori, për të trajtuar një temë kaq delikate, shumë herë të shpërdoruar për shkaqe nga më të ndryshmet e asnjë herë të thelluar me angazhim, vërtetësi e asnjanësi të mirëfilltë shkencore. Ja edhe fjalët e Burkes: “…ideali për një historian mbetet që as të mos idealizojë, as të mos dënojë, por vetëm të përpiqet të kuptojë qëndrimet dhe vlerat e paraardhësve tanë”, ideal që i prin edhe Autorit të veprës.

Sa i thjeshtë dhe i kuptueshëm për të gjithë, aq edhe i thellë e i shkruar me kritere të rrepta, për t’u folur dijetarëve – libri ka vlera të mirëfillta edukative e, jo më pak, edhe shkencore. Njerëzve të thjeshtë u jep një nga mësimet e mëdha të historisë: atë të tolerancës. Shkencës shqiptare të etnologjisë e  edhe asaj të historisë, shpesh të pavërtetë, i tërheq, me një asnjanësi të admirueshme, vëmendjen që ta trajtojë me thellësi  fenomenin. E kjo, në dobi të ardhmërisë paqësore - e sigurisht edhe të begatisë së shumëpremtuar, që deri më sot mbetet vetëm ëndërr e bukur - e parealizuar – e edhe e parealizueshme, pa tolerancën fetare.

 Kështu Profesor Kahreman Ulqini vë në dukje pikërisht ato vlera, që e tërhoqën vëmendjen e Papës Françesku për të vizituar Shqipërinë e për t’i theksuar që në fjalimin e tij të parë, atë të mirëseardhjes: “Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij”.

Libri i Profesor Ulqinit, tejet aktual,  e jo më pak, edhe interesant, larg çdo idealizimi, e studion shkencërisht këtë fenomen. Na siguron, kështu, se toleranca fetare në Shqipëri është realitet historik e se meriton të studiohet e të  thellohet më tej edhe në ditët tona, madje në rang institucioni....

 Duke u rikthyer tek vizita e Papës, kujtojmë edhe takimin me përfaqësuesit e feve të ndryshme, gjatë të cilit pati theksuar: “Liria e vërtetë fetare i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit dhe mbështet qëndrimet e respektit dhe të dialogut konstruktiv”. Nuk mund të mos e pranojmë se mungesa e tolerancës ndaj atij që ka bindje fetare të ndryshme nga tonat është armik posaçërisht tinëzar, që sot, fatkeqësisht, po shfaqet në rajone të ndryshme të botës. Si besimtarë, duhet të jemi veçanërisht syhapur, që shpirti fetar dhe etika, të jetuara me bindje dhe të dëshmuara me pasion, të shprehen gjithmonë me sjellje të denja për misterin që duan të nderojnë, duke i përjashtuar me vendosmëri si të pavërteta, sepse të padenja për Hyjin e për njeriun, të gjitha ato forma që përfaqësojnë përdorimin e shtrembër të fesë.  

Vepra e re pasurohet, konkretizohet e bëhet edhe më e këndshme në të lexuar, falë 18 shtojcave, që e përmbyllin e që e nxisin lexuesin t’i shfletojë me një frymë. Zgjodhëm ndonjë prej tyre, për ta lexuar në Radion tonë, pas  paraqitjes së veprës “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë” . Do të mund t’i ndiqni që në emisionet e ardhshme.   








All the contents on this site are copyrighted ©.