2016-07-06 16:13:00

Koncili panortodoks. Bartolomeu: “Shkruam një faqe historike”


“Shumë ndryshime e zhvillime ka pësuar bota në rrjedhë vitesh e shekujsh: zhvillime politike, shoqërore e edhe shkencore. Kisha nuk mund të rrijë jashtë këtyre diskutimeve e as t’i shmanget këtyre ndryshimeve. Çka duhet të bëjë, është t’i shndërrojë, duke shfrytëzuar traditën e lashtë shpirtërore e duke kërkuara përgjigje të reja, për të mos përsëritur gjithnjë të njëjtat fjalë”. Ky ishte procesi entuziazmues, që Koncili i Madh Shenjt i Kishës ortodokse u përpoq të bëjë këto ditë, duke shtruar në tryezën e diskutimit temat me rëndësi jetike, si marrëdhëniet e Kishave me botën bashkëkohore dhe çështjen e diaporës. Këtë të fundit Kishat ortodokse e kanë shumë për zemër, sepse një pjesë e mirë e besimtarëve të tyre jetojnë në të katër anët e botës.  Janë Kisha, që vijojnë të lidhen ngushtë me Patriarkanat, të cilave u përkasin. E mund të ndodhë që në një rajon apo në një qytet të vetëm, të ketë besimtarë ortodoksë, që u përkasin 14 kishave të ndryshme. Problem pra, për t’u diskutuar nga të 14-tat, në një takim madhor, si Koncili, që u përgatit me aq kujdes e për një kohë aq të gjatë, e  që, megjithatë, nuk arriti t’i shikojë  të mbledhura rreth tryezës së përbashkët, të gjitha Kishat ortodokse.   

Por, pavarësisht nga munguesit e rëndësishëm, pesha historike e Koncilit panortodoks, që përfundoi në Kretë, mbetet me vlerë e besohet se Kishat protagoniste, ato që vendosën të marrin pjesë, pas përgatitjes 55 vjeçare, janë të vetëdijshme për këtë”.  Dhjetë Kishat e pranishme vërejtën se ishte jashtëzakonisht e nevojshme të takoheshin, për të folur së bashku e për të marrë vendime lidhur me problemet e brendshme dhe të jashtme që u vë përpara historia, në përpjekjen për t’u dhënë besimtarëve një mesazh  bashkimi e dashurie.  

Pikënisje, jo pikarritje

Të gjithë zëdhënësit e Kishave të ndryshme autoqefale, të pranishme në Kretë, pohuan se atmosfera e Koncilit ishte shumë pozitive dhe diskutimi vijoi qetësisht, me frymë konstruktive. Ndërsa emendamentet dhe dokumentet e ndryshme u propozuan dhe u miratuan një zëri me shumë shpejtësi. Atë Hyacinthe Destvelle, domenikan, punonjës i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, bashkëpunëtor i Osservatore Romano, që i ndoqi nga afër punimet, pohon se i krijuan përshtypjen e një udhe sinodale, që vijoi në mënyrë shumë pozitive e që shënoi fillimin e sinodalitetit të ri ndërmjet Kishave ortodokse. Dokumentet, që u nënshkruan në Kretë, janë shumë të rëndësishme, por rëndësinë më të madhe e ka vetë ngjarja, e re e tejet e madhe. Nuk bëhet fjalë vetëm rezultatin e një udhe të gjatë, por edhe për fillimin e një udhe të re të Kishave ortodokse. Në Kretë - shpjegon - u fol kryesisht për tema, që kishin të bëjnë me botën ortodokse, për të mbajtur, pastaj, qëndrime të përbashkëta mbi tematikat e ndryshme. E Patriku Ekumenik Bartolomeu I, theksoi se objektivi i takimit ishte t’i hapej udha një sinodaliteti të ri dhe të zgjidheshin problemet, prej 50 vjetëve në rendin e ditës. E shtoi: “Në dashtë Zoti, do të jenë koncilet e ardhshme, që do të mund t’i përballojnë marrëdhëniet ndërmjet Kishave Ortodokse dhe botës së jashtme e, me to, edhe temat më aktuale, si ambienti, bioetika dhe shekullarizimi”.

Duhet kujtuar edhe se Papa Françesku, në “Evangelii gaudium” flet për shkëmbimin e dhuratave ndërmjet kishave të krishtera  dhe i këshillon katolikët të mësojnë sadopak nga sinodaliteti i botës ortodokse. Është, pra, një terren i përshtatshëm, për dialog shumë të rëndësishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.