2016-07-04 14:19:00

Kisha e Bangladeshit: nuk vritet në emër të Zotit!


Atentati në Holey Artisan Bakery është barbari, që nuk ka asnjë justifikim. Emri i Zotit nuk duhet as nuk mund të përdoret për akte të tilla. Është e trishtuar të shikosh se vdiqën pikërisht ata, që nuk ishin myslimanë. Tani u takon besimtarëve islamikë të ndërhyjnë, për të shpëtuar fytyrën e fesë së tyre. Këtë thekson, për agjencinë AsiaNews, imzot Gervas Rozario, ipeshkëv i Rajshahi e kryetar i Komisionit ipeshkvnor Drejtësi e Paqe, duke komentuar masakrën e 1 korrikut në Dacca. Masakër që Papa, në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke shprehur dhimbjen e tij të thellë, e quajti “dhunë pa pikën e kuptimit, kryer kundër viktimave të pafajshme” e “akt barbarie kundër Zotit e njerëzimit”. Duke ia besuar, më pas, të vdekurit mëshirës së Amshuar dhe duke siguruar  se lutet për familjet  e viktimave si dhe për të plagosurit.  

Paqe, mbi të gjitha!

Dënimi, prandaj, duhet të jetë i njëzëshëm. Sipas imzot Rozarios, “Askush e asnjë fe nuk mund ta justifikojë vrasjen”. Por është e trishtueshme të vëresh se penget vdiqën sepse nuk ishin myslimanë. Zoti nuk e lejon këtë masakër. Tani e kanë radhën myslimanët e vendit: duhet të brofin në këmbë për t’ia shpëtuar  faqen  fesë së tyre. Paqja duhet të ketë epërsi mbi  të  gjithë e mbi gjithçka. Kisha në Bangladesh - përfundon prelati – lutet për këto viktima të terrorizmit islamik. Zoti u dhëntë pushimin e pasosur  shpirtrave të këtyre të vdekurve. Martirët e krishterë të masakrës do të kujtohen në mënyrë shumë të veçantë.   

Të lutemi për të vdekurit e për shndërrimin e shpirtrave të fajtorëve

Në të njëjtën vijë, edhe imzot Patrick D’Rozario, kryeipeshkëv i Dacca-s:

“Terrorizmi ushqen terrorizmin – thekson prelati, duke folur për agjencinë Sir. - Rrënja e tij duhet përballuar me ndershmëri, sinqeritet e guxim”. Ne, të krishterët - shton - lutemi për liderët e vendit, që në këto çaste kritike, të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit, pa dallim kombësie, kaste e besojme, nga çdo fakt tjetër tragjik, si ky i fundmi. “Lutemi - përfundon kryeipeshkvi i Dacca-s - edhe për shndërrimin e mendjeve e të zemrave të të gjithë atyre, që projektojnë veprimtari të tilla çnjerëzore. Ia ofrojmë Zotit në lutje britmën e popullit dhe të njerëzimit, që vuan!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.