2016-07-03 14:43:00

Parlamenti evropian: të krishterët e Lindjes së Mesme rrezikohen të zhduken


Të krishterët në Irak e në Siri po zhduken. E mbeten pakica fetare më e persekutuar në botë. Këto, disa nga përfundimet e Raportit  mbi lirinë fetare në botë, botuar nga Parlamenti Evropian. Vendet, në cilat pakicat fetare persekutohen, janë 53, ndërsa situatat më kritike vijojnë në Lindjen e Mesme, në Pakistan, në Nigeri. E Bashkimi Evropian - pohohet - bën tepër pak për t’i mbrojtur.

Prania e Shtetit Islamik ndërmjet Sirisë e Irakut, krijon një rrezik të madh: atë të zhdukjes së të krishterëve, që jetojnë në këto vise që prej dymijë vjetësh. Kushtrimin e lëshon këtë herë Parlamenti Evropian, që nënvizon kthimet e detyruara në islamizëm, posaçërisht në Irak, ku numri i të krishterëve ka rënë frikshëm nga dyqind mijë, në vitin ’90, në më pak se 250 mijë, në vitin 2015. I njëjtë, fati i Sirisë, ku nga 2 milionë të krishterë që ishin në vitin 2011, është kaluar në një numër të rëgjuar, që arrin nga 600 deri në 900 vetë, me rastin emblematik të Halebit, ku kanë mbetur vetëm 60 mijë të krishterë, nga 400 mijë, që jetonin këtu para lufte. Ikin, nga një persekutim sistematik, që përfshin edhe yazidët e pakicat e tjera myslimane.

Lidhur me Pakistanin, kujtohet shpërdorimi i ligjit mbi blasfeminë, i cili parashikon deri dënimin me vdekje për ata, që fyjenë emrin e Muhametit. Rasti më i njohur në këtë drejtim, është ai i Asia Bibit, në burg që nga viti 2009. E nuk është vetëm ajo. Në vitin e kaluar u mbyllën në burg, me këtë  akuzë, edhe 5 vetë të tjerë, që u dënuan mbi bazën e këtij ligji.

Norma edhe më të rrepta janë në fuqi në Arabinë Saudite, ku, sipas raportit, vërehen shkeljet më të rënda të lirisë fetare në botë e mund edhe të vdesësh për apostazi, për blasfemi e për shtriganëri. Në burgjet e Iranit vijojnë të vuajnë thjesht për shkak të besimit të tyre,  më se 90 vetë, të cilët pësojnë çdo ditë ngacmime e dhunime të padurueshme.

Në Afrikë, situata mbetet kritike në Republikën Qendrafrikane, ku milicitë me shumicë myslimane Selekem vranë, ndërmjet janarit e prillit 2015, më se 1200 të krishterë. Ndërkaq më se 35 mijë civilë myslimanë kanë mbetur të izoluar në zonat e kontrolluara nga milicitë e krishtera anti-Balaka. Në Sudan e Nigeri, ku në 12 shtetet e veriut është në fuqi sharia, ata që nuk janë myslimanë kërcënohen me gjithafrë dënimesh, deri në prerjen e gjymtyrëve, ndërsa në vitin 2016 u vranë 4 mijë të krishterë  e u sulmuan 198 kisha. Por, pse të krishterët  merren kështu mizorisht nëpër këmbë?  Të dëgjojmë Martën Petrosillo, zëdhënëse e Lëvizjes “Ndihmë për Kishën që Vuan-Itali”:

Përgjigje: - Ka një mori arsyesh. Mbi të gjitha sepse, si në rastin e Lindjes së Mesme, të krishterët janë pakicë në vendet ku ka çrregullime e edhe synime nga ana e feve të shumicës, për të krijuar shtete me një fe të vetme. Kështu për shembull, në rastin e Shtetit të vetëshpallur islamik, ndjehet drejtpërdrejt qëndrimi kundër të gjithë atyre, që nuk janë myslimanë. Duhet kujtuar se, në përgjithësi, të krishterët janë jo vetëm të persekutuar, por edhe të diskriminuar në aspektin ligjor. Në shumë Kushtetuta ka diskriminime të qarta  kundër jo myslimanëve. I kemi parë përpjekjet për t’u imponuar kudo ka fundametalizma: mendoj jo vetëm për atë islamik, por, për shembull, edhe për atë hinduist në Indi ose atë budist që, në Sri Lanka  e në Myanmar, po e godet rëndë bashkësinë e krishterë. Prandaj mund të themi se ka një mori faktorësh, duke përfshirë këtu edhe natyrën e butë, paqësore të të krishterëve. Këto, arsyet, për të cilat bashkësia e krishterë  do të jetë gjithnjë më e persekutuara.

Pyetje: - Raporti i fundit i Parlamentit Evropian i akuzon institucionet  evropiane se bëjnë tepër pak për t’i mbrojtur të krishterët. Cila është situata e mbrojtjes ndërkombëtare  të pakicave të krishtera e edhe pakicave të  tjera fetare?

Përgjigje: - Jemi para një vonese të dukshme të veprimeve të ndryshme, që duheshin ndërmarrë në mbrojtje të të krishterëve. Në të vërtetë, nga ana e Bashkimit Evropian nuk mungon një farë lëvizjeje; para pak kohe u emërua një i dërguar për liritë fetare  që, edhe pse nuk referon drejtpërdrejt në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian - gjë që do të ishte shumë e dëshirueshme - është sigurisht një hap para për respektimin e kësaj së drejte nga ana e Bashkimit Evropian. Shkurtin e kaluar u njoh edhe genocidi i kryer nga Is, në dëm të pakicave fetare në Irak e Siri. Edhe ky, një hap tjetër para,  shumë i rëndësishëm, nga ana e Bashkimit Evropian. Por, e gjithë kjo, nuk mjafton. Duhen marrë masa të tjera, gjithnjë e më konkrete.








All the contents on this site are copyrighted ©.