2016-07-02 16:50:00

Toka Shenjte: do të çminohet zona në vendin e Pagëzimit të Jezusit


Halo Trust, organizatë humanitare botërore për pastrimin e fushave të minuara, do të  çminojë vendin e Pagëzimit të Jezusit, në Wadi Kharrar (mbi bregun e lumit Jordan, nga ana e Jordanisë). Muajin a kaluar, pas marrëveshjeve nënshkruar me Izraelin, Autoritetet palestineze dhe kishat e krishtera që kanë prona në këtë vend, Halo Trust nisi fushatën e mbledhjes së fondeve të nevojshme për çminimin e zonës. Këto vise, ku u end Gjon Pagëzuesi e u pagëzua vetë Krishti, sot janë të mbjella me 3.800 mina. Sipas portalit të Rojtarisë së Tokës Shenjte, do të duhen më se 4 milionë dollarë për ta çminuar këtë vend të shenjtë për besimtarët e krishterë të mbarë botës.

Vendi i Pagëzimit të Krishtit, prej vitesh, fushë e minuar

Prej shekujsh, në këtë vend - sot nën kontrollin ushtarak të Izraelit - të krishterët përkujtojnë Pagëzimin e Krishtit. Që nga viti 1967, si pasojë e luftës ndërmjet Izraelit e Jordanisë, siti u mbyll për shtegtarët e turistët dhe 55 hektarë tokë u bënë fushë e mbjellë me mina e zonë ushtarake. Që nga viti 2000, vit në të cilin këtu shkeli Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Tokën Shenjte, u hap një shteg i vogël mbi lumë dhe u ngrit, në Jordani, një qendër për shtegtarët e turistët, ndërsa në kishat e konfesioneve të ndryshme të krishtera vijon të kujtohet Pagëzimi i Krishtit. Prej këndej, në vitin 2011, Autoritetet Izraelite e pastruan një pjesë të vogël të truallit pranë lumit, që shtegtarët të mund të arrinin në bregun perëndimor të Jordanit.

Kujtimet lashta mbi brigjet e lumit Jordan

Siti i Jordanit lidhet edhe me Elinë profet e me vetmitarët dhe shtegtarët e kohëve të para të krishterimit, ndërmjet të cilëve, Shën Maria Egjipciake. E Kisha katolike ka në pronësinë e saj një pjesë toke, në zonën jugore të udhës, që e lidh Jerikon me lumin Jordan. Pjesa tjetër është pronë e kishave e konfesioneve të tjera. Vendi njihet edhe me emrin Qaser el-Yahud (Kështjella e hebrenjve), emër, që të kujton pikërisht pikën në të cilën populli i Izraelit pati kaluar lumin Jordan,  për të hyrë në Tokën e Premtuar. Në hyrje ngrihet manastiri Greko-Ortodoks i Prodomos (Pararendësit).

Në këtë vend minat janë mbjellë pikërisht mbi këto kujtime të lashta e të reja.

Vendet e kultit të Rojtarisë së Tokës Shenjte

Pjesa që është nën pronësinë e Rojtarisë së Tokës Shenjte, përfshin një elter të vogël, të rrumbullakët, ndërsa pak mbi lumë është kapela kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit, bekuar e përuruar më 1 qershor 1935. Këtu françeskanët organizojnë shtegtime të paktën që nga vitit 1641. Tani shtegtojnë gjithnjë në festën e Pagëzimit të Jezusit, të dielën pas Dëftimit të Zotit (6 janar). Kur e gjithë zona do të jetë e çminuar, do të krijohen mundësitë për të pritur mijëra shtegtarë, që do të mund të vizitojnë brigjet e  lumit Jordan dhe viset e tjera të kultit.








All the contents on this site are copyrighted ©.